Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Konispoli kufizohet në veri me bashkinë Finiq, në perëndim me Sarandën dhe në jug me Greqinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Konispolit. Bashkia e re përbëhet nga 3 Njësi Administrative.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re Konispol ka një popullsi prej 8,245 banorësh ndërsa sipas regjistrit civil ka 13,737 banorë. Sipërfaqja e bashkisë së re është 221.88 km2. Sipas të dhënave të censusit, densiteti i popullsisë është 37.1 banorë për kilometër katror ndërsa sipas regjistrit civil densiteti është 61.91 banorë/km2.
Njësitë administrative përbërëse janë: Konispol, Xarrë dhe Markat. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Konispolit ka si aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe blegtorinë si dhe tregtinë ndërkufitare me Greqinë. Një pjesë e popullsisë shërben në sektorin e transportit për qëllime turistike në Sarandë ose për transportin ndërkufitar, ndërsa një pjesë e popullsisë kalon kufirin rregullisht për të punuar përkohësisht në zonat pranë kufirit në Greqi.
Bujqësia është e përqendruar te argumet, ullinjtë dhe vreshtat ndërsa zona është e famshme edhe për kullota dimërore për bagëtinë e imët.
Në fshatin Xarë një përpjekje e përbashkët e komunitetit ka krijuar një kooperativë shumë të suksesshme të përqendruar te prodhimi i agrumeve. Por pavarësisht suksesit të bujqësisë në Xarë, popullsia e të gjithë zonës ka qenë në rënie të shpejtë gjatë dekadës së fundit.
Infrastruktura e zonës është sistemuar me ndërtimin e rrugëve lidhëse me Sarandën dhe me Finiqin si dhe me rrugën drejt pikës kufitare të Qafë-Botit.
Bashkia e re do të ketë në territorin e saj edhe një vijë bregdetare prej rreth 10 kilometra të gjatë e cila aktualisht është e pazhvilluar përreth Kepit të Stillos me bukuri të rrallë. Në këtë pjesë të bregdetit gjenden mes të tjerash Ishulli i Tongos, një shkëmb me sipërfaqe prej rreth 5 mijë metrash katrore pranë gjirit të Ftelias, në kufi me Greqinë, si dhe ishulli i Stilit.
Në pjesën veriore të bashkisë së re është krijuar një fshat i ri me banorë të ardhur nga Mirdita, popullsi që është përqendruar te artizanati në funksion të turistëve që vizitojnë Butrintin.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë duke u bazuar te praktikat e suksesshme të kooperativës së Xarës është një sfidë që duhet të marrë parasysh nevojën për të krijuar kushte të mira jetese për popullsinë duke shmangur në këtë mënyrë emigrimin e mëtejshëm.
Krijimi i mundësive për zhvillimin e turizmit në pajtim me natyrën përgjatë bregut të detit kërkon investime publike si dhe planifikim të mirë dhe transparent të zhvillimit.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Konispolit kishin të drejtën e votës 10,950 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 5,703 votues, 52.08% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Shuaip Beqir të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 47.00% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Konispol (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
2987 |
54,00% |
9 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
1966 |
35,55% |
5 |
Minoriteti Etnik Grek per te Ardhmen |
63 |
1,14% |
1 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
170 |
3,07% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
345 |
6,24% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Shuaip Beqir, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)