Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Shkodra kufizohet në veri me Bashkinë e Malësisë së Madhe, në perëndim me Malin e Zi, në lindje me Bashkinë Tropojë, në jug me Bashkinë Vau i Dejës dhe një pjesë e saj me Bashkinë Lezhë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Shkodrës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Bashkia e Shkodrës ka një popullsi prej 135,612 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 200,889 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 872.71 km2, me një densitet prej 230.18 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 155.39 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Bashkia e re e Shkodrës kanë përbërjen e saj 11 njësi administrative, të cilat janë: Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Postribë, Pult, Rrethinat, Shalë, Shosh dhe Velipojë. Ajo ka nën administrimin e saj një qytet dhe 93 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i Bashkisë
Pozita gjeografike e bashkisë së Shkodrës dhe kushtet klimaterike i japin asaj avantazhe në zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit. Brenda një hapësire prej 100 km, rajoni paraqet kushte optimale natyrore për turizëm bregdetar dhe liqenor (Velipoja dhe liqeni i Shkodrës); turizëm malor (Thethi); turizëm kulturor (qyteti i Shkodrës dhe kështjella e Rozafës) si dhe agro-turizëm.
Burimet natyrore, afërsia e kësaj zone me Malin e Zi dhe lidhjet tradicionale me bashkësinë matanë kufirit përbëjnë një mjet tjetër të rëndësishëm për zhvillimin social dhe ekonomik të Shkodrës.
Bashkia e Shkodrës gjatë viteve të fundit ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm në infrastrukturë, por edhe në investime madhore siç janë Ura e Bunës, pika kufitare e Muriqanit, autostrada Shkodër- Hani i Hotit, përfundimi i unazës së qytetit apo ndërtimi i pedonaleve. Megjithatë, mospërfundimi i Bypass- it po e dëmton jo pak liqenin e Shkodrës.
Shërbimet sociale në bashkinë e re janë të lidhura aktualisht vetëm me shpërndarjen e ndihmës ekonomike për familjet e varfra. Shërbimet e tjera sociale mbeten të mangëta. Në të gjithë bashkinë e re ekziston vetëm një qendër rezidenciale për të moshuarit, ku trajtohen njëkohësisht edhe njerëzit me aftësi të kufizuara.
Përmbytjet janë një ndër problemet kryesore të Shkodrës, të cilat shkaktojnë dëme të konsiderueshme në pjesën më të madhe të bashkisë së re. Përballë Bashkisë së re shtohet sfida e zgjidhjes së këtiju problemi, përmes ndërhyrjeve në lumin e Bunës dhe ndërtimit të argjinaturave në lumenjtë Drin dhe Kir.
Gjatë viteve të fundit, në qytetin e Shkodrës ka pasur një hov të biznesit fason, i cili ka ndikuar pozitivisht në zbutjen e papunësisë. Megjithatë, shifrat e papunësisë në Shkodër vijojnë të mbeten të larta. Me reformën administrative nevojitet krijimi i më shumë vendeve të punës dhe lind nevoja e rivalizimit të zonës industriale.
Shkodra është e vetmja qendër universitare në veri të vendit dhe një nga burimet më të rëndësishme (krahas Universitetit të Tiranës) për elitat e shkolluara në këtë pjesë të vendit.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Evitimi i përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës dhe në hyrje të qytetit mbetet një ndër sfidat kryesore me të cilat do të përballet kryebashkiakja e re e Shkodrës. Heqja e Shkodrës nga harta e përmbytjeve kërkon ndërhyrje emergjente dhe të kushtueshme në shtretërit e lumenjve Bunë, Drin dhe Kir.
Bashkia e re do të duhet të zgjidhë paralelisht edhe çështjen e depozitimit të mbetjeve urbane dhe atyre të ngurta, që në mungesë të një landfilli hidhen përgjatë By-passit. Shërbimi i pastrimit dhe shtrirja e tij në të gjithë territorin e bashkisë së re konsiderohet një çështje e rëndësishme dhe komplekse, përsa kohë që shumica e banorëve nuk paguajnë taksën e pastrim-gjelbërimit.
Investimet në fushën e turizmit përmes mbrojtjes së liqenit të Shkodrës dhe mbështetjes së zhvillimit të turizmit malor në parkun kombëtar të Thethit mbetet një tjetër sfidë për Bashkinë e Shkodrës. Për shkak të bllokimit nga dëbora, ky park qëndron i izoluar përgjatë 7-8 muajve të vitit.
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore mbetet edhe për Shkodrën një çështje që kërkon investime të vazhdueshme. Largësia e madhe e disa komunave me qytetin përbën një sfidë me shumë kosto për shkurtimin e këtyre distancave.
Krijimi i klimës së favorshme për biznesin përmes politikave fiskale konsiderohet me dobi të dyfishtë për punësimin dhe zhvillimin ekonomik të Shkodrës. Në të njëjtin drejtim shihet me interes edhe mbështetja e artizanatit tradicional të zonës dhe krijimi i një tregu për këto produkte.
Rivitalizimi i shërbimeve sociale mbetet një çështje e dorës së parë për një bashki të rëndësishme si Shkodra. Në vëmendjen e bashkisë së re duhet të jetë gjithashtu krijimi i qendrave për rininë dhe për moshën e tretë.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Shkodrës kishin të drejtën e votës 157,331 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 70,412 votues, 44.75% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Znj. Voltana Ademi e Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 56.39% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
34416 |
51,14% |
27 |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
29463 |
43,78% |
23 |
Partia Kristian Demokrate e Shqiperise |
750 |
1,11% |
0 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
1677 |
2,49% |
1 |
Partia Bashkimi për te Drejtat e njeriut |
655 |
0,97% |
0 |
Lëvizja Demokratike për Vlera Mirëqenie Progres |
339 |
0,50% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Voltana Ademi, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)