Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Rrogozhinës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Në bashkinë e re është punësimi dhe zhvillimi urban. Këto janë dy problemet më të mëdha të bashkisë së re. Në raport me punësimin, bashkia e re ofron shumë mundësi dhe alternativa që duhen mirë-shfrytëzuar. Duke filluar nga bujqësia, 70% e territorit është territor bujqësor, tek turizmi dhe infrastruktura. Kur kam parasysh zhvillim urban kam qëllim edhe vendet e punës. Bashkia Rrogozhinë do të kthehet në një kantier ndërtimi për infrastrukturën, rrugët, kanalizime dhe ndriçim që do të thotë edhe vende pune. Pjesë shumë e rëndësishme për punësimin është edhe pozicioni gjeografik që ka Bashkia e Rrogozhinës. Ka kompani fasone në të gjithë vendin por vetëm në Rrogozhinë nuk ka edhe pse jemi gjysmë ore nga porti më i madh i vendit dhe një orë nga kryeqyteti. Ka potenciale njerëzore. Puna e parë që do të bëj është një databazë të të gjithë banorëve të Rrogozhinës. Gjithashtu do të ketë edhe investitorë të rëndësishëm sa i përket grumbullimi dhe eksporti të produkteve bujqësore.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Rrogozhinës? (Shënim! Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve/rrugëve që synohen të riparohen).
Do ta filloj nga bujqësia për shkak të problemeve që ka zona, kanalizimet e vaditjes dhe të kullimit. Do të bëjmë një ndërmarrje të posaçme me të gjithë infrastrukturën, pajisjet dhe makineritë e nevojshme që të jenë në shërbim kryesisht në bujqësi në kanalizime por edhe në mirëmbajtje të rrugëve. Bashkia Rrogozhinë ka 150 km kanalizime vaditës dhe kullues që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente dhe me këtë park mjetesh e kthej të gjithë sistemin vaditës dhe kullues në gjendje optimale.
Për arsimin do të rikonstruktohen të gjitha shkollat. Ka institucione pa fund që mund të financojnë të mira publike dhe një ndër to është TIKA (Agjencia Turke për Zhvillim) që mjafton t’i dërgosh projektet. Po kështu fondet nga BE që tashmë do të jetë aplikimi do të jetë direkt nga bashkitë e reja. Nuk kam ndërmend të pres shtetin të më sjellë fonde por do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë për financime donatorësh dhe investitorësh të huaj. Pjesë e rëndësishme të zhvillimit janë institucionet ndërkombëtare të financimit dhe ne do ti shfrytëzojmë.
Një pjese e mirë e projekteve janë hartuar nga ish komunat por rrugët kanë ngelur në gjendjen fillestare. Do të rishikohen të gjitha projektet e rrugëve dhe do të aplikojmë për financim pasi ato janë kryesore për të gjitha produktet që këto të fundit të mbërrijnë në treg. Nuk kanë kosto të mëdha financiare por që duan projekte të mirëorganizuara për ti financuar.
Pa diskutim do të ndërtoj një sistem urban për nxënësit për të transportuar falas. T’i marrin në mëngjes e t’i kthejnë pasdite për të mos ecur në këmbë me kilometra të tëra. Ekzistojnë mundësitë të krijosh lidhje dhe të marrësh ndihma në mjete të domosdoshme për bashkinë.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Rrogozhinë dhe cilat janë ato?
Një nga kriteret është që logjikisht e moralisht duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë komunitetin. Pa dyshim duhet të ketë dhënë prova në administrim. Sa i përket shkarkimit të gjithë do të jenë në provë dhe ditën që nuk respektojnë marrëdhënien me qytetarin, janë të shkarkuar. Administratori do të jetë edhe përballja e parë me problemet me qytetarëve.
Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)
Bashkia do të hartojë disa prioritete që do t’i bëjë publike me banorët. Prioritetet janë punësimi dhe zhvillimi urban. Për grupe të veçanta interesi është detyrim ligjor që 1 në 25 të punësuar do të jetë invalid. Kam qëllim të hap një zyrë të posaçme që të merren me problematikat e invalidëve që do të jenë vetë invalidë pasi i njohin ata më mirë se kushdo tjetër. Një herë në muaj do të bëj një takim publik veç vendimeve të Këshillit Bashkiak duke dëgjuar nevojat dhe problemet nga vetë qytetarët.
Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale dhe mbështetjen e bujqësisë, veçanërisht garantimit të ujit për vaditje dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese?
Garantimin e tregut të shitjes së produkteve duke qenë se 70% e zonës është zonë bujqësore. Sa i përket kanalizimeve do të merret ndërmarrja e posaçme duke mirëmbajtur edhe rrugët kryesore të arave. Do të ketë një zyrë pranë Bashkisë Rrogozhinë për të asistuar fermerët në zhvillimin e projekteve për të thithur fondet, subvencione apo grante që të përfitojnë sa më shpejt nga këto fonde. Për çdo asistencë teknike që kanë nevojë.
Do ta shndërroj realisht në qendër prodhimi bujqësor por për këtë kam nevojën e bashkëpunimit të njerëzve që kanë tokat dhe pronat. Sot investitorët janë të interesuar për 200 ha për prodhim perimesh deri në ambalazhim dhe eksport. Janë të gatshëm për të ardhur menjëherë vetëm nëse krijohen këto kushte.
Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit bregdetar të qëndrueshëm në këtë bashki gjatë këtij mandati? Cilat investime infrastrukturore do të ndërmerrni në këtë drejtim në ish-komunat Gosë dhe Kryevidh?
Sa i përket turizmit bregdetar detyrat e bashkisë në konceptin tim janë të çoj infrastrukturën e nevojshme që janë rrugë, ndriçim, ujë, dhe përpunimin e ujërave të bardha dhe të zeza. Nuk do të lë zonën të shkatërrohet si disa zona të tjera bregdetare. Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit do të ndërtojmë planin e zhvillimit të zonës.
Do të ketë një plan të detajuar urbanistik në bashkëpunim me agjencinë kombëtare të turizmit dhe qeverinë shqiptare. Kjo për mua është shumë e rëndësishme për tu evidentuar. Para se të kalojmë tek investimet duhet të kemi një impiant të përpunimit të ujërave. Plani i detajuar urbanistik, infrastrukturë, impiant përpunimi i ujërave të zeza.
Do të përfundoj rrugën Gosë-Vilë-Bashtovë dhe të bëj një rrugë paralele me pishat nga derdhja e Shkumbinit deri në fshatin Domën. Do ti japë një tjetër vlerë zonës duke zhvilluar pronat dhe bizneset e vetë banorëve.
Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare do të devijoj lumin Shkumbin në rrjedhën që ka qenë më parë pasi shkatërruar sipërfaqe të mëdha me prona buzë detit për shkak të gërryerjeve. Për 20 vjet është konsumuar rreth 1 km sipërfaqe. Rrezikohet përmbytja e të gjithë zonës dhe ky devijim është i mundur me pak investime.
A do të ndjekë bashkia politika fiskale në nxitje të hapjes së bizneseve të reja dhe tërheqjen e investitorëve të industrisë fasone gjatë këtij mandati? Cilat politika dhe si do të zbatohen ato?
Në raport me fasonët pozicioni gjeografik është jashtëzakonisht i favorshëm por për fat të keq nuk është interesuar kush për të krijuar industri fasone. Do të bëjmë të mundur regjistrimin e bashkisë Rrogozhinës në të gjitha dhomat e tregtisë të huaja. Do dërgojmë informacion të detajuar pranë të gjitha ambasadave, dhomave të tregtisë të shteteve respektive me mundësitë që ofron i gjithë territori i Rrogozhinës, distanca, rrugët, tarifat e taksat të cilat do të reduktohen në maksimumin që parashikon ligji në raport me kompanitë fasone. Për mua i rëndësishëm është burimi i punësimit sesa të ardhurat që mbledh nga tarifat për këto kompani. Do ti ofroni gjithashtu informacion të detajuar mbi burimet njerëzore dhe koston e krahut të punës. Do të ketë një gatishmëri totale të administratës për nevojat e kompanive duke i krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme.