Agim Sulejmani banon në një prej pallateve të ndërtuara në vitet 80-të në njësinë administrative Bradashesh të bashkisë Elbasan, por as ai as 41 familje të tjera që jetojnë në apartamentet e pesë ndërtesave nuk kanë mundësinë e një dokumenti pronësie.
Megjithëse ata kanë gati dyzet vjet që jetojnë aty në dokumentacion 5 pallatet në Bradashesh nuk ekzistojnë. Në harta në vend të tyre figuron një parcelë bujqësore, ndërsa banorët e tyre prej vitesh sorollaten në kërkim të së drejtës së pronës.
Sulejmani me ndihëm e Lëvizjes Rinore Egjiptjane-Rome – një organizaë joqeveritare me qendër në Elbasan – ka paditur Bashkinë e Elbasanit dhe ka nisur betejën ligjore me shtetin për njohjen e të drejtës së pronësisë me parashkrim për banorët pallateve në Bradashesh. “5 pallatet janë ndërtuar në periudhën e komunizimit me punë vullnetare nga ne. Kemi marrë në atë kohë një autorizim, por një pjesë e mirë e jona e ka humbur,” thotë Sulejmani.
Ndërtimi i 5 pallateve pranë ish-kombinatit Metalurgjik në Bradashesh të Elbasanit ka filluar në vitin 1976 për të përfunduar në vitin 1987. Ishin vetë banorët, punëtorë të industrisë, që ndërtuan me punë vullnetare këto pallate. Në atë kohë përfituesit morën një autorizim dhe në vitin 1992 mësuan se apartamentet iu falën me një vendim të qeverisë së atëherëshme.
Apartamentet duheshin privatizuar dhe pas shumë kërkesave në ish komunën Baradashesh, në vitin 2015 kjo e fundit mori vendimin nr.51 në 15 qershor 2015 për kalimin e ndërtesave në privatizim. Vendimi sipas banorëve mori dhe konfirmimin e ligjshmërisë nga ana e prefektit.
Por me zgjedhjet vendore të 2015 dhe reformën territoriale dokumentacioni i kaloi bashkisë Elbasan dhe përpjekja e familjeve të pallateve të Bradasheshit për të përfituar të drejtën e pronës në këto pallate filloi nga e para.
Bashkia dhe njësia administrative pas kërkesës së banorëve kanë konfirmuar se nuk disponojnë asnjë dokumentacion dhe se këta të fundit duhet t’i drejtoheshin gjykatës.
“Në vitet 90′ dëgjuam se u falën, por nuk u interesuam më. Vitet e fundit donim t’i privatizonim. Nga komuna na premtonin gjatë fushatave elektorale që do t’i regjistronin por asgjë nuk u bë. Vetëm në 2015-n u mor një vendim nga komuna për privatizimin e pallateve. Pasi u konfirmua nga prefektura, iu drejtuam bashkisë dhe bashkia na i ktheu mbrapsh pasi për këto pallate nuk disponohej asnjë lloj dokumentacioni,” shpjegoi Sulejmani.
Ai thotë se i drejtohet gjykatës me këtë padi me shpresën se fitimi i kësaj çështjeje do t’i hapë rrugën edhe njohjes së pronësisë për 41 familje të tjera që jetojnë në këto pallate.
“Ne kemi 30 vjet që jetojmë në këto pallate. Paguajmë drita, ujë dhe madje edhe po suvatohen nga bashkia, por ndërkohë as nuk mund ti shesim, as nuk mund t’i vëmë në kredi, madje një ditë mund të vijnë edh të na nxjerrin jashtë,” shtoi Sulejmani.
Lëvizja Rinore Egjiptjane-Rome, LRER, duke u njohur me problemin e 42 familjeve, të cilat kryesisht i përkasin këtij komuniteti, nisi betejën ligjore me shtetin për njohjen e të drejtës së pronës për banorët pallateve në Bradashesh. Për këtë qëllim është paditur bashkia Elbasan për fitimin e pronësisë dhe parashkrimin fitues për një prej kryefamiljarëve. “Duke qene se nuk mund të ngrinim një padi me të gjitha familjet, vendosëm të marrim një rast dhe me përfundimin e çështjes të shërbente si precedent për të zgjidhur ngërçin për 42 familjet,” thotë përfaqësuesi i LRER Gentjan Sejrani.
Avokati i çështjes, Ergert Myftiu u shpreh se ka pasur një odise kërkesash për informacion deri në arritjen e përfundimit se për 5 pallatet në Bradashesh nuk ka në fakt asnjë dokumentacion. “I jemi drejtuar nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit të gjitha institucioneve përkatëse. Pasi kemi ndjekur rrugën e apelimit pjesërisht na kanë kthyer përgjigje duke na konfirrmuar se pallatet nuk janë të regjistruara,” tha Myftiu.
Avokati i ka kërkuar gjykatës fitimin e pronësisë me parashkrim fitues duke detyruar palën e paditur të njohë pronar paditësin Agim Sulejmani, duke paraqitur si bazë ligjore Kodin Civil që parashikon se duhen 20 vjet qëndrim pa ndërprerje në të njëjtin objekt për të përfituar pronësinë.
Po kështu vendimi i marrë nga Këshilli i Komunës Bradashesh i vitit 2015 i njeh të drejtën e pronësisë së apartamentit 34 personave, ndër të cilët edhe Agim Sulejmanit.
Agimi thotë se i drejtohet gjykatës me këtë padi me shpresën se fitimi i kësaj çështjeje do t’i hapë rrugën edhe njohjes së pronësisë për 41 familje të tjera që jetojnë në këto pallate.
Çështja është në gjykatë nga nëntori i vitit të kaluar. Së fundmi pati një tjetër shtyrje seance për shkak se gjyqtarja mori lejen e lindjes. Kjo do të krijojë një tjetër vonesë për shqyrtimin e çështjes. Sipas avokatit Myfitu çështja ishte në fazën ku nga gjykata do të kërkohej një ekspert i licencuar për të bërë rilevimin dhe hartografinë e këtyre objekteve. Po kështu avokati ka ngritur edhe një sërë pyetjesh për gjykatën të cilat i japin përgjigje mungesës së dokumentacionit nga institucionet.
Ndërkohë që pritet që çështja të hidhet sërish në short dhe t’i caktohet një tjetër gjyqtari, banorët shpresojnë që të mos presin më edhe 8 muaj të tjerë për përfundimin e çështjes që mund të hapë dritën jeshille për një VKM që i njeh pronësinë e apartamenteve 42 familjeve.
Aktualisht 5 pallatet e Bradasheshit sipas të gjithë dokumentacionit të grumbulluar nuk ekzistojnë në asnjë institucion, edhe pse prej gati 40 vjetësh në to banojnë 42 familje.