Don't miss:  Reporter.al
more
Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us 
Published by
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë Rreth Faqes Kontaktoni
News14 Nov 2016

Skulpturat e parkut në Durrës, pa inventar dhe në rrezik

Popullimi i qytetit me skulptura parku gjatë viteve të fundit   – të cilat kanë rënë shpesh pre e grabitësve të skrapit – nuk është bërë me një plan të mirëpërcaktuar, ndërkohë që shumica nuk janë kartelizuar akoma në fondin e kulturës kombëtare.

Author: Gëzim Kabashi | BIRN | Durrës
Print

Skulptura e peshkatarit në shëtitoren Taulantia | Foto nga : Gëzim Kabashi

Skulptura e peshkatarit në shëtitoren Taulantia | Foto nga : Gëzim Kabashi

Gjatë  viteve të fundit në Durrës është dyfishuar numri i skulpturave të parkut, por vendosja e tyre shpesh herë është bërë pa kritere të qarta. Ndërkaq, puna e nisur për kartelizimin e monumenteve të kulturës dhe objekteve historike synohet që të vijojë edhe me të gjitha skulpturat e qytetit bregdetar.

Në drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) mësohet se tashmë në të gjithë territorin që mbulon kjo drejtori ka përfunduar përgatitja e kartelave të përshkrimit dhe vendndodhjes së monumenteve historike dhe arkeologjike.

“Kjo e lehtëson njohjen dhe ruajtjen e këtyre monumenteve-thotë për BIRN, drejtori I DRKK, Ledion Lako, I cili shton se tashmë punohet intensivisht për identifikimin dhe “pasaportizimin” e të gjitha objekteve të këtij lloji, që shpesh herë ndodhen edhe në oborret apo shtëpitë e qytetarëve.

“Gjithçka është realizuar sipas standardeve evropiane dhe kartelat do të jenë të gjitha në dispozicion të Ministrisë së Kulturës-shprehet drejtori Lako.

Situata nuk është e njëjtë me skulpturat e parkut në Durrës, pronësia mbi të cilat duket mjaft evazive, ndërsa zbatimi i projekteve ndërtimore mund ti lëvizë ato nga një vend në tjetrin.

Bashkia e qytetit me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë mbështeti instalimin e bustit të Ismail Qemalit, pikërisht në hyrjen kryesore të portit detar. Vetëm katër vjet më vonë ai duhet të hiqet prej aty, duke i hapur rrugë realizimit të një projekti infrastrukturor turistik shumëmilionësh. Të njejtin fat duket se do të ketë edhe busti i Dom Nikoll Kaçorrit, zëvendës-kryeministrit të qeverisë së Vlorës.

Arsyeja e zhvendosjes të monumentit të Kaçorrit është krejtësisht tjetër. Vitet e fundit busti i tij vetmitar në një lulishte u rrethua nga figurat prej bronxi të katër prej yjeve ndërkombëtarë të muzikës rok dhe pop. Xhon Lenon, Tina Tërner, Mik Xheger si dhe Nobelisti i saposhpallur Bob Dilan, në vetëm pak metra katrore janë kthyer në fqinjët e priftit katolik, që përveç detyrës shpirtërore, 100 vjet më parë ishte edhe përfaqësuesi i banorëve të Durrësit në qeverinë e formuar në Vlorë. Një grup intelektualësh të qytetit i ka sugjeruar bashkisë që të gjejë një zgjidhje tjetër për instalimin e figurave historike dhe atyre artistike.

Pushteti vendor ka financuar realizimin e disa prej këtyre monumenteve, por deri tani instalimi i veprave të artit ka qenë rastësor, ose është kryer sipas dëshirës së vetë autorëve.  Në shëtitoren bregdetare për instalimin e dy gladiatorëve, punuar nga Janaq Paço, u shfrytëzuan platforma prej betoni, ndërtuar në vitet 1970, me qëllim krijimin e një parku arkeologjik bregdetar.

Në të njëjtën linjë këtë vit u vendosën të paktën tre vepra të tjera me stile krejt të ndryshme. Një tjetër pranë mureve mesjetare, shoqëron bustin e Idriz Balanit, vepër që i kushtohet skulptorit durrsak Sabri Tuçi. Koka prej bronxi e monumentit disa vjet më parë u grabit nga keqbërësit, të cilët e shitën për skrap në periferi të qytetit. Dëmtimeve të vazhdueshme i janë nënshtruar edhe figurat shtatlarta të gladiatorëve, herë duke u thyer shpatat e herë të tjera duke sharruar mburojat prej betoni artistik. Skulptorët durrsakë të DRKK, në vlerësim të autorit kanë ndërhyrë për të riparuar dëmtimet, njëlloj siç u bë edhe për të rikthyer në gjendjen e parë figurën prej bronxi të peshkatarit në shëtitoren bregdetare.

Megjithë vërejtjet për vendvendosjen apo dëmtimet, qytetarët durrsakë i kanë mirëpritur skulpturat që janë vendosur në hapësirat kryesore të qendrës dhe bregdetit.  Përveç ndërgjegjësimit të banorëve, ruajtjes së tyre duhet ti shërbejë edhe “pasaportizimi” dhe inventarizimi i skulpturave të qytetit bregdetar.

Skuptura e Xhon Lenon, nga skulptori Qazim Kërtusha | Foto nga : Gëzim Kabashi

Skuptura e Xhon Lenon, nga skulptori Qazim Kërtusha | Foto nga : Gëzim Kabashi

Skulptura 'Kushtuar Familjes' në buzë detit 'Taulantia'| Foto nga : Gëzim Kabashi

Skulptura ‘Kushtuar Familjes’ në buzë detit ‘Taulantia’| Foto nga : Gëzim Kabashi

ABOUT THE AUTHOR

Gëzim Kabashi

Gëzim Kabashi është gazetar në profesion të lirë në qytetin e Durrësit. Për shumë vite ai ka punuar si korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ATSH.

Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us: Reporter.al | Facebook | Twitter | Google+
© 2014 All Rights Reserved.