Voltana Ademi ka lindur në Shkodër dhe do të vazhdojë të jetojë në qytetin e saj të lindjes deri pas studimeve të shkollës së mesme. Gjatë viteve të saj të studimit megjithëse e prirur nga shkencat ekzakte, do të jetë nxënëse e shkollës Prenk Jakova, ku do të studjojë për violinë. Violina do të mbetet instrumenti i saj ,por jo pasioni i vetëm. Shkollën e Mesme e kryen në gjimnazin Jordan Misja, një nga gjimnazet më në zë të qytetit, dhe aty merr formë edhe natyra e saj më racionale, sepse në vitin 1993 do të fillojë studimet në Universitetin e Tiranës për Shkenca Kompjuterike.
Gjatë viteve të studimeve interesi i saj do ta çojë të punojë edhe në Shoqatën e të Verbërve, eksperiencë e cila do ti japë dimensione të reja botëkuptimit të saj. Ndërsa natyra e saj kurioze e çon në zgjedhjen e një tjetër fushe studimi, pranë Universitetit Zoja e Këshillit të mirë ku do të diplomohet shkëlqyeshëm duke marrë titullin master në programin“Për Qeverisjen dhe Zhvillimin territorial”, ky profil do të luaj një rol të rëndësishëm për zgjedhjet e saj të mëvonshme në lidhje me karrierën profesionale.
Fillimisht karrierën e saj do ta nisë si lektore në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi. Gjatë kësaj kohe vlen për tu përmendur, që në një moshë shumë të re ka një karrierë inovative dhe të suksesshme në biznesin privat, ajo do të sjellë shërbimin e parë të internetit në qytetin e Shkodrës. Do të punojë si eksperte pranë DLDP-së në fushën e planifikimit strategjik dhe financiar për njësitë e qeverisjes vendore të Shkodrës dhe Lezhës.
Gjithashtu do të punojë si eksperte për hartimin dhe zbatimin e projektit pilot One Stop Shop të komunave Dajç, Bushat dhe Kallmet, për lehtësimin e shërbimeve ndaj banorëve të këtyre zonave.Gjithashtu do të punojë si eksperte në adoptimin e menaxhimit të emergjencave shëndetësore për spitalin rajonal të Shkodrës, i cili përmirëson rrënjësisht shërbimin e urgjencës ndaj qytetarëve.
Voltana Ademi është bashkëautore e një sërë publikimesh në fushën e decantralizimit të pushtetit vendor, në përgatitjen e strategjive të zhvillimit dhe buxhetin afatmesëm për bashkitë dhe komunat. Ajo ka udhëhequr dhe ka punuar për zhvillimin dhe zbatimin e metodologjive të reja, për hartimin e përpunimin e instrumentave të informatizuar me qëllim rritjen e efiçiencës, efikasitetit dhe transparencës gjatë ushtrimit të funksioneve dhe kompetencave nga pushteti vendor dhe ai qendror.
Karriera e saj politike nis në vitin 1996 si anëtare e Partisë Demokratike. Nga viti 2003 deri në vitin 2008 ajo do të drejtojë Forumin e Lidhjes Demokratike të Gruas në Shkodër. Gjatë kësaj kohe është zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar nga viti 2005 deri në vitin 2009. Voltana është zgjedhur anëtare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe ka kryesuar grupin e Këshilltarëve të koalicionit të djathtë gjatë viteve 2007-2010 në këtë Bashki.
Voltana Ademi ka qenë Prefekte e Qarkut të Shkodrës dhe deri në Prill të vitit 2015 ka ushtruar funksionin e deputetes së Partisë Demokratike në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.