Lindur më 10 Shkurt 1965, Librazhd
Profesioni: Mjek
I diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1988 Fadil Brazhda ka vijuar specializimin pranë QSUT Tiranë në degën e Pediatrisë së Përgjithshme. Ai ka punuar si mjek familje në komunën Qendër, Librazhd dhe nga viti 1998 deri në vitin 2000 mjek pediatër në spitalin e Librazhdit. Në vitin 2001, z. Brazhda u transferua si mjek në spitalin “Xhaferr Kongoli”, Elbasan. Në vitin 2003 ka mbaruar kualifikimin në fushën e Neuropediatrisë pranë sherbimit te specialiteteve pediatrike, Tiranë. Që prej viti 2005 dhe në vazhdim punon si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Infermierisë “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.
Brazhda njihet për përkushtimin dhe seriozitetin në detyrën e tij si mjek dhe ngritjen e një komunikimi vecanërisht social me njerëzit në nevojë. Ai ka kryer një sërë kualifikimesh në Institutin e Shëndetit Publik Tiranë, në Universitetin “Zoja e Këshillit te Mirë”, si dhe në disa vende të Ballkanit, për menaxhim spitalor. Për disa kohë ka drejtuar dhe Institutin e Shendetit Publik të Elbasanit. Është autori i disa artikujve shkencorë brenda dhe jashtë Shqipërisë në fushën e pediatrisë.
Janë këto cilësi dhe kjo përvojë pranë njerëzve që e kanë nxitur z. Brazhda për të marrë përgjegjësinë e përballjes së sfidave që kërkon zhvillimi i Librazhdit, për të ndjekur dhe për tu përkujdesur për tërësinë e problemeve të komunitetit.
