Lajm3 Jun 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Gëzim Topçiu-kryetar i Bashkisë së Maliqit

Kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste, Gëzim Topçiu ka tetëfishuar pasurinë e tij përmes kontratave të shit-blerjes së një sipërfaqeje toke si dhe pronave të trashëguara nga bashkëshortja.  

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gëzim Topçiu është kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste, i cili kandidon për mandatin e gjashtë në zgjedhjet e pritshme të 30 qershorit. Ai u zgjodh për herë në parë në krye të Bashkisë së Maliqit në vitin 2000, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi me 52.85% të votave.

Gëzim Topçiu i ka kryer studimet e larta në Institutin Bujqësor të Korçës në vitet 1986-1990. Ai ka punuar si specialist bujqësie në ndërmarrjen e Kullotave në Korçë në periudhën 1990-1995 ndërsa në vitet 1995-2000 është angazhuar në biznes privat.

Topçiu është anëtar i Partisë Socialiste prej vitit 1995 si dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste për rrethin e Korçës. [Lexo CV-në e plotë]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit,  në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Maliqit nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së kryetarit të bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu për vitet 2003-2017.

Kryebashkiaku Topçiu zotëronte pasuri me vlerë 2 milionë lekë në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare është tetëfishuar dhe kap vlerën e 17.3 milionë lekëve. Pasuria e deklaruar përbëhet nga pasuritë e patundshme në vlerën e 12 milionë lekëve si dhe likujditetet bankare prej 5.3 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 31 milionë lekë. Pagat nga funksioni i Z.Topçiu si kryebashkiak dhe i bashkëshortes si edukatore zënë rreth 62% të totalit. Familja Topçiu ka siguruar gjithashtu të ardhura të konsiderueshme nga shitja e një toke në vlerën 7.1 milionë lekë ose 22% e totalit si dhe deklaron të ardhura nga prona të përfituara si rrjedhojë e trashëgimisë.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.

Por analiza cilësore e deklaratave të pasurisë ka identifikuar disa “flamuj të kuq”, të cilët në kushte normale i shtyjnë institucionet shtetërore në verifikime më të thelluara.

Më konkretisht, kryetari i Bashkisë së Maliqit deklaron në vitin 2009 se ka tërhequr 1.4 milionë lekë nga depozita bankare për shpenzime, por shuma e akumuluar në depozita bankare deri në këtë vit është dukshëm më e vogël. Sipas vlerave të deklaruara në vitet 2003-2008, familja Topçiu zotëronte 800 mijë lekë likujditete bankare.

Gjithashtu në vitin 2013, bashkëshortja e kryebashkiakut ka deklaruar tre kontrata shit-blerje me vlerë mbi 1.5 milionë lekë me burim nga dëshmia e trashëgimisë. Megjithatë, deklarimet nuk janë të sakta pasi nuk është e qartë se çfarë pronash janë përfituar apo nëse kontratat kanë qenë për shitje apo për blerje.

Deklarata e pasurise se vitit 2003 

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al