Gjergji Mero ka lindur në fshatin Baban Devoll, më 25 shkurt 1959 dhe banon në Lagjen 18 në Korçë. Rrjedh nga një familje arsimtarësh me dy prindër mësues të nderuar, të cilët i kultivuan dhe e edukuan me dëshirën për arsimim dhe shkollim shembullor, gjë të cilën ai e reflektoi kudo ku ka studiuar dhe punuar. Ai është i martuar dhe ka dy djem.
Pasi kreu shkollën e mesme të përgjithshme “Fuat Babani”, Bilisht 1973-1977 me rezultate te shkëlqyera, vazhdoi studimet e larta pranë Institutit të Lartë Bujqësor Korçë në vitet 1978-1982 duke u diplomuar me rezultate të larta si agronom i përgjithshëm. Nga viti 1982 deri në 1987 punoi si specialist dhe kryespecialist bujqësie në Kooperativën Bujqësore Qukës Librazhd, ku u dallua për punë të palodhur dhe arritje të larta në të gjithë sektorët ku ai punoi. Në nëntor 1987 filloi punë si pedagog në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit “Fan S. Noli” Korçë.
Nga viti 2008 e në vazhdim është Rektor i këtij Universiteti, i cili me punën dhe angazhimin e tij dhe të stafit që ai drejton, i ka dhënë Universitetit të Korçës një vision të ri, si në drejtim të infrastrukturës mësimore dhe laboratorike, ashtu dhe të përmbajtjes së programeve dhe Fakulteteve të reja që janë hapur, duke i dhënë Universitetit një dimesion bashkëkohor.
Në punën e tij mësimore dhe shkencore ai ka arritur të realizojë një numër të madh kualifikime
dhe specializime si brenda dhe jashtë vendit. Ka fituar gradën “Doktor i Shkencave Bujqësore”,
në vitin 1999 dhe “Profesor i Asociuar” në vitin 2003. Ka kryer një numër të madh specializime
dhe trajnime brenda dhe jashtë vendit, si në fushën e bujqësisë ashtu dhe të rritjes së standarteve
dhe cilësisë të arsimit të lartë.
Ka marrë pjesë në shumë projekte kombëtare dhe ndërkombëtare si në Projektet Tempus, Intereg, Erasmus etj, duke marre pjese si anëtar stafi projekti dhe drejtues projekti.
Është autor i disa teksteve mësimore, monografive, dispensave, si dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare ku në një pjesë të madhe të tyre edhe ka referuar.
Ka botuar një numër të madh artikuj problemore e shkencorë në revista të njohura shkencore si brenda dhe jashtë vendit. Zotëron gjuhën angleze me të folur dhe të shkruar.
Ai ka qënë i zgjedhur Kryetar i Këshillit Bashkiak Korçë në vitet 2003-2007, si dhe është anëtar i Këshillit Bashkiak Korçë nga viti 2003.