Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Fredi Kokoneshi u zgjodh kryetar i bashkisë Divjakë në vitin 2015-të me 66.79 % të votave.
Kokoneshi ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Forcave Tokësore pranë Akademisë Ushtarake Skënderbej në Tiranë. Sipas CV-së së kryebashkiakut, nga viti 1997 deri në vitin 2006 ai ka punuar si inspektor në Degën e Tatim-Taksave në Lushnje dhe gjithashtu ka administruar një biznes privat deri në vitin 2011, vit në të cilin ai është zgjedhur për herë të parë kryetar i bashkisë Divjakë.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryebashkiaku i Divjakës nga viti 2011 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Para fillimit të detyrës në vitin 2011, kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi kishte një pasuri familjare të barabartë me 16.4 milionë lekë. Në 31 dhjetor 2017, pasuria familjare e deklaruar e subjektit kap një vlerë prej 29.9 milionë lekë, duke regjistruar një rritje vjetore mesatare prej 2.25 milionë lekë.
Pasuria e subjektit në fund të vitit 2017, përbëhet nga 10.1 milionë lekë likuiditete në bankë, 4.4 milionë lekë likuiditet cash, 200 mijë lekë pasuri të luajtshme dhe 10.2 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe huadhënie në vlerë 3 milionë lekë.
Pasuritë e paluajtshme të subjektit përbëhen nga një shtëpi banime me sipërfaqe 300 m2, ndërtuar nga viti 1994 deri në vitin 1997 me kursime nga emigracioni dhe vlerë 5.4 milionë lekë. Gjithashtu Kokoneshi ka në pronësi 37112 m2 tokë bujqësore me vlerë 4.8 milionë lekë.
Gjatë periudhës si kryetar bashkie nga viti 2011 deri në vitin 2017, subjekti ka pasur të ardhura me vlerë 28.3 milionë lekë, nga të cilat 21 milionë lekë ose 75 % vijnë si rezultat i të ardhurave nga toka bujqësore.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit, të cilat rezultojnë pa probleme.
Megjithatë, në analizën cilësore të deklaratave u identifikuan disa “flamuj të kuq”. Subjekti Fredi Kokoneshi ka deklaruar pasurinë si Oficer i Policisë Tatimore pranë Degës së Tatimeve Lushnje për periudhën 2004-2006, por pasuria e plotë që disponon subjekti dhe familjarët e tij është pasqyruar në deklaratën Para Fillimit të Detyrës 2011 në shumën 16,4 milionë lekë dhe burimi financiar i deklaruar janë kryesisht të ardhurat nga biznesi dhe toka bujqësore.
Gjendja Cash e deklaruar periodikisht nga subjekti dhe bashkëshortja e tij është në shumën 4,4 milionë lekë, shumë cila kalon limitin e lejuar të mbajtjes gjendje cash sipas nenit 4/1 të ligjit Nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar (kufiri i lejuar për t’u mbajtur Cash është 1,5 milionë lekë). Subjekti ka deklaruar huadhënië personit fizik në total shumën 3 milionë lekë, e cila nuk është kthyer deri në fund të periudhës deklaruese.
Deklarata e pasurisë e vitit 2004
Deklarata e pasurisë e vitit 2005
Deklarata e pasurisë e vitit 2006
Deklarata e para fillimit të detyrës e vitit 2011
Deklarata e pasurisë e vitit 2012
Deklarata e pasurisë e vitit 2013
Deklarata e pasurisë e vitit 2014
Deklarata e pasurisë e vitit 2015
Deklarata e pasurisë e vitit 2016
Deklarata e pasurisë e vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al