Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Klosi kufizohet në veri me bashkinë e Matit, në perëndim me bashkinë e Krujës, në jug-perëndim me bashkinë Tiranë, në jug-lindje me bashkinë Bulqizë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Klosit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 16,618 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 20,281 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 357.48 km2 me një densitet prej 58.24 banorë/km2 sipas sipas regjistrit civil dhe 46 banorë/km2 sipas censusit.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Klos, Xibër, Suç, Gurrë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Mat dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 30 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Një pjesë e mirë e sipërfaqes së kësaj bashkie është zonë fushore që përbëhet nga lugina e Matit me kullota që variojnë nga 240 metra në 600 metra mbi nivelin e detit. Klosi është dhe mbetet një nyje që lidh Dibrën me Tiranën. Lëvizjet demografike të popullsisë drejt zonave urbane, karakteristike për rajonin e Dibrës, vihen re dhe në Klos.
Kryesisht lëvizja ka pasur tendencën drejt qendrës urbane të Burrelit dhe asaj metropolitane në Tiranë e Durrës. Emigrimi është i dukshëm sidomos tek të rinjtë dhe burrat dhe remitancat janë baza kryesore e të ardhurave që vijnë për familjet. Greqia, Italia dhe Anglia janë vendet ku është përqendruar ky emigrim, ku statusi i tyre është si i gjithë emigrantëve të tjerë shqiptarë me dokumenta dhe pa dokumenta.
Degët kryesore të ekonomisë janë bujqësia, ku klima e favorshme lejon kultivimin e të gjitha bimëve e drufrutorëve, blegtoria dhe shërbimet. Klosi është i pasur me burime të shumta natyrore, tokësore dhe nëntokësore. Pyjet dhe kullotat komunale zënë një sipërfaqe të konsiderueshme, ku përveç lëndës drusore, ka edhe mjaft bimë mjekësore.
Një tjetër burim kryesor të ardhurash për banorët e këtij rajoni përbën edhe turizmi malor dhe historik, si dhe industria e mineralit të kromit në minierat private të Cërujës. Ndër investimet e dhëna në realizimin e projekte të mëdha në këtë zonë përmendim: Sistemim-asfaltim i bulevardit të qytetit, rrugës rurale që lidh fshatin Fullqet me qendrën e bashkisë, si dhe sistemim-asfaltimi i rrugëve që lidhin fshatrat Fullqet, Cërujë, Benjë, Lis, Gurrë dhe Kurdari me rrugën nacionale. Po kështu investime në projekte të mëdha konsiderohet edhe ai i dhënë për ndërtimet e ujësjellësve në fshatrat Bershi dhe Cërujë.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Ndër problematikat më kryesore që mbeten të zgjidhen nga bashkia e re e dalë pas zgjedhjeve të 21 qershorit renditen: menaxhimi i pasurive minerare, menaxhimi i tokës bujqësore, ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore që lidhin qendrat turistike të zonës, hartimi i planit strategjik urbanistik, sistemim-asfaltim i rrugëve që lidhin komunat me qendrën e bashkisë, krijimi i hartës turistike të zonës, -ndërtimi i ujësjellësve duke filluar nga fshatrat me popullsi më të madhe, ndërtimi i kanaleve vaditëse për secilin fshat duke u mbështetur në anën financiare që do të ketë bashkia, zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë sipas kushteve klimatike për zhvillimin e një kulture bujqësore apo blegtorale. ndërtimi i një pallati kulture në qytet, ndërtimi i unazës së qytetit dhe shndërrimi i bulevardit në pedonale, ndërtimi i dy urave mbi lumin Mat dhe kalimi i qytetit në pjesën jug-perëndimore të tij duke patur parasysh krijimin e një lulishteje që sot i mungon qytetit dhe në dy krahët projekti të përfshijë vetëm pedonale dhe gjelbërim, si dhe menaxhimi më i mirë të minierave nga kompanitë konçensionare.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Klosit kishin të drejtën e votës 15,326 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 9,422 votues, 61.48% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Basir Çupa i Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 55.58% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Klos (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
5213 |
56,76% |
12 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
3629 |
39,51% |
9 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
157 |
1,71% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
185 |
2,01% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Basir Çupa, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)