Të dhëna të përgjithshme:
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Vlorës kufizohet në veri me bashkinë Fier, në lindje me bashkinë Selenicë dhe në jug me bashkinë Himarë. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Vlorës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re ka 104.827 banorë. Gjithsesi, në regjistrin civil në këtë bashki rezultojnë si popullsi banuese 194.147 njerëz. Bashkia e re e Vlorës ka një sipërfaqe prej 616.85 km2. Nëse merren parasysh të dhënat e censusit, densiteti i popullsisë në këtë bashki është 169.9 banorë për km2 ndërsa sipas të dhënave të regjistrit civil, densiteti është 314.73 banorë për km2.
Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Vlorë, Orikum , Qendër Vlorë, Novoselë dhe Shushicë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Vlorës dhe qarkut të Vlorës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Vlorë dhe Orikum) dhe 37 fshatra. Në listën e fshatrave përfshihet edhe Sazani. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Vlorës do të përfshijë të gjithë zonën bregdetare nga Lumi i Vjosës në veri deri në Qafën e Llogarasë në jug, duke përfshirë nominalisht gadishullin e Karaburinit dhe Ishullin e Sazanit. Në këtë territor shtrihen tre qendra të rëndësishme të turizmit detar, Vlora, Radhima dhe Orikumi, ndërsa bashkisë i shtohen edhe zonat rurale blegtorale të Tragjasit. Kjo zonë ka në përbërje dhe parkun detaro-bregdetar Sazan-Karaburun, që është i vetmi i këtij lloji në vedin tonë. Zona ka praninë e minorancave etnike, përkatësisht minorancës Greke në zonën e Nartës dhe asaj rome në Novoselë.
Tendencat demografike kanë qenë ato të një qyteti që ka pësuar si emigrimin edhe migrimin nga zonat rurale në atë urbane. Në fshatin Nartë, kemi një pakicë etnike greke dhe kryesisht banorët e këtij fshati jetojnë në shtetin fqinj kurse fshatrat e thella kanë lëvizur drejt Vlorës. Emigrimi i popullsisë dallohet edhe nga diferenca e theksuar mes numrit të popullsisë të regjistruar në gjendjen civile dhe numrit të nxjerrë nga censusi.
Qyteti i Vlorës ka një aktivitet të vogël tregtar përmes Portit të Vlorës, i cili përpunoi 64 mijë tonë mallra gjatë vitit 2013, rreth 1.6 për qind të volumit të mallrave të përpunuara nëpër portet shqiptare.
Vlora ka si burim kryesor ekonomik turizmin dhe bujqësinë e përqendruar te blegtoria dhe ullinjtë. Si një qytet bregdetar, Vlora është edhe një qendër e rëndësishme e peshkimit.
Qytetet e Vlorës dhe të Orikumit si dhe fshati Radhimë janë përfshirë përgjatë dekadës së fundit nga një bum ndërtimi i cili ka krijuar probleme të rënda në mjedis dhe në menaxhimin e mbetjeve të gurta si dhe ka krijuar mbingarkesë të madhe mbi shërbimet publike bazë si rrugët, ujësjellësi dhe kanalizimet.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Menaxhimi urban dhe infrastruktura bazë janë problemet kryesore me të cilat pritet të përballet bashkia e re bashkë me menaxhimin e mbetjeve të gurta apo mbetjeve të zakonshme. Qyteti ka nevojë për një plan urbanistik gjithëpërfshirës për të gjithë vijën bregdetare në mënyrë që të shmangë ndërtimet pa plan, të cilat e bëjnë shtrirjen e shërbimeve komunale më të vështirë.
Furnizimi me ujë dhe ndëtimet e shumta me gropa septike, sidomos përrreth ujësjellësit në Ujin e Ftohtë, janë problematike për zonën. Gjithashtu për t’u theksuar është edhe problemi i manaxhimit të mbetjeve urbane dhe sidomos atyre të gurta në një bashki të pushtuar nga ndërtimet pa leje.
Ndërtimi i bypass-it të Vlorës, i cili synon të shmangë nga qendra e qytetit trafikun drejt zonës së bregut (bashkisë Himarë) dhe që është aktualisht në fazë projektimi mund të zgjidhë një pjesë të problemit, por qyteti nuk ka një plan të qartë të zgjerimit të rrjetit rrugor, veçanërisht përgjatë bregut të detit në drejtim jugor, e cila është zona edhe më e prekur nga ndërtimet me dhe pa leje.
Zhvillimi i një sistemi gjithëpërfshirës të transportit publik për periudhën turistike dhe për vetë banorët, sistem që duhet të përfshijë të gjithë zonën turistike, mund të ndihmojë për të lehtësuar trafikun. Problem mbetet edhe menaxhimi i koncensioneve të ndryshme, sidomos ai lidhur me vendparkimet në qytet.
Një tjetër element shqetësues është edhe rritja e transparencës së Këshillit Bashkiak përmes krijimit të një rrjeti kamerash për transmetimin në kohë të këtyre mbledhjeve.
Ndërsa dy qytetet e bashkisë së re, Vlora dhe Orikumi, kanë probleme të konsiderueshme me ndotjen me karakter urban, zonat rurale të komunave Qendër, Novoselë dhe Shushicë, si dhe zonat rurale që deri tani kanë qenë pjesë e Bashkisë Orikum kanë nevojë për të zhvilluar potencialin e tyre të lartë bujqësor e blegtoral, si dhe mirëmenaxhimin e infrastrukturës bujqësore.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Vlorës kishin të drejtën e votës 153,517 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 53,707 votues, 34.98% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Dritan Leli të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 61.70% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor | Vota | Përqind | Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane | 35553 | 68,68% | 29 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet | 14216 | 27,46% | 11 |
Partia Kristian Demokrate e Shqiperise | 392 | 0,76% | 0 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë | 1361 | 2,63% | 1 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut | 242 | 0,47% | 0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Dritan Leli, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)