Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia Kolonjë kufizohet në veri me bashkitë Devoll dhe Korçë, në perëndim dhe jug me bashkinë Përmet, ndërsa në lindje me Greqinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Ersekës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 11.070 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil në vitin 2014, kjo bashki numëronte një popullsi prej 19.919 vetësh në një sipërfaqe prej 864.06 km2.
Në vitin 2015, popullsia e Kolonjës sipas regjistrit civil ra në 19,736 banorë ndërsa në fillim të vitit 2016 qe 19,473 banorë.
Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Ersekë, Qendër Ersekë, Leksovik, Qendër Leksovik, Novoselë, Barmash, Mollas dhe Çlirim. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Kolonjës dhe qarkut të Korçës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Ersekë dhe Leskovik) dhe 76 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkisë së Ersekës, pas ndarjes së re administrative, nga njëra anë i bashkohen edhe disa prej malësive përreth saj, ndërsa nga ana tjetër, me shkrirjen në një me të të bashkisë së Leskovikut përveç zgjerimit të kufirit administrativ-territorial, zgjerohet edhe diapazoni i veprimtarisë dhe mënyrës së jetesës së banorëve. Zona kryesisht malore ka një varfëri të theksuar ndërsa të ardhurat kryesore kanë qenë të mbështetura tek emigracioni, megjithatë, si pasojë e krizës greke janë reduktuar ndjeshëm dhe të ardhurat e banorëve nga remitancat.
Përveç emigracionit, zona ka pasur edhe largim masiv të banorëve drejt qendrave urbane duke sjellë braktisje të fshatrave ose popullim të pakët të tyre dhe duke e bërë zonën me densitet më të ulët të popullatës banuese në vend. Për shkak të pozicionit, zona e thellë nuk arrin të tërheqë investitorët dhe frenon hapjen e bizneseve, duke krijuar mundësi të pakta punësimi të cilat do të mund të kapërceheshin nëpërmjet ngritjes së ndërmarrjeve fasone, fabrikave të përpunimit të qumështit, etj.
Përgjatë viteve të fundit hov ka marrë kultivimi i bimëve medicinale por edhe grumbullimi i tyre në malin e Gramozit, duke i orientuar banorët drejt gjetjes së një zgjidhje për sigurimin e të ardhurave. Në zonën e Leskovikut potencialet turistike janë të shumta por distanca nga zonat e rëndësishme urbane të vendit, si dhe mungesa infrastrukturore i ka lënë të pashfrytëzuara ndërsa banorët ruajnë ende traditën e vreshtarisë dhe prodhimit të verës në mënyrë artizanale.
Traditat kulturore dhe folklorike janë ruajtur mjaft mirë nga banorët por mbetet problematike organizimi i aktiviteteve dhe mbështetja financiare e tyre për përfaqësimin në një hapësirë më të gjerë.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Bashkia e Ersekës fillimisht do të duhet të përballet me vështirësitë e menaxhimit të një hapësire të madhe, ku do të përfshihet edhe zona e Leskovikut dhe harmonizimi i bashkëjetesës dhe ndërveprimit mes banorëve në zonat rurale dhe ato urbane. Kanalizimi i problematikës së shpërndarjes së investimeve mes zonave të cilat prioritet kanë bujqësinë, blegtorinë dhe vreshtarinë dhe qytetit që ka papunësi të theksuar identifikohet si një nga sfidat kryesore të banorëve të bashkisë së re.
Përcaktimi i kapaciteteve ekonomike dhe i burimit të ardhurave të njësisë së re vendore nga njëra anë dhe rikthimi i banorëve drejt kultivimit të tokave të lëna djerrë për shkak të mungesës së infrastrukturës në vaditje dhe kullim nga ana tjetër kërkon një strategji të mirëpërcaktuar për bashkinë e re.
Në fushën e arsimit, godinat e shkollave, përveçse janë në kushte tepër të këqija infrastrukturore, në periudhën e dimrit thuajse nuk frekuentohen nga nxënësit për shkak të mungesës së ngrohjes dhe bllokimit të rrugëve nga dëbora. Kjo sjell për pasojë pamundësinë që nxënësit të shkojnë nga një fshat në tjetrin, si dhe përbën një nga problematikat që duhet të adresohen sa më parë.
Në rrethin e Kolonjës zonat turistike ndahen në të pashfrytëzuara ose të shfrytëzuara keq. Një pjesë e bukurisë natyrore të saj po shkatërrohet si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të pyjeve. Përveç kësaj janë dhjetëra banesa të patriotëve të braktisura dhe të rrënuara, ndërsa mungojnë muzetë të cilët do të ishin një atraksion turistik i padiskutueshëm dhe që mund të tërhiqnin më tepër turistë kulturorë edhe nga shteti grek, sidomos nëse do të forcoheshin politikat për marrëdhëniet e bashkëpunimit.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Kolonjës kishin të drejtën e votës 15,953 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 8,583 votues, 53.80% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Arben Malo të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 53.45% të votave.
Arben Malo u nda nga jeta nga një atak kardiak në shtator 2016, gjë që solli zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie më 20 nëntor 2016. Zgjedhjet u fituan nga kandidati i së majtës Ilia Stefo. Stefo fitoi 5,136 vota ose gati 63 për qind në krahasim me 3,055 vota ose 37 për qind që fitoi kandidati kundërshtar Dritan Hajro.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
5808 |
70,47% |
11 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
2379 |
28,86% |
4 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
55 |
0,67% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Arben Malo, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Kryetar Bashkie pas zgjedhjeve të parakohëshme: Ilia Stefo, Partia Socialiste. (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)