Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Mirdita kufizohet në veri me Bashkitë e Fushë Arrësit dhe Pukës, në perëndim me të Lezhës dhe në lindje me Bashkinë e Kukësit. Në jug-lindje me bashkinë Dibër, në jug me Bashkinë Mat ndërsa në jug-perëndim me bashkinë Kurbin. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Rrëshenit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Mirdita ka 22,103 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 37,384 banorë. Me një sipërfaqe prej 869.71 km2, bashkia e re ka një densitet prej 42.98 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 24.64 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Kjo bashki përbëhet nga 7 njësi administrative, të cilat janë: Rrësheni, Rubiku, Selitë, Kthellë, Fan, Orosh dhe Kaçinar. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Mirditës dhe qarkut të Kukësit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj katër qytete (Rrëshen, Rubik, Kurbnesh dhe Reps) dhe 81 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Mirditës shtrihet në një territor me trashëgimi të larmishme kulturore dhe etnografike, ndërkohë që nëntoka e saj është gjithashtu e pasur me minerale. Mirdita mori rëndësi si rrugë kalimi dhe si porta natyrore hyrëse për në Kosovë, pas ndërtimit të autostradës A1. Rruga e Kombit përfundoi së ndërtuari në vitin 2009, megjithatë nuk dha efektet e pritshme për banorët e Mirditës. Përveç cilësisë së udhëtimit, kjo rrugë solli një impakt modest për zhvillimin social-ekonomik të zonës.
Mirdita është një zonë kryesisht bujqësore dhe blegtorale, ndërkohë që vreshtaria paraqet veprimtarinë prodhuese më kompetitive, me një treg të sigurt dhe mjaft atraktiv për vendin, rajonin dhe më gjerë.
Sipërfaqja e pyjeve në bashkinë e Mirditës është 10 herë më e madhe se fondi i tokës bujqësore. Për këtë arsye, problemet ekologjike të zonës, të tilla si përpunimi i drurit, ai i frutave të pyllit, prodhimi i lëngjeve vitaminore dhe zhvillimi i gjuetisë sportive janë të lidhura me pyjet.
Një nga fushat më interesante është edhe shfrytëzimi i kapaciteteve hidro – energjetike të lumenjve të Fanit të madh dhe Fanit të vogël, Urakës, Zallit të Dodajve, dhe përrenjve të tjerë malorë, ku vlerësohet se mund të sigurohen kapacitete prodhuese energjetike deri në 60 MË/H. Këto burime hidrike mund të shfrytëzohen mjaft mirë për prodhime të faunës ujore (iktinologjike), si burime financiare me nivel të lartë të leverdisë ekonomike. Këto basene të mëdha ujore do të rregullonin edhe luhatjet ekstreme të temperaturave dhe të lagështisë ajrore të Rrëshenit dhe zonës përreth.
Pasuritë e mëdha nëntokësore të Mirditës kanë bërë që në territorin e kësaj krahine të krijohen katër qytete, të cilat janë të lidhura me industrinë minerare. Pjesa më e madhe e kësaj industrie është e mbyllur tashmë. Krahina e Mirditës shënoi një ndër nivelet më të larta të migrimit të brendshëm përgjatë 25 viteve të fundit si dhe të emigrimit.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Sfida kryesore për bashkinë e re të Mirditës konsiderohet zbutja e varfërisë ekstreme, duke afruar shërbimet sociale sipas një skeme efikase edhe në fshatin më të largët.
Punësimi real do të duhej të zhvendosej nga mbushja e zyrave me militantë partiakë tek krijimi i një mjedisi të favorshëm dhe konkurrues për sipërmarrjet vendase, punishtet e zejtarisë dhe zhvillimit të agroturizmit përmes fermave të vogla.
Zona është e favorshme për zhvillimin e vreshtarisë, serave, pemëtarisë, blegtorisë dhe agroturizmit, por nevojitet një skemë mbështetjeje për fermerët e zonës.
Ndërhyrja e shpejtë në rrugët dytësore që lidhin Selitën me Lurën konsiderohet një projekt i domosdoshëm për zhvillimin turistik të zonës. Me rëndësi mbetet rivitalizimi i rrugëve lidhëse me autostradën për qytetet e Rrëshenit, Rubikut, Repsit.
Një projekt me rëndësi për Bashkinë e Mirditës do të ishte gjithashtu inventarizimi i çdo pasurie kulturore dhe historike si dhe rivitalizimi i Muzeut Historik me seksione të reja për klerin e Mirditës dhe rezistencën e tij gjatë regjimit komunist.
Trajtimi i mbetjeve teknologjike minerare është një problem i mbartur prej kohësh në Mirditë, i kërkon zgjidhje të shpejtë. Ujërat e galerive, “lëngjet e verdha” kancerogjene dhe shirat acide janë kthyer në një problem shqetësues për banorët e këtyre zonave.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Mirditës kishin të drejtën e votës 28,158 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 15,367 votues, 54.57% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Ndrec Dedaj të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 37.24% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Mirditë (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
9228 |
61,41% |
15 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
2940 |
19,56% |
4 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
1141 |
7,59% |
1 |
Gjon Pjetër Pjetri |
599 |
3,99% |
1 |
Luan Frrok Fufi |
414 |
2,76% |
0 |
Partia Kristian Demokrate e Shqiperise |
371 |
2,47% |
0 |
Madalena Mark Nikolli |
248 |
1,65% |
0 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
86 |
0,57% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Ndrec Dedaj, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)