Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Kurbinit shtrihet në Shqipërinë qendrore dhe kufizohet në veri me bashkitë Lezhë dhe Mirditë, në lindje me bashkinë Mat, në jug me bashkitë Krujë dhe Durrës dhe në perëndim me Detin Adriatik.
Popullsia: Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Kurbin ka 46,291 banorë, ndërsa sipas regjistrit civil ka 72,987 banorë. Me një sipërfaqe prej 269.03 kilometrash katrorë, densiteti i popullsisë sipas të dhënave të Censusit 2011 është 172 banorë km2, ndërsa sipas Regjistrit Civil, densiteti është 271 banorë km2.
Bashkia e re përbëhet nga katër njësi administrative, të cilat janë: Laçi, Mamurrasi, Miloti dhe Fushë-Kuqja. Në këtë bashki ka tre qytete, Laçi, Miloti dhe Mamurrasi dhe 27 fshatra. Të gjitha janë njësi përbërëse të rrethit Kurbin, qarku Lezhë. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i Bashkisë
Bashkia e re Kurbin shtrihet në një zonë bujqësore dhe pjesërisht malore në Shqipërinë qendrore dhe ka një vijë bregdetare, që shtrihet në rezervatin natyror Patok-Fushë Kuqe.
Kurbini gjendet përgjatë aksit rrugor dhe hekurudhor veri-jug, gjë që ka sjellë edhe zhvillimin e shërbimeve të transportit. Qyteti i Laçit, i cili ka një të tretën e popullsisë së bashkisë së re, është një zonë ish-industriale dhe është krijuar si qytet përreth fabrikave të Superfosfatit dhe të pasurimit të bakrit, që të dyja të mbyllura shumë kohë më parë. Fasoni ka zëvendësuar këto fabrika si burimi kryesor i punësimit në qytet. Megjithatë, sot funksionon vetëm një fabrikë të prodhimit të këpucëve, ku janë të punësuar 100 gra. Papunësia është tepër e lartë.
Pjesa tjetër e bashkisë është zonë bujqësore, ndërsa me rëndësi konsiderohet Laguna e Patokut, e cila është zhvilluar si zonë peshkimi dhe qendër e turizmit ditor.
Kurbini ka një reliev të larmishëm, me fusha në pjesën perendimore, në pjesën lindore me male dhe në veri lugina e Matit.
Bimësia është e shpërndarë sipas kushteve klimatike, duke formuar zonën e shkurreve mesdhetare (zhvillohen shkurret, kryesisht shqopa e mareja), e dushqeve (lisi, gështenja), e ahishteve (ahu) dhe e halorëve (pisha). Duke u nisur sipas vetive të përdorimit në zonë rriten edhe bimët mjeksore e aromatike, që përmbajnë lëndë aktive dhe esenca. Bimët mjekësore që rriten në këtë zonë janë: sherbela, trumza, kamomili, lulebliri, çaj mali, luleshtrydha, lulëkuqja dhe mëllaga.
Popullsia është e përzjerë me prurje nga shumë anë të vendit gjatë kohës së komunizmit. Mbyllja e industrisë solli probleme të rënda ekonomike dhe sociale për zonën, e cila sot ka një shkallë të theksuar të kriminalitetit.
Aktorët e shoqërisë civile në qytet kanë shqetësim të veçantë mungesën e vendeve të punës dhe praninë e lartë të lokaleve të bixhozit apo basteve sportive. Në zonat rurale shqetësim përbën mosmirëmbajtja e rrjetit të kullimit dhe vaditjes.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Bashkia e re e Kurbinit mund të përfitojë nga pozicioni si nyje lidhëse mes portit të Durrësit, Shkodrës, Kosovës dhe zonës së Dibrës, për të krijuar aktivitet ekonomik.
Pastrimi i zonës dhe zhvillimi i infrastrukturës në parkun e Lagunës së Patokut mund të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
Mbrojtja e mjedisit konsiderohet një tjetër sfidë e rëndësishme për Bashkinë e re. Zhvillimi i turizmit në kushtet e mungesës së infrastrukturës, përfshirë kanalizimet e ujërave të zeza rrezikon të dëmtojë natyrën dhe të shkatërrojë bregdetin si resurs turistik.
Mirëmbajtja e infrastrukturës së kullimit dhe vaditjes është një domosdoshmëri për këtë zonë, e cila ka një pjesë të rëndësishme të popullsisë që e nxjerr jetesën nga bujqësia.
Shtrirja e shërbimit të heqjes së mbetjeve urbane në të gjithë territorin e bashkisë është me rëndësi veçanërisht për të garantuar pastrimin e zonës së Kurbinit.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Kurbinit kishin të drejtën e votës 54,589 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 14,290 votues, 26.18% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Artur Bardhi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 82.79% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Kurbin (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
10641 |
77,88% |
25 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
2565 |
18,77% |
6 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
287 |
2,10% |
0 |
Partia Bashkimi për te Drejtat e njeriut |
171 |
1,25% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Artur Bardhi, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)