Don't miss:  Reporter.al
more
Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us 
Published by
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë Rreth Faqes Kontaktoni
News7 Aug 2017

Bienalja e muzikës klasike sjell tingullin e humbur të kitarres së ‘burgosur’

Një kitarrë e përdour për 22 vjet në burgjet e diktaturës ka qenë të dielën protagoniste e koncertit me temë “Në kërkim të muzikës së humbur”, që u organizua në Durrës në kuadër të Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.

Author: Gëzim Kabashi | BIRN | Durrës
Print

Ish i burgosuri politik Gezim Çela dhe drejtori artistik i Bienales, Florian Vlashi | Foto nga : Gezim Kabashi

Ish i burgosuri politik Gezim Çela dhe drejtori artistik i Bienales, Florian Vlashi | Foto nga : Gezim Kabashi

Instrumenti i përket një ish-të dënuari gjatë periudhës së komunizmit, i cili vijon ta ruajë me fanatizëm kitarrën që ua lehtësoi dhimbjen në ditët e rënda të burgimit në Spaç, Tiranë dhe Zejmen.

Organizatori i Bienales, Florian Vlashi prezantoi z. Gëzim Çela, i dënuar me 21 vite burgimi, kitarrën e të cilit e ruajtën shokët e tij edhe në periudhat e shkurtra nga njëri dënim në tjetrin. 85-vjeçari Çela tregoi se kitarra ka mbërritur në burg në vitin 1963, si shenjë kujdesi e nënës së tij dhe këngëtares së shquar Vaçe Zela,  shoqe e fëmijërisë së tij në qytetin e Lushnjes.

Duke cituar një artist të madh, Vlashi tha se kitarra merr shumë nga instrumentisti që interpreton me të, por pas një kalvari të gjatë ky instrument tashmë është mjaft delikat dhe i brishtë.

Drejtori artistik i Bienales kërkoi qetësinë e të pranishmëve, duke ia besuar instrumentin e veçantë studentit të Akademisë së Arteve, Adrian Plakalli, i cili luajti një pjesë spanjolle shkruar nga një autor anonim.

Dëgjuesit e shumtë që kishin mbushur sallën e Muzeut Arkeologjik të Durrësit ndoqën me emocion edhe interpretimin e këngëve dhe romancave nga soprano Eva Golemi. “N’at zaman t’asaj furie” dhe “Kajrafil të zgjodha” nga Palok Kurti, “Djaloshare” nga Tonin Harapi, “Eja vashë” nga Lola Gjoka, “Turtulleshë” nga Ramadan Sokoli dhe “Dielli ka prenu” e “Margjelo” nga Prenk Jakova erdhën plot ndjenjë dhe profesionalizëm nga këngëtarja e njohur.

Ndërkaq studiuesi Edmond Buharaja vlerësoi rëndësinë e autorëve të zgjedhur për koncertin, por edhe persekutimin ndaj tyre në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Ramadan Sokoli, etnomuzikologu I shquar, u burgos në vitin 1945, menjëherë pas ardhjes në Shqipëri nga studimet muzikore në Firence. Muzika e artistëve  babë e bir Palok dhe Lec Kurti u nënçmua dhe u paraqit si veprimtari anonime për dekada me radhë. Paloka ishte i pari muzikant që duke e shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në nota dhe e ekzekutoi, duke hedhur bazat e krijimit të artit të kultivuar shqiptar. Në arkivin familjaër të Kurtëve gjenden thesare të krijimtarisë së tyre.

Studentët Roland Deda në violin dhe Nancy Kume në piano interpretuan veprat e Lec Kurtit, Romancë dhe Sonatë për violinë dhe piano (1915).

Bienalja vazhdon të hënën në mbrëmje në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku pianisti francez Daniel del Pino do të luajë vepra nga Albeniz dhe Listz në mbrëmjen e titulluar “Vitet e Pelegrinazhit”.

ABOUT THE AUTHOR

Gëzim Kabashi

Gëzim Kabashi është gazetar në profesion të lirë në qytetin e Durrësit. Për shumë vite ai ka punuar si korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ATSH.

Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us: Reporter.al | Facebook | Twitter | Google+
© 2014 All Rights Reserved.