Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Kuçova kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Belsh, në lindje me bashkinë Gramsh, në jug me bashkinë Berat dhe në perëndim me bashkinë Ura Vajgurore. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Kuçovës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 31.262 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 55.293 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 160.23 km2.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Kuçovë, Kozar, Perondi dhe Lumas. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Kuçovë, përveç komunës Lumas e cila është pjesë e rrethit Berat. Të gjitha njësitë administrative janë pjesë e po këtij qarku. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 31 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bazuar në ndarjen e re administrativo-territoriale, qyteti i Kuçovës, ish qyteti naftëtar Stalin, bashkohet me tre komuna, duke kombinuar resurset e tij deri me tash të bazuara kryesisht tek nafta, me sektorin bujqësor të këtyre zonave rurale. Burimi kryesor i Kuçovës vazhdon të mbetet nafta dhe gazi, zbuluar hershëm në mënyrë primitive në këtë zonë, që në kohën e mbretërisë së Mbretit Zog, me zbulime të reja në nxjerrjen e naftës në kohën e pushtimit të Italisë, pasuruar me investime në nxjerrjen dhe përpunimin e arit të zi gjatë viteve të diktarurës dhe e shkatërruar pjesërisht gjatë ndryshimit të sistemit në fillim të viteve 1990. Pasuria natyrore e naftës dhe gazit në këtë zonë, vazhdon të konsiderohet ende e lartë, por jo e shfrytëzuar sa duhet si pasojë e mungesës së investimeve në këtë fushë.
Aktualisht zona naftënxjerrëse është nën administrimin e ALBETROL. Ndërmarrja e nxjerrjes së naftës vazhdon punën, ndërsa ajo e përpunimit të naftës jo, pasi nafta bruto përcillet drejt Patosit për t’u përpunuar. Ndërkohë, që resurse të saj janë qindra puse nafte në të gjithë territorin kryesisht në fshatrat Gegë, Havalehas, Frashër, por dhe në qytetin e Kuçovës. Megjithatë, numri i lartë i puseve të naftës, aktive apo të braktisura, ka lënë pas probleme të rënda lidhur me ndotjen mjedisore. Pjesë e resurseve të kësaj bashkie është dhe aerodromi në hyrje të qytetit, aktualisht nën administrimin e NATOS. Kuçova ka pasur dhe ndërmarrje unike në vend si ajo e Riparimit të Avionëve, sot jashtë funksionit.
Gjatë dekadave të fundit, qyteti ka pësuar rënie të ndjeshme popullsie, në sajë të largimit të popullsisë për shkak të mundësive të pakta për punësim që ofron zona, duke sjellë për pasojë moshimin e ndjeshëm të popullsisë. Lëvizjet demografike të banorëve të fshatrave drejt qytetit të Kuçovës, veçanërisht në periferi, kanë qenë më të pakta në numër, por duke sjellë për pasojë ngritjen e qendrave të reja të banimit në të cilat mungon infrastruktura.
Dy ish-komunat e rrethit të Kuçovës, Perondi dhe Kozarë, karakterizohen nga toka fushore, ku të ardhurat sigurohen përmes prodhimit të arave dhe perimeve, ku vitet e fundit janë ngritur dhe një numër i konsiderueshëm serash. Ish-komuna Lumas, e cila është pjesë e rrethit Berat, ka një reliev kodrinor, i cili mundëson zhvillimin e pemëtarisë.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Administrimi i një territori më të madh me strategji zhvillimi krejt të ndryshme, është sfida kryesore për bashkinë e re të Kuçovës. Ndër problematikat më shqetësuese të identifikuara nga komuniteti, me të cilat do të përballet bashkia e re, janë menaxhimi i mbetjeve urbane, si dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore në të gjithë territorin e bashkisë dhe sidomos me vëmendje të veçantë në zhvillimin e infrastrukturës ndërlidhëse të fshatrave të komunës Lumas me qendrësn e re administrative, mes të cilave deri më tani kanë munguar lidhjet organike. Një sfidë tjetër e identifikuar nga komuniteti është dhe sigurimi i furnizimit me ujë të pijshëm gjatë të gjithë ditës, sidomos duke marrë parasysh kapacitetet e burimit të Bogovës.
Gjithashtu, një tjetër sfidë për pushtetin e ri vendor do të jetë pastrimi dhe rehabilitimi i zonave të ndotura naftë-mbajtëse të cilat përbëjnë shqetësim mjedisor dhe shëndetësor për banorët, kryesisht ata të zonës afër qytetit të Kuçovës. Nga ana tjetër, për shkak të resurseve alternative të munguara dhe niveleve të papunësisë, bashkia e re kërkohet të hartojë strategji të qarta mbi shfrytëzimin e puseve ekzistuese, si dhe nxitjen e ngritjes së uzinave të përpunimit të naftës, çka do të sillte mundësi të reja punësimi për banorët. Në po të njëjtin drejtim, pushteti lokal duhet të hartojë një plan të qartë urbanistik për zhvillimin e zonave të banuara të qytetit, në mënyrë që të sigurohet intrastruktura e nevojshme, por dhe të kontrollohen ndërtimet pa leje që pengojnë shpeshherë shfrytëzimin e zonave naftë-mbajtëse.
Gjithashtu, mospasja e një plani të qartë mbështetjeje nga ana e pushtetit vendor për organizimin e aktiviteteve gjithëpërfshirëse kulturoro-sportive për zonën, mund të sjellë depopullim të mëtejshëm të zonës ose moshimin e saj.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Kuçovës kishin të drejtën e votës 43,366 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 19,475 votues, 44.91% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Selfo Kapllani të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 57.13% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Kuçovë (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
13665 |
72,77% |
23 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
4817 |
25,65% |
8 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
181 |
0,96% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
84 |
0,45% |
0 |
Partia Fronti i Majtë |
31 |
0,17% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Selfo Kapllani, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)