Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia e re Sarandë kufizohet në veri me bashkitë Himarë dhe Delvinë, në jug me bashkinë Konispol, në lindje me bashkinë Finiq dhe në perëndim me detin Jon. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Sarandës. Bashkia e re ka dy njësi administrative, qytetin e Sarandës dhe komunën e Ksamilit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re e Sarandës ka një popullsi prej 20,227 banorësh ndërsa në regjistrin civil rezultojnë si popullsi banuese 50,680 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 58.96 km2. Sipas censusit, densiteti i popullsisë në bashkinë e re është 343 banorë/km2 ndërsa sipas regjistrit civil, popullsia është 859.56 banorë/km2. Bashkia e re është pothuajse tërësisht urbane me përjashtim të fshatrave Shelegar dhe Çukë, ku fshati Çukë është praktikisht sërish zonë urbane pavarësisht denominimit zyrtar. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re Sarandë përbëhet tërësisht nga vija bregdetare nga Koka e Qefalit në veri deri te Kanali i Vivarit në jug, ku shërbimet e turizmit detar dhe kulturor përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave. Fshati i Çukës, i cili u shkëput nga Saranda në vitin 1996 për të kaluar në varësi të komunës Aliko, u rikthye me reformën aktuale në varësi të Sarandës. Asetet kryesore ekonomike të qytetit janë deti, peshkimi, liqeni i Butrintit dhe pasuritë e stërmëdha arkeologjike, parku arkeologjik i Butrintit dhe objekte të tjera të rëndësishme si Manastiri i 40 Shenjtorëve, Kalaja e Lëkurësit, Manastiri i Shën Gjergjit, rrënojat e kalasë së qytetit etj. Në territorin e kësaj bashkie gjenden 118 objekte të regjistruara si monumente kulture të kategorisë së parë.
Si një resurs turistik i paçmueshëm, Saranda dhe Ksamili janë përfshirë nga një bum i paprecedent ndërtimi në shumicën e rasteve pa leje, të cilat kanë shkatërruar një pjesë të madhe të potencialit turistik të qytetit ndërkohë që kanë zhytur në krizë infrastrukturën komunale.
Bashkia e qytetit është përpjekur të lehtësojë trafikun duke vendosur një linjë të rregullt autobusësh nga qyteti i Sarandës deri në Butrint por furnizimi me ujë është një problem permanent dhe qyteti ka krijuar një sistem privat dhe të kushtueshëm të furnizimit me autobote.
Bashkia e re do të ketë në territor të saj edhe liqenin e Butrintit, i cili është një qendër e rëndësishme e prodhimit të midhjeve dhe për peshkimin në pikën e lidhjes me detin.
Gjatë viteve të fundit në kurorën e kodrave mbi Sarandë janë mbjellë rreth 30 mijë pisha e selvi, pemë që synohet të veshin malin e Sarandës dhe t’i japin qytetit një kurorë të gjelbër.
Qyteti është zgjeruar gjatë viteve të fundit përmes ndërtimit të disa rrugëve ku e fundit është rruga numër pesë, e cila synon të lehtësojë trafikun në qendër të qytetit si dhe të rrisë kapacitetet për parkingje.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Ndërtimet pa leje si dhe infrastruktura bazë, përfshirë ujin e pijshëm, largimin e ujërave të zeza, menaxhimi i plazheve publike dhe plazheve që aktualisht shfrytëzohen privatisht, rrugët lidhëse me plazhet relativisht të pakta të qytetit si dhe menaxhimi i mbetjeve të gurta pritet të jenë sfidat kryesore të bashkisë së re.
Qyteti ka nevojë për investime të përmasave të konsiderueshme për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm të zonave të lidhura sakaq me ujësjellësin si dhe të zonave/pallateve dhe objekteve që nuk kanë ende akses në ujësjellës dhe që furnizohen ekskluzivisht me autobote.
Ndalimi i ndërtimeve pa leje, krijimi i hapësirave publike dhe shembja e ndërtimeve pa leje janë gjithashtu sfida të mëdha. Menaxhimi i mbetjeve të gurta të hedhura përgjatë rrugëve kombëtare apo drejtpërsëdrejti në det është një sfidë tjetër.
Përfundimi i sistemit të filtrimit të ujërave të zeza para se të derdhen në det është një punë e domosdoshme për të shmangur degradimin mjedisor.
Menaxhimi i plazheve dhe sigurimi i hapësirave të plazheve për përdorim publik është një sfidë tjetër.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Sarandës kishin të drejtën e votës 43,217 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 16,117 votues, 37.29% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Znj. Floriana Koka të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 54.09% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
9942 |
64,23% |
20 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
4347 |
28,09% |
9 |
Minoriteti Etnik Grek per te Ardhmen |
487 |
3,15% |
1 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
225 |
1,45% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
477 |
3,08% |
1 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Florjana Koka, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)