Don't miss:  Reporter.al
more
Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us 
Published by
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë Rreth Faqes Kontaktoni
News2 Aug 2016

Dibra shkon në zgjedhje të parakohshme më 11 shtator

Pas shkarkimit të kryebashkiakut aktual Shukri Xhelili, i cili gjendet aktualisht në burg i akuzuar për abuzim me pushtetin, Bashkia e Dibrës do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për një kryebashkiak të ri më 11 shtatorin e ardhshëm.

Author: Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë
Print

Posteri elektoral i kryebashkiakut të Dibrës. Foto: Facebook

Posteri elektoral i kryebashkiakut të Dibrës. Foto: Facebook

Votuesit e Bashkisë së Dibrës do të duhet të votojnë për të zgjedhur një kryebashkiak të ri më 11 shtator pasi kryebashkiaku i mëparshëm, Shukri Xhelili, u arrestua i akuzuar për abuzim me pushtetin në maj.

Xhelili u shkarkua nga Këshilli i Ministrave pasi një punonjëse e re e bashkisë e filmoi atë në mënyrë të fshehtë duke kërkuar favore seksuale në shkëmbim të një rritjeje në pagë. Pas publikimit të videos, Prokuroria ndërhyri duke e arrestuar Xhelilin, i cili gjendet aktualisht në burg në pritje të gjykimit për akuzën e abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit pasiv.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi datën e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme  pasi një ankesë e Xhelilit në Gjykatën Kushtetuese ku kërkonte rrëzimin e vendimit të shkarkimit nga ana e Këshillit të Ministrave, nuk u pranua.

Bashkia e Dibrës ka 79 mijë banorë të regjistruar dhe 56 mijë zgjedhës. Në zgjedhjet e vitit 2015 morën pjesë afro 31 mijë votues ndërsa Xhelili, kandidat i Partisë Socialiste, fitoi me pak vota diferencë përballë Ilir Krosit të Partisë Demokratike, i cili qe kryebashkiak i Peshkopisë që nga viti 2003.

Zgjedhjet për Bashkinë Dibër në shtator pritet të shërbejnë edhe si test për ballafaqimin e forcave dhe koalicioneve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Në zgjedhjet e vitit 2013, koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane arriti të marrë 51 për qind të votave për anëtarë të këshilleve bashkiake dhe 17 nga 31 anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Fituesi i zgjedhjeve të parakohshme do të përfundojë mandatin katërvjeçar të ndërprerë nga Xhelili.

Xhelili nuk është kryebashkiaku i vetëm me probleme me drejtësinë. Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi u arrestua në qershor të këtij viti dhe aktualisht është zyrtarisht në arrest shtëpiak për shkak se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit dënime penale të marra në Itali dhe Zvicër në të shkuarën. Por në rastin e Rroshit, nuk ka pasur vendim shkarkimi nga Këshilli i Ministrave dhe ai zyrtarisht vijon të mbetet kryebashkiak.

Sipas ligjit, Këshilli i Ministrave mund ta shkarkojë një kryebashkiak vetëm në rastet e shkeljeve të rënda ligjore.

Ndërkohë, sipas formularëve të vetëdeklarimit të të shkuarës penale, pesë kryetarë bashkish kanë pranuar se kanë pasur probleme me drejtësinë në të shkuarën.

ABOUT THE AUTHOR

Gjergj Erebara

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.

Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us: Reporter.al | Facebook | Twitter | Google+
© 2014 All Rights Reserved.