Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Peqinit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Krahina e Peqinit është një zonë me histori dhe traditë të lavdishme, e cila nis që nga periudha ilire, me vendbanime dhe fortifikime, të cilat na kanë ardhur deri më sot. Mirëpo, fatkeqësisht, kjo e kaluar e artë shkon në kundërshti të plotë me të tashmen dhe me problemet që hasin banorët e bashkisë së re, e cila përmban qytetin dhe të gjitha fshatrat e ish Rrethit të Peqinit. Problemet janë të shumta dhe më lejoni të jem i sinqertë: shumica e tyre vjen prej mungesës së një vizioni të qartë mbi zhvillimin e kësaj krahine. Unë jam i lindur dhe i rritur në këtë qytet dhe e kam parë përditë, sesi probleme të zgjidhshme me vullnet të mirë, janë lënë pas dore dita ditës duke u shndërruar në një gangrenë për çdo qytetar. Sot, kandidoj për kryetar bashkie, jo thjesht si një jurist, me përvojë në drejtimin e institucioneve publike dhe me një përvojë në administratën e Kuvendit. As thjesht si një djalë Peqini. Sot kandidoj, me frymën e të gjithë atyre të rinjve, të cilët vendosëm të mos e braktisim Shqipërinë, por të qëndrojmë këtu dhe me vullnet e pasion të punojmë për ta bërë atë më të begatë, jo vetëm duke menaxhuar një institucion, por duke menaxhuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve.
Problemi kryesor i krahinës së Peqinit është papunësia, një problem që ka nevojë për vizion për t’u zgjidhur. Gjatë kësaj periudhe, unë kam biseduar me një pjesë të madhe të bashkëqytetarëve të mi, pa dallime kahesh politike dhe gjatë ditëve në vijim do të shpalos programin e plotë elektoral, që do të ketë si qëllim kryesor rritjen e mirëqenies dhe cilësisë së jetës së banorëve. Si kandidat i mazhorancës qeverisëse, kam nisur që tani kontaktet me ministritë përkatëse për realizimin e një sërë projekteve, që do të mundësojnë këtë vizion.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Peqinit?
Përqendrimi im ka për të qenë në disa dimensione. Pikësëpari, është e domosdoshme të zgjidhet njëherë e përgjithmonë infrastruktura rrugore, në qytet dhe sidomos në hapësirën rurale, një infrastrukturë e lënë pas dore në të gjithë hapësirën e saj. Dhe kjo infrastrukturë ka sjellë pasoja të gjithanshme në mirëqenien e qytetarëve, në punësimin e tyre, në zhvillimin ekonomik të zonës. Si hapësirë kryesisht bujqësore, ne shohim se kostot e produkteve rriten artificialisht për shkak të kësaj mungese. Se nuk hapen vende të reja pune, për shkak të mungesës së një pike grumbullimi të organizuar, çka do të rriste mirëqenien në qytet dhe në fshat.
Qyteti i Peqinit ka mangësi në ndriçimin publik. Dhe ky fakt është i papranueshëm, teksa kërkon një investim jo dhe aq të madh. Vullnetin e plotë e kemi, që brenda dy viteve të para të qeverisjes së bashkisë, ky problem t’i përkas të shkuarës
Po ashtu, sistemi i vaditjes është i amortizuar e herë-herë inekzistent. Unë kam nisur kontaktet me qeverisjen qendrore, që ky të jetë një ndër investimet e para madhore në zonën tonë. Ndërkaq, po punojmë së bashku me autoritetet qendrore që t’i japim Ujësjellësit një model më efikas menaxhimi. Po ashtu, me thithjen e investimeve të huaja, nëpërmjet ngritjes së strukturave të reja pranë bashkisë, si Agjencia Rajonale e Zhvillimit Ekonomik, do të mund të koordinojmë të gjitha hapësirat monetare, në mënyrë që në krye të mandatit, Peqini të ketë ujë të pijshëm 24 orë në 24.
Po ashtu, infrastruktura e ndërtesave shkollore, me përjashtim të dy tre shkollave në Peqin e ndonjë fshat përreth, është në gjendje të mjeruar. Mjafton të shohim shkollën e Pasabezës, apo murin rrethues të gjimnazit të Pajovës, për të kuptuar se nxënësit nuk kanë as kushtet minimale në pikëpamjen infrastrukturore. Unë i garantoj bashkëqytetarët e mi, se do të gjejmë fondet e nevojshme në vitet e para të menaxhimit të bashkisë, qoftë nga qeveria qendrore, qoftë nga fonde të huaja, për ta rregulluar këtë problem.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Peqinit dhe cilat janë ato?
Ka një listë me kritere të qarta: vajza dhe djem të mirëarsimuar, me përvojë në menaxhim dhe mbi të gjitha me vullnet të plotë për ta kthyer Peqinin në vendin ku do të jetojnë përjetë. Kemi parë shumë herë se si ish punonjës të pushtetit vendor, ikin nga qytetet e tyre menjëherë sapo përfundojnë mandatin dhe kjo tregon pikërisht se ata nuk kanë punuar për Peqinin, por për veten. Kështu, energjia dhe vullneti për ndryshim është kriteri parësor që ne do të ndjekim.
Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)
Unë do të punoj në dy drejtime, me gjithë ekipin tim. Së pari, administratorët e komunave aktuale do të kenë si qëllim të parin dhe më kryesorin komunikimin e vazhdueshëm me qytetarët mbi problemet reale të tyre. Roli i administratorëve (kryepleqve) duhet riparë, në mënyrë që ata të jenë realisht përçimi i zërit të qytetarëve në vendimmarrje. Drejtimi i dytë ka të bëjë me konsultimin publik. Të gjitha vendimet kryesore, përpara se të miratohen, do të konsultohen me banorët e atyre fshatrave, apo atyre lagjeve të qytetit të cilat i prek. Në rastin e buxhetit, planit urbanistik, apo vendimeve të tjera të këtyre përmasave, do të ketë konsultim lagje më lagje e fshat më fshat për të marrë mendimin e qytetarëve, në mënyrë që vendimi final të jetë një produkt i përbashkët i të gjithë peqinasve. Së fundmi, ashtu sikurse shumë prej bashkëqytetarëve të mi e dinë, telefoni im është gjithnjë i hapur për problemet e kujtdo.
Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, mbështetjen e bujqësisë e blegtorisë dhe nxitjen e tregtimit të produkteve të zonës gjatë mandatit të parë? A keni një plan konkret për ngritjen e një pike grumbullimi për prodhimet bujqësore dhe blegtorale të zonës për nxitjen e tregtisë së tyre?
Mbi infrastrukturën dhe pikën e grumbullimit fola dhe pak më parë. Do të doja të përqendrohesha te një çështje që i përket më së shumti vizionit, sesa fondeve konkrete. Zona jonë njihet për dy prodhime cilësore: gjelin e detit dhe vajin e ullirit. i kemi të gjitha mundësitë që këto dy pika të forta të zonës sonë t’i kthejmë në atraksion për të gjithë vendin. Unë do të punoj që të mund t’i marketojmë këto dy produkte, në atë formë, që vlera e tyre të rritet. Disa zona e kanë arritur, si Kukësi me pataten, apo Korça me mollën. Ne nuk kemi asnjë mangësi në këtë drejtim, e vetmja çka ka munguar është vizioni i qartë për promovimin e këtyre produkteve. Ky promovim do të ndikojë edhe në zhvillimin e agroturizmit, që deri më sot është inekzistent, por që do të mund të thithë fonde dhe të krijojë vende të reja pune.