Pas shumë vitesh në emigracion, Endrit Pepa u kthye pesë vjet më parë në qytetin e tij të Cërrikut dhe investoi në zgjerimin e aktivitetit të familjes -rritjen e bagëtive të imëta. Por planet e tij u vështirësuan nga një vendim i qeverisë shqiptare i vitit 2013, përmes së cilit u pezullua përkohësisht dhënia me qira e tokave të pandara bujqësore.
Familja Pepa e kishte siguruar ushqimin për tufën e vet të bagëtive përmes marrjes me qira të 19 hektarëve tokë bujqësore në një procedure ankandi të Drejtorisë së Bujqësisë. Pezullimi për 3 vjet i procesit shkaktoi probleme të shumta, ndërkohë që Endrit Pepa thotë se nëse kjo situatë zgjat mund ta çojë biznesin e tij drejt falimentit.
“Për 3 vjet jemi sorollatur duke marrë me qira ngastra të vogla nga fermerët e tjerë. Vitet e fundit u bë më e vështirë pasi shumë emigrantë vendosën ta punojnë vetë tokën, duke mos e dhënë me me qira. Kam 900 krerë bagëti të imta, të cilat duan ushqim,” i tha BIRN Endrit Pepa.
Më 20 prill 2016, Këshilli i Ministrave shfuqizoi vendimin e mëparshëm dhe i rihapi rrugën dhënies me qira të tokave të pandara bujqësore. Për zbatimin e vendimit u udhëzuan Ministria e Bujqësisë dhe kryetarët e bashkive.
Por një vit më pas, blegtorët e Cërrikut vazhdojnë të vuajnë pasojat e mozbatimit të këtij udhëzimi. Në fund të vitit 2016, Drejtoria e Bujqësisë shpalli ankandin për dhënien me qira të tokave të pandara bujqësore dhe më pas e anuloi atë. Endrit Pepa i tha BIRN se nuk mori asnjë shpjegim për arsyet e anulimit të ankandit.
“Jemi tre blegtorë të tufave të mëdha me bagëti të imta që jemi në situatë mjaft të vështirë. Shteti na ka subvencionuar të mbarështojmë bagëti, por nuk na krijon mundësitë që t’i mbajmë ato,” ankohet ai.
E kontaktuar nga BIRN, Ministria e Bujqësisë deklaroi se prej vitit 2014 administron mbi 18 000 hektarë tokë, subjekt i ligjit të dhënies me qira ose me koncesion. Ajo shpjegoi se në zonën kadastrale 2281 në Cërrik nuk u zhvillua ankandi, për shkak të një procesi gjyqësor të hapur mbi njërën prej parcelave.
Bashkia Cërrik konfirmoi gjithashtu se është në dijeni të ankesave të Endrit Pepës, të cilat po ndiqen nga ky institucion. Drejtori për Bujqësinë në këtë bashki, Vasjar Shermadhi i tha BIRN se procedura e ankandit pritet të hapet sërish.
“Ne do të jemi gjithmonë të gatshëm për zgjidhjen e problemeve të blegtorëve, por këto toka nuk varen nga ne, por nga Drejtoria e Bujqësisë,” tha Shermadhi.
Ndërkohë që institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, fermerët e Cërrikut ankohen se tokat bujqësore janë zaptuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa ata nuk i lejojnë as të kalojnë bagëtitë nëpër rrugë. Endrit Pepa shpjegon se në vit paguante deri në 500 mijë lekë qera për tokën, ndërsa sot ajo po shfrytëzohet pa asnjë kontratë, ndërkohë që atyre u mohohet e drejta e shfrytëzimit.
“Unë si blegtor i kërkoj shtetit të më ndihmojë të dal nga situata që jam, pasi bagëtitë i kam të izoluara. Pse shteti lejon shfrytëzimin pa kontrata të tokave dhe nuk bën procedurën e ankandit?,” pyet ai.
Familja Pepa nuk është e vetmja në këtë betejë. Faik Salla, një tjetër fermer nga Cërriku ankohet se ka pasur në përdorim kullota në vendin e quajtur Radiostacioni, por i janë marrë me “urdhër nga lart”.
“Kam pasur 500 krerë bagëti, tani më kanë mbetur 300. Na i morën tokat e na lanë rrugëve,” thotë me dëshpërim ai.
Zvarritja e dhënies me qera të tokave në Cërrik ka shkaktuar konflikte mes banorëve dhe atyre që ata i quajnë “zaptues”. Ndërsa luftojnë për të siguruar ushqim për tufat e tyre të bagëtive, fermerët akuzojnë gjithashtu se biznese të caktuara kanë lidhur kontratë me drejtorinë e Bujqësisë edhe gjatë periudhës së pezullimit.
Në komunikimin me BIRN, ministria e Bujqësisë sqaroi se toka në fjalë ka si origjinë ish-Ndërmarrjen Bujqësore, për të cilën dhënia me qira nuk u pezulluan nga vendimi i qeverisë. Ajo shton se procedurat konkurruese për këtë tokë janë zbatuar sipas legjislacionit në fuqi.
Faik Salla tha se ai nuk aplikoi në ankand, pasi nuk sheh ndonjë mundësi se mund të fitonte. Ai apeloi për një zgjidhje nga shteti, në mënyrë që të ketë mundësi të mbajë tufën e tij të bagëtive.
“Bagëtitë tona rrezikojnë të ngordhin pasi nuk i përballojmë dot ushqimin e tyre. Kërkoj të na japë shteti tokat me qira të mbajmë bagëtitë,” përfundon ai.