Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Cërrik?
Një nga premtimet kryesore të miat gjatë fushatës ishte për infrastrukturën rrugore. Falë ARRSH, ministrisë së Transporteve dhe falë projekteve tona si bashki, infrastruktura në Bashkinë Cërrik mund të quhet e përfunduar me përfundimin e aksit të fundit rrugor Cërrik-Mollas. Bashkë me rrugën është investuar në kanalizime, ndriçim, vendosje e kabujve e optikë duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve. Premtimi i dytë i suksesshëm ishte ardhja e fasonëve në Bashkinë e Cërrikut. Sot janë punësuar rreth 100 punëtorë. Është historike hapja e fasonerisë pasi Cërriku nuk ka pasur asnjëherë fasoneri dhe brenda 2019 numri i të punësuarve do të shkojmë deri në 700.
Po kështu kam premtuar investim në shkollën profesionale duke formuar të rinj me zanate të kërkuar në treg. Kemi arritur të bëjmë binjakëzimin e shkollës profesionale “Mihal Shahini” me shkollën më të mirë profesionale në Europë siç është ajo e Emiglia Romagnia. Duke filluar nga shtatori të gjithë nxënësit e kësaj shkolle do të kenë veç gjuhës italiane si gjuhë të parë të huaj edhe një profil të hotelerisë dhe agroturizmit.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Sa i përket dëgjesave publike veç faqes së facebook ku kemi shpallur 100 sfidat tona kemi bërë edhe shumë dëgjesa publike. Prioritetet nuk i zgjedhim ne por ecim në bazë të kërkesave të qytetarëve, të cilat pasi i vlerësojmë i zgjidhim. Është një buxhetim online me pjesëmarrjen e qytetarëve. Ne mund të bëjmë një parashikim të atyre çfarë kërkon bashkia e madhe, por kur kërkesat vijnë nga qytetarët është gjëja më e mirë pasi ai i prek më shumë problemet. Deri tani kemi arritur në 73 sfida të njohura dhe mbi 40 sfida të realizuara. Jemi duke mbledhur 26 sfida të përbashkëta dhe do t’i publikojmë që banorët të njihen me to. Për konsultimet publike kemi bërë më shumë se 10 ose 11 dëgjesa publike lidhur me planin e përgjithshëm vendor. Jemi munduar të mos i bëjmë vetëm në Cërrik, por edhe në Mollas, Gostimë, Shalës. Në këto dëgjesa publike në vazhdim ne do të bëjmë të ditur se sa është buxheti, sa është potenciali i mbledhjes së taksave, sa është granti historik dhe çfarë mund të bëjmë ne për të grumbulluar më shumë në vazhdim.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Një nga sfidat kryesore mbetet punësimi. Punësimi është ajo pjesë më problematike veçanërisht në Cërrik. Jemi duke lobuar me një firmë gjermane të fasonëve dhe them që shumë shpejt do të jenë në Cërrik duke punësuar edhe shumë gra dhe vajza. Në mbjelljen e radhës së duhanit mund të kultivojmë një lloj tjetër duhani i njohur si ‘virgjin’. Jemi duke bashkëpunuar me një firmë të huaj dhe kemi mbjellë një parcelë eksperimentale. Deri tani ka dhënë rezultat mjaft të mirë. Ne synojmë të anashkalojmë kompaninë e vetme të duhanit Mika Korça pasi ajo nuk është treguar korrekte me kultivuesit e duhanit. Njëkohësisht ky lloj duhani ka më pak punë dhe nuk duhet përpunuar siç ndodh me duhanin tradicional. Nga kjo marrëveshje mund të punësohen deri në 100 persona që do të merren me tharjen e duhanit në furra të veçanta. Sfida e tretë është përmirësimi i shërbimeve të ujësjellësve me një rrjet të mirë furnizimi me ujë të banorëve.
Çfarë po bëhet me planin e ri urbanistik? A janë përcaktuar objektet që do të prishen dhe a janë informuar grupet e interesit për këtë?
Plani i rehabilitimit të qendrës së qytetit që përmbledh rrugën hyrëse, parkun çlodhës të Cërrikut. Jemi duke detajuar më shumë plane se çfarë do të bëjmë e do të shpallim trajektoren e ndërhyrjeve dhe ndërtesat që mund të preken. Është diskutuar në këshill dhe është një nga vendimet e marra në unanimitet edhe të majtë e të djathtë duke identifikuar nevojën e ndërhyrjes në qendër. Do ketë konsultim publik edhe me banorët për këtë gjë.
Banorët ankohen për sistem të amortizuar të ujit të pijshëm sidomos në lagjen nr. 3 ku duhet ti përballojë vetë ndërhyrjet. çfarë po bëhet në drejtim përmirësimit të furnizimit me ujë të pijshëm?
Cërriku në përgjithësi dhe veçanërisht lagjja nr.3 ka një sistem tepër të amortizuar të ujësjellësit. Unë kam shkelur zonën dhe i kam parë nga afër nevojat e tyre. Rrjeti është tepër i amortizuar por ne kemi realizuar një investim në ujësjellës dhe kjo lagje do të furnizohet me 24 orë ujë të pijshëm me investimin e ri që u realizua. Një pjesë e madhe të ndërhyrjeve për tubacionet nga kolektori deri tek familjet jemi duke i kompensuar, por detyra dhe shpenzimet i takojnë konsumatorit në bazë të ligjit. Ne i kemi ndihmuar duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike të kësaj lagjeje.
Çfarë është bërë për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të qytetit të Cërrikut?
Jemi duke menduar për një fond të veçantë për projektimin e këtyre lagjeve dhe nëpërmjet projekteve të lobojmë dhe aplikojmë për investime pasi nëse do të mbështetemi vetëm tek të ardhurat tona nuk do të mund të realizojmë gjë. Mendojmë se me anë të projekteve do të arrijmë të fitojmë investime edhe për rrugica dhe sheshet e pallateve.
A janë ndërmarrë hapa konkrete për sigurimin e një pike grumbullimi për produktet vendase dhe sigurimin e tregtimit të tyre?
Është e vërtetë që unë e kam premtuar. Sot që ne flasim kemi një nismë dhe në 18 korrik fillon një projekt prej 50 mln lekësh në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe programin IACA. Nëpërmjet këtij programi do të realizohet një qendër grumbullimi me një dhomë frigoriferike 300 m3 sipërfaqe. Një ndër pikat më të rëndësishme të kësaj qendre grumbullimi do të jetë garantimi i markës. Do të ketë një markë të përbashkët për të gjitha produktet tona. Fillojmë tani dhe vitin tjetër ne do të kemi një qendër funksionale të grumbullimit të produkteve bujqësore.