Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Mati kufizohet në veri me bashkinë e Mirditës, në perëndim me bashkinë e Kurbinit, në jug-perëndim me bashkinë Krujë, në jug me bashkinë Klos dhe në lindje me Bashkinë Dibër. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Burrelit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 27,260 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 38,615 banorë. Bashkia e re ka në një sipërfaqe prej 493.5 km2. Në bazë të të dhënave të censusit densiteti i popullsisë është 55.23 banorë/ km2 ndërsa në bazë të të thënave të regjistrit civil, densiteti është 78.24 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Burrel, Baz, Derjan, Rukaj, Macukull, Komsi, Lis dhe Ulëz. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Mat dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 46 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re shtrihet thuajse në të njëjtin territor me krahinën etnografike të Matit dhe ka terren kodrinor dhe malor. Ajo shtrihet në të dyja krahët e lumit Mat dhe pyjet zënë pjesën më të madhe të territorit të bashkisë së re. Shfrytëzimi i pyjeve për industrinë e drurit është aktualisht i kufizuar, paasi pyjet e vjetra janë dëmtuar rëndë nga prerjet pa kriter dhe një pjesë e madhe e sipërfaqes pyjore është aktualisht në fazë rigjenerimi.
Bashkia e re ka pjesë të saj parkun rajonal natyror Ulëz si dhe dy liqenet artificiale, Ulëza dhe Shkopeti, të ndërtuara për prodhimin e energjisë elektrike.
Relievi dhe klima mesdhetare mjaft e favorshme, e cila karakterizohet nga vera e nxehtë dhe e thatë me shkëlqim të madh të diellit dhe nga dimri relativisht i butë në luginën e Matit krijon kushte mjaft të favorshme për zhvillimin e bujqësisë, frutikulturës dhe blegtorisë, përcakton si burime kryesore gjeneruese ekonomiko-financiare, bujqësinë dhe blegtorinë.
Qyteti i Burrelit u ndërtua i lidhur me industrinë e pasurimit të kromit, e cila është aktualisht në proces për riaktivizim. Gjithsesi kjo industri nuk është në gjendje të kthehet në burim të rëndësishëm punësimi për qytetin, që aktualisht ka rreth 11 mijë banorë.
Zona e Matit ka tërhequr gjatë viteve të fundit një numër të vogël turistësh të aventurës dhe ecjes në mal për shkak të relievit shumë tërheqës malor.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Bashkia e Matit pritet të ketë një bazë të ulët taksimi, ndërsa ndërtimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës, veçanërisht rrugët lidhëse me fshatrat pritet të jetë një sfidë e vështirë.
Për shkak të numrit të madh të fshatrave, terrenit të thyer malor dhe densitetit të ulët të popullsisë, mirëmbajtja e infrasrukturës pritet të ketë një kosto më të lartë se sa në zonat e ulëta.
Një shqetësim për banorët e zonës përbën fakti që sistemi i transportit publik nga fshatrat për te shkollat apo qendrat shëndetësore është i dobët, gjë që ka sjellë vështirësi në arsimim dhe në kujdesin shëndetësor të banorëve.
Mbrojtja e pyjeve dhe shfrytëzimi i tyre i kujdesshëm dhe me transparencë përbën një sfidë tjetër për bashkinë e re si dhe një mundësi për zhvillimin ekonomik të zonës.
Për banorët e Burrelit ka rëndësi vënia në eficencë e qendrës rinore me synimin e rigjallërimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Matit kishin të drejtën e votës 29,297 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 16,724 votues, 57.08% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Nezir Rizvani të Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 50.55% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Mat (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
9151 |
56,90% |
12 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
6519 |
40,53% |
9 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
305 |
1,90% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
109 |
0,68% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Nezir Rizvani, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)