Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Pusteci kufizohet në perëndim me bashkitë Pogradec dhe Maliq, ndërsa në veri dhe lindje me Republikën e Maqedonisë. Kryeqendra e bashkisë së re është fshati i Pustecit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 3.290 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 5.191 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 198.68 km2.
Kjo bashki përbëhet nga 1 njësi administrative, e cila është Pusteci. Kjo njësi administrative është aktualisht pjesë e rrethit të Korçës dhe qarkut të Korçës. Nga viti 1973 deri në vitin 2013, emri zyrtar i kësaj komune ka qenë Liqenas. Bashkia e re ka nën administrimin e saj 9 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Kjo bashki popullohet nga minoriteti maqedonas, i cili pavarësisht se gëzon unitet të plotë, përballet me vështirësi për shkak të papunësisë dhe nivelit minimal të ardhurave. Minoriteti ruan marrëdhënie të forta me Maqedoninë, kryesisht në aspektin tregtar duke blerë me shumicë përtej kufirit, ndërsa dy prej projekteve më të mëdha janë ajo e Parkut Kombëtar të Prespës dhe projekti për linjën e tragetit mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Këto projekte do të nxisnin turizmin si dhe organizimin e guidave të përbashkëta turistike dhe transportin e vizitorëve mes tre shteteve.
Pusteci është një zonë e favorshme për zhvillimin e turizmit veror. Mikroklima e pasur, liqeni i Prespës, pamjet e bukura panoramike me një ndërthurje harmonike të peizazhit, gatimet tradicionale, ndërtesat e vjetra buzë liqenit të Prespës nga shekujt 13 dhe 14, si dhe ishulli i Maligradit janë atraksionet kryesore të kësaj zone aspak të promovuar deri më tani në këtë aspekt. Liqeni i Prespës, përveç bukurisë natyrore që ofron, shquhet dhe për florën dhe faunën e pasur, duke u bërë strehë për shumë koloni zogjsh, disa prej të cilëve në zhdukje.
Mbetjet urbane në zonën e Prespës gjenerohen kryesisht prej burimeve shtëpiake dhe disa objekteve të biznesit të vogël privat, të cilat për shkak të mungesës së pikave të grumbullimi të tyre dhe menaxhimit, përbëjnë faktorin kryesor të ndotjes së mjedisit dhe liqenit.
Në ekonominë e Pustecit përfshirja në punët bujqësore është tejet e kufizuar për shkak të rendimentit të ulët nga terreni i thyer dhe mungesa e vaditjes, si dhe mungesës së tregut.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Ndarja e re në këtë bashki nuk krijon probleme për shkak se ruhet e njëjta hapësirë gjeografike por ngre sfida për zgjidhjen e problemeve persistente. Një ndër sfidat kryesore të identifikuara me të cilën do të përballet bashkia e re është ngritja dhe mirëmbajtja e një rrjeti të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimeve, si dhe menaxhimi i mbetjeve urbane në mënyrë që të evitohet ndotja e zonave të banuara por dhe ujërave që derdhen në Liqenin e Prespës.
Sfidë për t’u tejkaluar mbetet përmirësimi i infrastrukturës rurale dhe sistemit të vaditjes, që do të sjellë rritjen e prodhimit, por edhe orientimi i banorëve drejt bashkimit të tokave ne formë kooperative me qëllim përfitimin nga politikat dhe subvencionet e shtetit për këtë sektor.
Një sfidë tjetër është dhe ajo lidhur me infrastrukturën e keqe ndërlidhëse mes fshatrave të kësaj bashkie dhe qendrës së saj, e cila nën bashkinë e re do të vështirësonte dhe më tej marrjen e shërbimeve nga ana e të gjithë komunitetit. Infrastruktura e keqe rrugore identifikohet dhe si shkaku kryesor i nivelit të lartë të braktisjes së shkollës nga fëmijët e këtyre fshatrave, të cilëve nuk u sigurohet transport i përditshëm drejt qendrës së njësisë administrative ose mundësi akomodimi (konvikte) në Pustec.
Gjithashtu, pushteti i ri vendor duhet që të prioritizojë nevojën e hartimit dhe zbatimit të politikave që mbështesin dhe nxisin turizmin e qendrueshëm lidhur me liqenin dhe parkun kombëtar rreth tij. Për këtë qëllim është e nevojshme jo vetëm zgjidhja sa më e shpejtë e problematikave të mësipërme, por dhe promovimi i zonës dhe orientimi i banorëve drejt krijimit të hapësirave akomoduese të turizmit familjar.
Zonës i mungojnë aktivitetet kulturore ndërsa shkak mbetet mungesa e fondeve por kjo rrezikon zhdukje të vlerave folklorike, këngëve dhe valleve të zonës, duke e vënë bashkinë përballë sfidës për sigurimin e të ardhurave dhe financimeve në këtë fushë. Mungesa e një biblioteke me libra në të dyja gjuhët është një tjetër mangësi identifikohet në këtë drejtim.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Pustecit kishin të drejtën e votës 4,296 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 2,620 votues, 60.99% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Edmond Themelkoi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 80.97% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
2041 |
79,82% |
12 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
516 |
20,18% |
3 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Edmond Themelkoi, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)