Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Librazhdit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Problemi më i madh që ka bashkia Librazhd është mungesa e investimeve në infrastrukturë, pasi gjendja e rrugëve për shkak të përplasjeve mes strukturave të këshillit të qarkut dhe komunave kanë sjellë si pasojë mosmirëmbajtjen e tyre ashtu sikurse nga ana tjetër, mungesa e investimeve cilësore e ka kthyer Librazhdin në një nga bashkitë me rrugët më të shkatërruara. Reforma e re administrative na jep mundësitë veç të tjerash për të pasur edhe burime njerëzore për të bërë projektet dhe ndërhyrjet e duhura me mbështetjen e qeverisë. Do të investohet në rrugë me standarde dhe jo asfalt elektoral siç ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Gjithashtu në bashkinë e re, do të krijohet një drejtori për mirëmbajtjen e rrugës. Pasi po aq e rëndësishme është t’i mirëmbash.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Librazhdit?
Gjendja sidomos e qendrave shëndetësore të shtrira në të gjithë territorin është skandaloze, pasi komunat nuk kanë arritur të zgjidhin as energjinë dhe ujin në qendrat shëndetësore që ekzistojnë në fshat. Nga ana tjetër në të njëjtën situatë ndodhen edhe shkollat pavarësisht ndërhyrjes së qeverisë me rikonstruksionin e një pjese të tyre gjendja vazhdon të mbetet shumë e rëndë. Ne angazhohemi që brenda vitit të parë të mandatit të bëjmë lidhjen me energji dhe ujë të të gjitha qendrave shëndetësore me qëllim funksionimin normal të tyre. Ashtu sikurse do të bëjmë një evidentim të saktë të gjendjes së shkollave dhe kopshteve. Sa i takon infrastrukturës rrugore kemi filluar rikonstruksionin e rrugës së Orenjës, do të vazhdojmë me Lunikun do investojmë për asfaltimin e rrugëve të komunës Qendër dhe Hotolisht si dhe komunën Polis. Do të rikonstruktohen rruga Mirakë-Gurëshpatë, Librazhd-Spathar, Librazhd-Babje, Dragostunjë-Veçan. Të gjitha projektet do të dërgohen brenda një kohe shumë të shkurtër në qeveri për thithjen e investimeve.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Librazhd dhe cilat janë ato?
Reforma e re territoriale na ka dhënë mundësinë për shkak të financave më të mira dhe kompetencave më të mira do të përpiqemi të rekrutojmë persona që kanë impakt të madh që plotësojnë kriteret bazë të formimit dhe që përballojnë edhe sfidat e mëdha. Bashkia e re Librazhd i disponon këto kapacitete. Administratorët e rinj do të kenë një ndryshim të qartë nga të mëparshmit. Bashkimi do t’u japë më shumë mundësi njerëzve që të zgjedhin.
Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)
Ne jemi të vendosur që të gjitha, reformat, investimet apo buxhetet t’i miratojmë në një konsultim të gjerë me publikun për këtë arsye do të bëjmë dëgjesa në çdo lagje të bashkisë së re. Le të jenë ata vetë që të përcaktojnë një radhë investimesh në zonën ku ata banojnë me qëllim që të dëgjohet zëri i qytetarëve. Kjo jo vetëm nëpërmjet organeve të zgjedhur por edhe nëpërmjet dëgjesave apo ftesave të ndryshme të OJF dhe ne do të përpiqemi të plotësojmë nevojat e komunitetit.
Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve dhe zonave të mbrojtura të bashkisë së re, veçanërisht atyre të kërcënuara nga pasojat mjedisore të ngritjes së HEC-eve?
Librazhdi është një vend i bekuar nga zoti me rreth 40 mijë ha zona të mbrojta. Është një destinacion turistik. Është rasti për të falënderuar qeverinë shqiptare për vendosjen e drejtorisë së zonave të mbrojtura në Librazhd. Në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të strukturave të mbrojtura. Do të krijohet një drejtori në bashki në funksion të parkut do të bëjë një vlerësim të dëmeve që janë shkaktuar nga mënyra barbare e trajtimit të pyjeve deri më sot. Atë që nuk na e ka bërë asnjë Pyjet të shfrytëzohen brenda kuadrit ligjor dhe të jenë në interes të banorëve të zonave që shfrytëzimi të sjellë të ardhura. Bashkia është masakruar si askush tjetër janë dhënë 84 leje. Ne së pari do të kontrollojmë të gjitha këto leje me shumë rigorozitet dhe kush ka firmosur nga specialistët apo titullarët që kanë përfaqësuar institucionet deri dje. Ka dhe raste kur janë dhënë leje në kundërshtim me ligjin siç ka ndodhur në parkun Shebenik- Jabllanicë, ku nuk duhet të jepeshin leje. Ato HEC-e që janë dhënë tashmë ne do të përpiqemi që të zbatohen kontratat dhe të përcaktohet qartë në kontratë për të lënë jashtë një sasi uji si dhe ndaljen e punës së HEC-eve gjatë verës pasi uji do të përdoret për vaditje nga banorët.
Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit malor dhe natyror në këtë bashki gjatë këtij mandati?
Ne kemi zona të tëra që mund të jenë një destinacion i rëndësishëm turistik. Parku pa dyshim që është një destinacion turistik por edhe zona e Polisit është shumë e rëndësishme. Përfundimi i rrugës drejt Stëblevës do të jetë një mundësi shumë e mirë për të sjellë turistë ashtu sikurse do të krijojmë një zyrë të posaçme për turizmin për të pasur një guidë, një hartë të të gjithë territorit ku ka shumë vend për të eksploruar mrekullitë e natyrës.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane në të gjithë bashkinë?
Gjendja aktuale e përpunimit të mbetjeve është jashtëzakonisht shumë e rëndë. Këtë e ka treguar edhe lumi Shkumbin. Sigurisht përpunimi është një sipërmarrje shumë e rëndësishme, por edhe shumë e vështirë. Në bashkëpunim me qeverinë do të vendosim nëse do të ndërtojmë landfill apo do t’i kalojmë në Elbasan edhe në bashkëpunim me marrëveshje me kryetarin e ri të bashkisë Elbasan. Do ta trajtojmë me prioritet
Cilët hapa konkretë do të ndërmarrë bashkia për të garantuar mosizolimin e zonave të thella gjatë muajve të dimrit?
Bashkia e re Librazhd është një nga bashkitë me territorin më të madh në vend dhe për shkak terrenit malor izolimi përbën një problem. Do të heqim dorë nga mënyra e administrimit që ka ndodhur deri tani, ku fshatra të tërë ngeleshin të bllokuar nga bora me muaj. Me ndërmarrjen e re të mirëmbajtjes së rrugëve që do kemi në bashki do të marrim masa që situata të tilla të mos përsëriten më. Do të marrim masa edhe me biznesin e atyre zonave, sepse bora bie njëherë për të gjithë dhe është e pamundur që të hapen të gjitha rrugët njëherësh por ne në bashkëpunim me biznesin do të marrim masat që të mos ketë asnjë rrugë të bllokuar gjatë dimrit.
Cila do të jetë politika e bashkisë gjatë mandatit të ardhshëm në ndihmë të komunitetit rom të zonës? Si do të lehtësohen problematikat e tyre lidhur me arsimimin, strehimin, ndihmën ekonomike, etj?
Do të shtojmë bursat për të siguruar arsimin e fëmijëve të këtij komuniteti. Do të ofrojmë kushte me kredi lehtësuese për të siguruar strehim për familjet që kanë vështirësi për strehim. Sa i takon ndihmës ekonomike është rritur masa e saj. Edhe unë vetë nuk jam i kënaqur me funksionimin e skemës për shpërndarjen e ndihmës ekonomike, por do të përpiqemi që skema aktuale e financuar nga Banka Botërore të funksionojë mirë duke u përmirësuar në vazhdim që ndihmën ekonomike ta marrin ata njerëz që kanë më shumë nevojë për të. Do të ndërhyhet për urbanizimin e zonës së stacionit të trenit duke përmirësuar kushtet e jetesës së tyre.
Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, mbështetjen e bujqësisë e blegtorisë dhe nxitjen e tregtimit të produkteve të zonës?
Unë jam shumë i lumtur që qeveria shqiptare pak ditë më parë ka marrë një kredi nga Banka Botërore për nxitjen e investimeve në bujqësi dhe blegtori. Librazhdi është një vend bujqësor. Ne do të përpiqemi të asistojmë në plotësimin e dokumentacionit të çdo aplikanti që do të kërkojë të përfitojë nga financimet e qeverisë. Për shkak të terrenit së bashkisë Librazhd nëpërmjet financimeve dhe nxitjes në blegtori ne do të arrijmë të dyfishojmë dhe të trefishojmë numrin e krerëve të bagëtive të imta në bashkinë e madhe. Do të krijojmë pika grumbullimi në bashki edhe dhoma frigoriferike të cilat do të jenë një mundësi shumë e mirë për banorët që produktet t’i shesin dhe të mos ju ngelet stok. Që të mos ndodhë më që patatja e Stëblevës të mbetet stok edhe pse është një produkt shumë i kërkuar në treg, për shkak të mungesës së instrumenteve të qeveritarëve paraardhës ky produkt i zonës ka mbetur pa shitur.
