Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Librazhd?
Në fakt janë më shumë se tre por duke i qëndruar pyetjes tuaj. Dua të them që, së pari, ne kemi marrë përsipër administrimin dhe kontrollin e territorit. Kemi bërë investime për aq sa është e lejuar për shkak të masakrës urbane. Jemi mundur të kthejmë lulishtet dhe hapësirat e përbashkëta që ishin të zëna nga persona krejt abuzues dhe në kundërshtim të plotë me legjislacionin. Së dyti, jemi një ndër bashkitë që kemi përfituar mbështetjen për planin e ri rregullues i cili do të dizenjojë Librazhdin në 30 vitet e ardhshme.
Një premtim elektoral i përmbushur është ndryshimi rrënjësor sa i përket pastrimit të qytetit, gjë të cilën e kemi bërë fakt duke ndryshuar totalisht mënyrën e administrimit të shoqërisë së pastrimit të qytetit si dhe duke sjellë kazanë dhe makineri të reja në mënyrë që të garantojmë pastrimin e territorit sa më mirë.
Bashkia ka dhe karakter rural pasi një pjesë shumë e madhe e territorit të saj është jashtë periferisë së qytetit. Kemi ndërmarrë disa hapa që kanë të bëjmë me qeverisjen e territoreve jashtë qytetit duke krijuar ndërmarrjen e rrugëve rurale e cila për herë të parë në këto 20 vite është krejtësisht funksionale duke marrë përsipër mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve që përshkojnë bashkinë Librazhd. Këtë vit kemi vendosur një buxhet të mirë, më të madhin që është vendosur gjatë këtyre viteve, duke bërë të mundur që problemi me vaditjen të mos ekzistojë. Ndërkohë me ndërhyrjet e bëra në të gjitha fshatrat e bashkisë Librazhd do të kemi furnizim normal me ujë për vaditje sa i takon të gjitha ngastrave të tokave bujqësore.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Jemi përpjekur që të gjithë vendimmarrjet që dalin nga administrata e bashkisë të jenë të arsyetuara dhe konsultuara me qytetarët. Një vend shumë të rëndësishëm zë këtu edhe Këshilli Bashkiak i cili në tërësinë e tij ka qenë shumë bashkëpunues duke mos u marrë me ndarjet politike dhe si rezultat i kësaj ne kemi fatin që pjesa dërrmuese e investimeve apo projekteve të votohen nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak.
Gjithashtu jemi pjesëmarrës në një projekt të mbështetur nga LëvizAlbania, që synon rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. Brenda muajit shtator do të kemi të ngritur një forum qytetar i cili do të asistojë bashkinë në çdo vendimmarrje duke e sjellë sa më afër zërin e qytetarit. Kemi edhe një faqe online të bashkisë Librazhd ku të gjithë banorët mund të gjejnë informacion mbi institucionin vendor.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfida kryesore ka të bëjë me vazhdimin e investimeve në infrastrukturë. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare kemi marrë tashmë financimin për të vazhduar investimet në lagjen tjetër të qytetit. Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën në qytet duke e kthyer në urban dhe jo një vend ku mungesa e ndriçimit, lulishtet apo rrugët nuk e dallonin nga një zonë rurale.
Do të vazhdojmë të fokusohemi në zhvillimin e bujqësisë qoftë edhe duke realizuar premtimin për dhënien e certifikatave të pronësisë për të gjithë ata që kanë marrë tokë nëpërmjet ligjit 7501 nëpërmjet zyrave që kemi krijuar në bashki duke bërë edhe fakt premtimin e qeverisë. Është një proces që ka ecur shumë mirë dhe do të vazhdojë me intensitet më të madh. Nga ana tjetër do të shtojmë investimet sa i takon kanalet vaditëse duke i dhënë zhvillim bujqësinë.
Një sfidë tjetër e rëndësishme në fakt ka të bëjë me punësimin. Jemi duke të konsultuar me shumë sipërmarrës që janë ftuar për tu vendosur dhe për të investuar në Librazhd duke pasur parasysh mundësinë që bashkia e Librazhdit ofron në pozicionin gjeografik jo shumë larg kryeqytetit si dhe krahun e lirë të punës. Kemi resurse për të rritur numrin e të punësuarve. Kemi ecur në këtë drejtim. Janë bërë investime në fasoneri. Jemi duke përpjekur për të sjellë edhe investitorë të tjerë. Ekziston një kompani që ka bërë investime në fasoneri ashtu sikurse gjatë kësaj kohe jemi duket u përpjekur për të sjellë investitorë të cilët do të bëjnë të mundur lehtësimin sadopak të kësaj plage sociale.
Çfarë hapash keni ndërmarrë për mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve të kërcënuara nga prerjet e paligjshme, por edhe nga ndërtimi i HEC-ve?
Ne jemi marrë direkt qysh në ditët e para me krijimin e Drejtorisë së Pyjeve e cila me vendim të qeverisë i kaloi pushtetit lokal. Puna e saj është për tu lavdëruar, por duhet të vazhdojë delegimi i kompetencave nga pushteti qendror drejt atij lokal sepse duke qenë shumë më afër bashkia e ka më të lehtë të ndërhyjë duke ndalur masakrën që është bërë këto 25 vite në sipërfaqet e pyjeve. Sa i takon çështjes së HEC-ve, është një nga plagët më të mëdha që bashkia Librazhd ka. Ne kërkojmë decentralizim jo vetëm të dhënies së lejeve, por edhe të kontrollit të tyre pasi është e pamundur që një agjenci në Tiranë të kontrollojë të gjithë HEC-t e Shqipërisë. Sigurisht që ato HEC-e që janë dhënë është shumë e vështirë të zhbëhen, por nga ana tjetër dhënia e kompetencave të bashkisë për t’i kontrolluar është shumë e rëndësishme sepse së pari do të mbrojë faunën. Mund të them se të gjitha HEC-et nuk e zbatojnë kriterin që 30% e ujit duhet të jetë jashtë tubave. Bashkia e ka të pamundur të luajë një rol pasi nuk ka pushtet real.
A ofron aktualisht bashkia heqje të mbetjeve urbane në të gjithë territorin e saj? A mund të na jepni disa të dhëna mbi numrin e punonjësve, mjeteve apo volumin e mbetjeve të hequra?
Siç e kam thënë më sipër kemi ndërhyrë direkt sa i përket çështjes së mbeturinave në të gjithë hapësirën e territorit të bashkisë. Në shumë biznese përgjatë rrugës nacionale nuk kishte kontenjerë, por i hidhnin në lumë. Kjo nuk do të ndodhë më pasi kompania ka vendosur kosha dhe ka filluar pastrimin. Kemi sjellë teknologji të re dhe kontenjerë të rinj dhe ndërruar makinat e pastrimit. Kemi pamundësi sa i takon ndërtimit të një landfilldi për bashkinë e Librazhd për shkak të mungesës së fondeve. Ndërkohë vendimi i qeverisë për transportin drejt landfilldit të Elbasanit është i pamundur për tu zbatuar pasi kostoja është e papërballueshme për ne si për transportin ashtu edhe për përpunimin e mbetjeve. Aktualisht kostot e pastrimit shkojnë deri në 10 mln lekë në vit.
A keni ngritur struktura turizmi si bashki dhe çfarë është bërë në këtë drejtim nga institucioni vendor?
Bashkia Librazhd në pjesën më të madhe përshkohet nga parku, por gjithashtu janë edhe pjesë të tjera shumë atraktive për turizëm jo vetëm për banorët, por edhe më gjerë. Kemi në strukturën e bashkisë persona që merren me promovimin. Ky është vetëm fillimi dhe shpresojmë që në të ardhmen të krijojmë një sektor me vete që shumë nga këto destinacione të jenë të aksesueshme për të gjithë vizitorët.
A ka ngritur bashkia një strukturë të mirëmbajtjes së rrugëve. Ccfarë investimesh apo ndërhyrjesh keni bërë që fshatrat e thellë të jenë të aksesueshme në dimër?
Siç e kam thënë ne kemi krijuar ndërmarrjen e mirëmbajtjes së rrugëve duke punësuar rreth 60 punonjës. Ata paguhen me paga normale bashkë me sigurimet dhe jo siç i paguante Qarku më parë. Ata kemi mungesë sa i përket financave pasi territori i bashkisë është shumë i madh. Do kërkojmë që fondin ta kemi më të madh. Kemi garantuar që të gjithë rrugët të jenë të aksesueshme si gjatë dimrit të kaluar ashtu edhe dimrin që vjen.
Çfarë politikash keni zbatuar në ndihmë të komunitetit të egjiptian dhe në lehtësimin e problematikave lidhur me arsimimin, strehimin, ndihmën ekonomike, etj?
Në Librazhd ekziston një komunitet i konsiderueshëm egjiptianësh të cilët kanë nevojat e tyre në punësim strehim si dhe probleme. Së pari jemi përpjekur që të afrojmë përfaqësues të këtij komuniteti në administratën dhe nëpërmjet donatorëve të bëjmë të mundur strehimin e tyre, një plagë e vjetër kjo prej shumë vitesh. Nëpërmjet fondit të zhvillimit të rajoneve do të aplikojmë për ndërtimin e disa shtëpive tip edhe me donatorë privatë që të bëjmë të mundur zbutjen e këtij problemi tek ky komunitet.
Keni hartuar strategji në mbështetje të bujqësisë dhe blegtorisë dhe çfarë është bërë për ngritjen e një pike grumbullimi të produkteve të zonës dhe tregtimin e tyre?
Jemi shumë të fokusuar ndaj zhvillimit të bujqësisë duke investuar në kanalet ujitëse, investime që do vijnë duke u rritur. Mbetet prioritet ndërtimi i një pike grumbullimi me biznesin vendas dhe të huaj sepse besojmë shumë që bashkia Librazhd ka prodhime shumë të mira qoftë bujqësore qoftë blegtorale që do ja vlenin për pasjen e një infrastrukture të tillë duke u bërë një ndihmesë e madhe për banorët e zonës që do të rrisnin prodhimet e tyre me një treg të garantuar.