Çdo ditë 20 fëmijë të 9-vjeçares nga Dritasi duhet të ecin një orë e gjysëm që të shkojnë në shkollë. Në dimër, nëse moti është me shi dhe ka prurje, ata e braktisin shkollën pasi përroi që i ndan nga fshati Lugaxhi ku ndodhet shkolla bëhet i pakalueshëm. Ata që ndjekin të mesmen duhet të ecin 2 orë deri në Labinot Mal. Ambulancë fshati nuk ka.Në fakt shërbimi i vetëm që shteti ofron në Dritas është ndriçimi, i cili mbërrin në shtëpitë e banorëve vetëm 120 volt e pamjaftueshme për të vënë në punë paisje elektrike. Fshati është pa rrugë dhe i harruar, por sëfundmi Këshilli Bashkiak i Elbasanit vendosi ta fshijë nga harta edhe si emër dhe ta bashkojë me Benën fqinje.
“Ne s’kemi rrugë makine, s’kemi drita mjaftueshëm, s’kemi as shkollë e as infermjere, po na hoqën edhe emrin do na harrojnë fare”, thotë Marsida Duraku, një 19 vjeçare nga fshati për BIRN, e cila nuk e ka ndjekur të mesmen sepse shkolla është shumë larg. “Për të shkuar në shkollë të mesme duhet të kalojmë përroin e të ecim dy orë ndërsa fëmijët shkojnë në fshatin më të afërt Lugaxhi. Kur bie shi askush nuk shkon në shkollë pasi përroi është i rrezikshëm”.
Emri Dritas është fshirë nga harta me një vendim të këshillit bashkiak në shtator të këtij viti dhe banorët dhe territori i janë bashkuar fshatit Benë në njësinë administrative Labinot Mal të bashkisë Elbasan, por banorët nuk janë pyetur.
Admistratori i njësisë administrative Labinot Mal, Ruzhdi Pisha i tha BIRN se fshati Dritas ka qenë i bashkuar me Benën që herët dhe vendimi është bërë “dejuro” pasi “defakto” ka qenë bërë më parë. “Fshati Dritas ka qenë i bashkuar me Benën dejuro pasi kanë pasur një kryeplak të përbashkët me një vulë. Po kështu ka pasur një vendim të këshillit të komunës për t’i bashkuar. Ne vetëm e kemi bërë ligjore me Këshill Bashkiak. Ka vetëm 120 banorë dhe e dikton ligji”, tha Pisha. Ai thotë se ata nuk mund të lejojnë një lagje të jetë fshat, ndërsa shton se nuk ka pasur asnjë ankesë. Por anëtari i këshillit të fshatit Sami Idrizi, 47 vjeç, thotë se nuk mund të ankoheshin pasi nuk kanë ditur asgjë për heqjen e fshatit nga harta.
Po ashtu edhe Shefqet Idrizi, banorë i fshatit dhe baba i 11 fëmijëve thotë se nuk donin që fshati të zhdukej. “Nuk jemi dakort ta heqin emrin e fshatit fare. Nëse vjen diçka për fshatin tonë atëherë askush se sjell më për këtë fshat pasi ne jemi larg. Çfarë pune prish të rrijë si emër fshati. Kryeplak nuk kemi pasur edhe 4 vitet e kaluara, por emrin nuk e hoqi njeri. Nuk është se na mori njeri mendim për këtë gjë. Ata e kanë fshirë emrin edhe kaq”, thotë ai.
Nga ana e tij administratori Pisha nuk dha një përgjigje të qartë nëse janë pyetur banorët dhe nëse e duan apo jo shkrirjen e fshatit Dritas dhe bashkimit me fshatin Benë, administratori nuk dha një përgjigje të qartë duke u justifikuar me faktin se ka pasur një vendim të këshillit të komunës për këtë bashkim më parë dhe ai e ka bërë juridikisht të vlefshëm.
Por ish-kryetari i komunës Qani Xhafa thotë se në periudhën që ka drejtuar këtë njësi është zgjedhur vetëm një kryeplak për të dy fshatrat, por nuk është marrë asnjë vendim në Këshillin e Komunës për të shkrirë këtë fshat. “Duke qenë se kishte pak banorë është menduar që të kishte vetëm një kryeplak pasi lagjet e fshatit Dritas janë të shpërndara. Kjo ka ndodhur vetëm gjatë mandatit të fundit timin, por nuk kemi marrë asnjë vendim nga komuna për t’i bashkuar dhe për të hequr emrin e fshatit”.
Fshati Dritas ka një histori të re krijimi. Banorët thonë se aty nga vitet 80-të me rritjen e popullsisë u krijua fshati i ri i cili edhe u furnizua me energji elektrike. Emrin sipas tyre e ka marrë pas elektrifikimit. “Nga ato që dimë, fshati në atë kohë e mori emrin Dritas pasi u rrit numri i banorëve. Ishte larg Benës dhe iu vendos ky emër. Ka edhe një shkëmb që e ka emrin Dritas. Ndoshta e kemi emrin prej këtij shkëmbi. Dimë që fshati është krijuar i ri”, thotë Sami Idrizi
Për të shkuar në fshatin e largët Dritas janë 40 km udhëtim me automjet që bëhet për 2 orë pasi rruga është shumë e amortizuar dhe 1.30 minuta në këmbë në një shteg këmbësorësh. Lagja e parë dhe më e afërta nga Bena quhet Idrizaj. Jemi të parët që zbresim deri në Dritas prej vitesh, pasi siç thonë edhe vetë banorët, mungesa e rrugës së makinës thuajse i ka izoluar.
Shefqet Idrizi thotë se në fshat nuk ka asgjë prej shtetit. “Nuk kemi shkollë, ambulancë apo ndonjë gjë tjetër që na e jep shteti. Edhe emrin e fshatit na e hoqën. Edhe sikur të vinte ndonjë fond për fshatin tonë, atë e marrin tjetër pasi Dritasi nuk ekziston më. Tani që na hoqën emrin, do harrojnë fare që ekzistojmë”.
Banorët e Dritasit kryesisht mbarështojnë blektori, grumbullojnë gështenja e bimë mjekësore, për të cilat të cilat kjo zonë është mjaft e pasur. Por jeta në Dritas nuk është e lehtë.
Mbi 200 banorë të tij, pavarësisht se janë të transferuar në Elbasan, i kanë mbajtur shtëpitë dhe kthehen në fshat për disa muaj, kujdesën për tokën e blektorinë e zbresin në fushë vetëm në Dimër. “Shtëpitë janë po aty dhe banorët e këtij fshati rreth 9 muaj të vitit qëndrojnë në Dritas pasi kujdesen për buqësinë e blektorinëdhe vetëm 3 muajt e dimrit zhvendosen në qytet ku edhe kanë ndërtuar shtëpi në demokraci. Fshati nuk është braktisur”, thotë Shefqeti edhe pse në Dritas mezi mbërrin energji sa për të mbajtur ndezur llampat e dritave prej nga fshati ka marrë emrin që po ia heqin.