Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia Krujë kufizohet në veri me Bashkinë e Kurbinit, në perëndim me Bashkinë Durrës, në jug me bashkitë Kamëz dhe Tiranë dhe në lindje me bashkitë Mat dhe Klos. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Krujës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 Kruja ka 59.814 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 79.608 vetësh. Kruja ka një sipërfaqe prej 339.02 km2. Sipas Censusit, densiteti i popullsisë është 176.43 banorë/km2 ndërsa sipas Regjistrit Civil dendësia është 234.81 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Krujë, Fushë-Krujë, Bubq, Nikël, Thumanë dhe Cudhi. Në bashkinë e re gjenden dy qytete dhe 50 fshatra. Të gjitha njësitë janë pjesë e Rrethit Krujë të Qarkut Durrës. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i Bashkisë
Bashkia Krujë shtrihet në një terren të përzierë fushor dhe malor. Ajo përshkohet në pjesën fushore nga korridori rrugor dhe hekurudhor veri–jug. Në zonën fushore disponon rezerva të konsiderueshme të gurit gëlqeror, gjë që ka sjellë ndërtimin e disa fabrikave të çimentos si dhe shumë punishteve të prodhimit të gëlqeres, industri të cilat kanë ndikim të madh negativ në mjedis duke qenë industritë më ndotëse në vend.
Ndryshe nga zona fushore, qyteti i Krujës, Mali i Krujës dhe Parku Kombëtar i Qafë Shtamës ofrojnë resurse të konsiderueshme të turizmit kulturor, malor, fetar dhe shëndetësor, (llixhat në fshatin Bilaj).
Qyteti i Krujës me kështjellën mesjetare, tregun e stilit osman, muzeun etnografik dhe muzeun kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është ndoshta vendi më i vizituar turistik në Shqipëri ndërsa turizmi ka sjellë edhe ruajtjen e traditës së artizanatit në disa zeje të kufizuara në Pazarin e Krujës.
Të dyja qytetet, Kruja dhe Fushë-Kruja, kanë si burime kryesore punësimi industrinë e veshjeve dhe këpucëve ndërsa qyteti i Fushë-Krujës siguron një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave edhe nga fabrika e çimentos.
Rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimeve të qytetit të Krujës është ndërtuar disa vite më parë, përfshirë kanalet kulluese për shirat e furishëm që përplasen herë pas here në Malin e Krujës. Situata është krejt e kundërta në qytetin e Fushë-Krujës si dhe në zonat rurale.
Furnizimi me ujë është me orar të reduktuar ndërsa zona bujqësore është e rrezikuar vazhdimisht nga përmbytjet dhe ka nevojë për mirëmbajtjen e kanaleve kulluese e vaditëse.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Menaxhimi i një bashkie me zona me tipare shumë të ndryshme dhe me nevoja të ndryshme pritet të përbëjë sfidën kryesore për bashkinë e re. Qyteti i Krujës dhe Malësia kanë nevojë për nxitjen e turizmit dhe të artizanatit, ndërkohë që bashkia e re duhet të ndalojë shfrytëzimin pa kriter të resurseve të gëlqeres, të cilat kanë shkatërruar tashmë pyjet dhe kanë krijuar një nivel shumë të lartë ndotjeje, gjë që bie ndesh me turizmin si prioritet i kësaj zone.
Lumi Ishëm që kalon përmes bashkisë së re është një ndotës i vazhdueshëm, problem që duhet të zgjidhet në bashkëpunim me të gjitha bashkitë e këtij baseni ujëmbledhës, përfshirë Tiranën dhe bashkinë Kamëz.
Rigjallërimi i traditës së artizanatit në Krujë ofron njëkohësisht një mundësi për punësim dhe të ardhura nga turizmi.
Ndërtimi i rrugëve lidhëse me fshatrat e thellë malorë është një sfidë tjetër, e cila shërben gjithashtu edhe për nxitjen e turizmit.
Problem është gjithashtu rreziku permanent i betonizimit të lagjes historike të Krujës si dhe mirëmbajtja e banesave në lagjen muzeale të qytetit brenda mureve të kalasë.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Krujës kishin të drejtën e votës 59,079 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 34,698 votues, 58.73% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Artur Bushi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 54.59% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Krujë (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
19524 |
59,14% |
19 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
12100 |
36,65% |
12 |
Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë |
863 |
2,61% |
0 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
528 |
1,60% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Artur Bushi, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)