Don't miss:  Reporter.al
more
Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us 
Published by
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë Rreth Faqes Kontaktoni
News27 Jun 2016

Durrësi nderon arkeologun Vangjel Toçi

Pas shtysës së medias dhe të një numri kolegësh, Këshilli Bashkiak i Durrësit ka vendosur t’i japë një rruge në qendër të qytetit ermin e arkeologut të famshëm Vangjel Toçi.

Author: Gëzim Kabashi | BIRN | Tiranë
Print

Vangjel Toçi gjatë zbulimit të mozaikit | Foto arkive

Vangjel Toçi gjatë zbulimit të një mozaiku | Foto arkive

Këshilli bashkiak i Durrësit ka vendosur këto ditë t’i japë një prej rrugëve në qendër të qytetit të Durrësit emrin e arkeologut dhe zbuluesit të mirënjohur, Vangjel Toçi. I lindur në vitin 1920 dhe i ndarë nga jeta në vitin 1999, Vangjel Toçi ka realizuar disa nga zbulimet më të rëndësishme në historinë e arkeologjisë shqiptare.

Megjithëse një nga personalitetet me kontribute të shquara në zbulimin e monumenteve antike dhe mesjetare në Durrës, emri i Vagjel Toçit ishte “harruar” nga bashkiakët kur emërtuan 905 rrugë dhe sheshe para disa vitesh në qytetin bregdetar.

Drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, pranojnë se media dhe disa punonjës arkeologë janë bërë shkak për një nisëm të tillë.

“Brenda pak ditësh, ne do të zhvillojmë një ceremoni në nderim të z. Toçi, emri i të cilit do të nderojë pikërisht rrugën pranë amfiteatrit antik të qytetit,” tha drejtori i DRKK, Ledion Lako, duke shtuar se me këtë rast “do të bëhen të njohura edhe disa financime për shpronësimin e familjeve të tjera që banojnë ende mbi arenën e amfiteatrit.”

Prof. Vangjel Toçi që nga viti 1945 u bë promotor i hapjes së Bibliotekës së parë publike në Durrës, më pas edhe të Muzeut të Luftës, Muzeut Etnografik dhe Muzeut Arkeologjik.

Për qytetin bregdetar 2016 përkon me tre përvjetorë të rëndësishëm: fillimisht me 100 vjetorin e zbulimit gjatë Luftës së Parë Botërore të mozaikut të njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit” nga arkeologu austriak Camillo Praschniker. Falë shkrimeve të botuara nga studiuesit austriakë, prof. Toçi e rizbuloi mozaikun në vitin 1959, vetëm 150 metra pas godinës së Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Aktualisht, mozaiku ndodhet në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Ndërkaq 65 vjet më parë, më 13 mars 1951 Vangjel Toçi themeloi dhe drejtoi Muzeun Arkeologjik të qytetit. Vetëm disa vjet më vonë, në vitin 1966, (çka përkon edhe me 50 vjetorin e zbulimit), prof. Vangjeli dhe ekipi i drejtuar prej tij zbulon dhe fillon ekspeditat për hapjen e monumentit më të madh të antikitetit në vendin tonë, amfiteatrit antik të Durrësit.

Përveç Amfiteatrit 1900-vjeçar dhe mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”, ai ka zbuluar edhe monumente të tjerë, si Termat e periudhës romake, mozaikun bardhë e zi me kalë deti, nekropolin antik të qytetit, etj.

Toçi u bë nismëtar i shëtitores “Taulantia” si dhe ndërtimit të godinës së re të Muzeut Arkeologjik në Durrës. Falë punës vetëmohuese ai kishte fituar respektin e qytetarëve që e furnizonin me të dhëna për zbulimin e objekteve të rinj arkeologjikë.

Mungesa e vëmendjes për emërtimin e një rrugë apo sheshi me emrin e arkeologut të spikatur shkaktoi edhe reagimin e qytetarëve durrsakë, të cilët kërkuan më shumë vëmendje për figurat e shquara në historinë e re të qytetit bregdetar. Ndërkaq, sipas disa burimeve nga pushteti vendor, mësohet se do të ketë edhe ndryshime të tjera të emërtesave në lagje të ndryshme të Durrësit.

ABOUT THE AUTHOR

Gëzim Kabashi

Gëzim Kabashi është gazetar në profesion të lirë në qytetin e Durrësit. Për shumë vite ai ka punuar si korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ATSH.

Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us: Reporter.al | Facebook | Twitter | Google+
© 2014 All Rights Reserved.