Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Rrogozhinë?
Premtimet elektorale të bashkisë bërë pas takimeve të vazhdueshme me qytetarët dhe grupet e interesit të zonës dhe sigurisht në përputhje me programin strategjik të qeverisë shqiptare dhe pushtetit vendor, në njëvjeçarin e parë qeverisës, kanë reflektuar kryesisht nevojat dhe kërkesat imediate të këtyre grupeve. E meqenëse po flasim për premtime-arritje të realizuara në këtë periudhë të parë qeverisëse, mund të përmend tre arritje të cilat prekin tre prej shtyllave kryesore zhvillimore të zonës: arsimin, turizmin dhe bujqësinë. Konkretisht brenda tre mujorit të parë qeverisës kemi mundësuar nëpërmjet transportit falas, akses të plotë për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të cilët banojnë deri në 7 km larg institucionit arsimor që duhet të ndjekin. Fillimisht bashkia e realizoi këtë premtim duke çelur një fond specifik nëpërmjet një vendimi të Këshillit Bashkiak, ndërkohë që kjo nismë pilote po mbështetet tashmë financiarisht nga Ministria e Arsimit duke siguruar edhe qëndrueshmërinë e vazhdimësinë e saj.
Me reformën e re administrative, Bashkia Rrogozhinë mbulon tashmë në territorin e saj edhe 15 km vijë bregdetare, zonë kjo e cila për herë të parë ka zhvilluar shërbime turistike në zonën e plazhit duke e kthyer vijën bregdetare të njësive Kryevidh dhe Gosë në pika turistike jo vetëm për banorët e zonës por edhe të qyteteve përreth. Këto shërbime përfshijnë ngritjen e stacioneve të plazhit, ku ofrohen krevate plazhi, bare plazhi dhe restorante. Aktivitete kulturore dhe argëtuese po i rikthejnë gjithashtu zonës vitalitetin e munguar prej kohësh – një tjetër premtim i arritur brenda vitit të parë qeverisës.
Së fundmi mund të përmend që sektori kryesor ekonomik i zonës, bujqësia, ka vuajtur dhe vazhdon të çalojë nga probleme infrastrukturore, nga parcelizimi i tokës dhe mos organizimi i prodhimit bujqësor. Në njëvjeçarin e parë qeverisës kemi patur mundësinë të ndërhyjmë në problematikën e parë atë të pastrimit të kanaleve vaditëse, dhe konkretisht kemi mundësuar pastrimin e 80% të kanaleve në gjithë Bashkinë e Rrogozhinës.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Gjatë kësaj periudhe bashkia ka zhvilluar periodikisht konsultime publike me qytetarë dhe grupe interesi në lidhje me planin urbanistik,. Takimet kanë patur për qëllim kryesisht informimin e qytetarëve dhe komuniteteve përkatëse në lidhje me planin e ri rregullues urbanistik dhe veçanërisht impaktin e tij ekonomik dhe social. Këto takime janë thirrur kryesisht nëpërmjet shkresave zyrtare dhe afisheve në njësitë qendrore dhe janë zhvilluar në ambiente publike si ai i kinemasë së qytetit me qëllim aksesimin sa më të lehtë prej qytetarëve.
Sa i përket transparencës dhe informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë e bashkisë, në gjithë territorin administrativ të bashkisë janë vendosur stendat e informimit të publikut. Në këto stenda paraqiten vendimet e Këshillit Bashkiak, projektet e ndërmarra dhe aktive të bashkisë, buxheti e çdo informacion i detajuar në lidhje me veprimtarinë e institucionit tonë.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Ndarja e re territoriale e bashkisë dhe përfshirja në të e zonave të reja administrative, ka sjellë jo vetëm mundësi të reja zhvillimore për zonën, por sigurisht edhe sfida të reja të cilat lidhen kryesisht me zhvillimin e sektorëve kryesorë ekonomikë të zonës që janë bujqësia dhe turizmi. Ndërlidhja e këtyre sektorëve strategjikë me çështje të tjera zhvillimore siç janë infrastruktura, organizmi i prodhimit, edukimi profesional etj, kërkon burime financiare dhe njerëzore, të cilat momentalisht janë të limituara për bashkinë. Nga ana tjetër hartimi i Planit të Përgjithshëm Vendor për Rrogozhinën, i cili njehson strategjitë afatshkurtra dhe afatgjata të pushtetit qendror me atë vendor, ka përcaktuar ndërhyrjet strategjike në sektorët e bujqësisë, turizmit dhe mjedisit – ndërhyrje këto të cilat do sjellin rritje të burimeve financiare dhe burimeve njerëzore. Për rrjedhojë alokimi i një fondi më të madh buxhetor koordinuar me Planin e Përgjithshëm Vendor, do të përmirësonte jo vetëm bashkëpunimin midis pushtetit qendror me atë vendor, por do të rriste edhe eficensën e kapaciteteve vendore në rang bashkie dhe njësie.
Sa janë afruar gjatë këtij viti investitorët e huaj në zonën e Rrogozhinës?
Investitorët e huaj kryesisht nga vendet nordike dhe Italia, i janë afruar me shumë interes zonës së Rrogozhinës për shkak të potencialeve tepër të mëdha që ajo ofron në fushën e turizmit dhe bujqësisë, dhe afërsisë që ka me Tiranën dhe aeroportin “Nënë Tereza”. Momentalisht projekte agro-turistike dhe investime për krijimin e një resorti turistik dhe paralelisht ndërtimin e një shkolle profesionale për turizmin janë duke u konsideruar me disa prej investitorëve potencialë që i janë ofruar zonës.
Bypass-i i superstradës Kavajë – Elbasan e ka “izoluar”kohët e fundit qytetin e Rrogozhinës. Si do ta përballojë bashkia këtë ndikim negativ?
Momentalisht jemi duke bashkëpunuar me Ministrinë e Transporteve për krijimin e disa urave ndërlidhëse për automjetet dhe këmbësorët me qëllim lidhjen e zonës së Rrogozhinës me pjesën tjetër.
Infrastruktura e Rrogozhinës mbetet e rënduar, veçanërisht në zonën rurale. Çfarë keni zgjidhur brenda vitit? Po deri në qershor 2017?
Në lidhje me këto shqetësime mund të përmend tre projekte të një rëndësie shumë të madhe për gjithë zonën e Rrogozhinës, projekte këto të cilat prekin ujësjellës-kanalizimet; asfaltimin dhe riparimin e rrugëve Ballaj-Carovë; Gërmenj-Okshtun dhe Okshtun-Zambisht; si edhe krijimin e unazës që do bëjë të mundur ndërlidhjen rrugore me gjithë zonat rurale të bashkisë. Këto projekte kanë filluar më 2016 dhe priten të përfundojnë brenda vitit 2017. Projektimi i Rikonstruksionit të Magjistralit kryesor dhe rrjetit të brendshëm të ujësjellësit, është një projekt i mbështetur financiarisht nga Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve, i cili do të bëjë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm edhe në zonat më të thella rurale. Sa i përket riparimit dhe asfaltimit të rrugëve të lartpërmendura, (gjithashtu projekte të mbështetura prej qeverisë), përmbyllja me sukses e tyre do bëjë të mundur jo vetëm daljen lehtësisht në det për pjesë më parë të izoluara të zonës, por do mundësojë krijimin e unazës së zonës që do të lidhë me infrastrukturë rrugore edhe zonat rurale me ato urbane.
Rrogozhina është aktualisht një bashki me vijë bregdetare të konsiderueshme. Çfarë po bën bashkia për zhvillimin e turizmit në njësitë administrative Kryevidh dhe Gosë?
Zhvillimi i turizmit është kthyer në prioritet edhe për Bashkinë e Rrogozhinës pikërisht si rezultat i reformës së re administrative-territoriale sipas së cilës, sikurse e përmendët edhe ju, 15 km vijë bregdetare i kalohen nën juridiksion bashkisë. Ndryshe nga zonat e mbipopulluara turistike bregdetare të vendit në të cilat situata është tepër kaotike si rezultat i ndërtimeve informale përgjatë vijës bregdetare, në zonën tonë panorama është krejt e kundërt dhe tejet e favorshme për zhvillim të fortë e të qëndrueshëm të turizmit bregdetar sezonal.
Më konkretisht në hapësirat publike të shtrira përgjatë vijës bregdetare janë ndërtuar 23 stacione plazhi ku çdo njeri prej tyre ka një hapësirë nga 2000 deri ne 5000m2 në përdorim, me qëllim ofrimin e kushteve të përshtatshme për pushuesit. Midis stacioneve të plazhit është ruajtura një hapësirë publike e pashfrytëzuar prej 30m me qëllim frekuentimin dhe aksesin e hapësirave publike prej kujtdo. Pothuaj e gjithë zona e shfrytëzueshme për plazh është shtruar dhe ndriçuar duke e renditur fare mirë zhvillimin e turizmit përgjatë vijës bregdetare në zonën tonë në një histori suksesi të bashkëpunimit privat-publik. Momentalisht plazhet në njësitë administrative Kryevidh edhe Gosë, u kthyen në atraksion pushimi dhe turizmi veror për pushues jo vetëm të zonës përreth, por edhe të kryeqytetit dhe qyteteve të afërta me Rrogozhinën.
Bregu i Shkumbinit, si shumë grykëderdhje lumenjsh në Shqipëri është përplot me mbeturina. Kur ka qenë hera e fundit që bashkia ka bërë pastrim të kësaj zonë?
Prej muajit prill 2016 bashkia po zbaton projektin për pastrimin e grykëderdhjes së lumit Shkumbin dhe rikualifikimit të vijës bregdetare Vilë Boshtovë. Qëllimi i projektit i cili mbështetet prej Ministrisë së Mjedisit, është pikërisht pastrimi dhe mirëmbajtja e ujërave të lumit të Shkumbinit përpara derdhjes së tyre në det, e për rrjedhojë edhe rikualifikimin e vijës bregdetare. Teknikisht janë ndërtuar tre barriera dhe një sistem grumbullimi me transportier për të penguar mbetjet lundruese urbane si mbetjet plastike, dru, letra, kartone etj. Ndërtimi i barrierave dhe sistemit të transportierit do të mundësojnë periodikisht dhe në terma afatgjatë mirëmbajtjen e pastër të grykëderdhjes.
