Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Prrenjas?
Viti i parë ka qenë një vit me sfida të mëdha. Një pjesë i kemi adresuar ndërkohë një pjesë tjetër duan kohë dhe arsyet nuk janë thjeshtë të karakterit subjektiv, por të karakterit objektiv. ( Për çështje të fondeve dhe kapaciteteve). Sektori i shërbimeve publike meqenëse është një gjë që njerëzit e prekin, ka pasur rezultate pasi mund të them se mesazhet pozitive që kam marrë nga qytetarët kanë qenë të shumta, kryesisht me ndriçimin dhe me shërbimet publike. Krijimi i hapësirave të gjelbra për fëmijët dhe për brezin e tretë. Kemi krijuar një zyrë për kërkesat dhe ankesat e qytetarëve. Feedback-u që ka marrë bashkia ishte i menjëhershëm dhe mjaft pozitiv.
Kemi pasur sukses në mbledhjen e taksave. Në planin e realizuar në 6 mujorin e parë ne kemi mbledhur 120% taksat. Kemi një ndërgjegjësim edhe në disa komuna. Edhe nga kontrolli i KLSH na u tha për arritjen e një performance kaq të mirë në këtë sektor.
Sektori i tretë ku ne kemi pasur sukses ka qenë sektori i shërbimit social. Ne bëjmë pjesë në ato bashki që nuk kemi pasur shërbim social. Tani ne jemi në proces. Kemi krijuar drejtorinë e shërbimit social të përbërë nga sociologë dhe psikologë për t’i ardhur në ndihmë grupeve në nevojë. Nuk kemi pasur as strehëza. E kemi krijuar një strehëz për t’i dhënë një hapësirë të sigurt grave të dhunuara. Sa i përket investimeve kemi fituar fondin për një ndërhyrje nga Ministria e Transporteve për një ujësjellës për tre fshatra në komunën Qukës me vlerën 130 mln lekë të reja dhe një investim në pjesën hyrëse deri në dalje të qytetit me vlerën e 82 mln lekëve.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Një ndër sfidat është marrja në administrim të plotë të ujësjellësit të qytetit dhe për këtë jemi duke bërë të gjitha përpjekjet. Ndërkohë ndërtimi i një këndi lojërash për fëmijët është një tjetër sfidë që shpresojmë ta realizojmë shumë shpejt. Një tjetër sfidë është punësimi, për të cilin kemi shumë projekte në vazhdim për sjelljen e investitorëve të huaj dhe ngritjen e kapaciteteve për tregun e punës.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimerve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Nëse ka një gjë që duhet konsultuar me qytetarët është plani i përgjithshëm vendor. Bashkia Përrenjas është ndër 26 bashkitë e para që po financohet për hartimin e këtij plani. Të treja dëgjesat publike ne i kemi kaluar. Ka marrë pjesë edhe media. Në fazën e tretë kemi ftuar grupe të ndryshme interesi, intelektualë të qytetit të profesioneve të ndryshme për të pasur një feedback më të pasur. Për çdo njoftim kemi publikuar vendet vakante në faqen zyrtare të facebook të bashkisë së Prrenjas. Ne kemi qenë transparent në gjithçka. Edhe në pjesën e marrëdhënieve me qytetarët sa i përket ankesave apo kërkesave. Të gjitha konsultohen në një kohë të shkurtër dhe secili merr përgjigje qoftë edhe për ankesa ndaj punës së stafit të bashkisë.
Cila është situata e menaxhimit të mbetjeve urbane në bashkinë tuaj?
Situata me mbeturinat është nën kontroll, por jo e zgjidhur. Sidomos me komunat e kemi këtë problem. Kanë vetëm disa pika ku i grumbullojnë dhe shkojnë mjetet e bashkisë për t’i pastruar. Është problem pasi akoma nuk ka një ndërgjegjësim për grumbullimin dhe shpesh i djegin. Ne kemi edhe një udhëzim nga Ministria e Mjedisit të krijojmë landfillin tonë. Ne kemi një vendgrumbullimi natyral mbi qytetin Prrenjas, por ai nuk mund të lihet në gjendje të tillë. Duke qenë mbi qytet nuk është një zgjidhje ideale dhe kemi projektuar një tjetër landfill në pjesën e poshtme ku edhe të përpunohen. Nuk shikojmë si zgjidhje inceneratorin e Elbasanit pasi ka një kosto shumë të madhe.
Çfarë është bërë për furnizimin me ujë të pijshëm dhe ndërhyrjen në ndriçim për Prrenjasin?
Jemi ndër bashkitë qe kemi ujë mjaftueshëm. Megjithatë kemi hasur në abuzime të shumta siç është ujësjellësi në Qafë Thanë, me lidhjet e paligjshme aty. Ndërkohë kemi hasur në ngërçe pasi ujësjellës i Prrenjasit është i pandarë nga ujësjellësi i Librazhdit. Unë tani kam qytetin e Prrenjasit që kontrollohet nga sh.a Librazhd e ndërsa fshatrat i kontrollojmë vetë. Ne po bëjmë pjesën tonë të përpjekjeve për ta ndarë nga sh.a Librazhd në mënyrë që të kemi më shumë mundësi për ta kontrolluar, për të mbledhur të ardhurat dhe për të investuar. Një vit më pas mund të themi se banorët kanë ujë të mjaftueshëm për vaditje dhe për konsum. Në rast të kontrollit do të kemi mundësi të ulim çmimin dhe të investojmë në rrjet. Sa i përket ndriçimit nga dretjoria e Shërbimeve është instaluar një sistem tjetër i llampave led për të kursyer energjinë, por kemi hasur probleme si vjedhja e telave apo ndriçuesve. Besoj se brenda shtatorit do ta zgjidhim këtë problem.
Çfarë ka ndryshuar sa i përket turizmit kulturor dhe a është bërë fakt tregu i produkteve bio të banorëve përgjatë rrugës nacionale? Nëse jo kur do të jetë funksional?
Ne kemi pasuri të mëdha të turizmit malor dhe është një ndër sfidat e mia më të mëdha të këtij mandati. Në bashkinë tonë kemi një pjesë të parkut kombëtar Shebenik Jabllanicë. Jemi duke hartuar projekte dhe duke aplikuar për t’i realizuar ato pasi kjo zonë është një zonë perlë sa i përket faunës dhe florës. Duam shumë ta zhvillojmë për ndërtimin e fshatrave turistikë, për ta kthyer këtë zonë si Voskopoja sot. Problemi më i madh është infrastruktura rrugore. Kemi aplikuar dhe jemi në pritje të një financimi. Ka pasur dhe ka akoma interes nga turistë të huaj.
Jemi duke punuar për hapjen e një vendgrumbullimi për bimët medicinale të zonës. Në rrugë nuk do të ketë treg përkundrazi. Ne kemi fituar një projekt nga FZHR për të hequr autobuzë e taksi dhe për të ndërtuar një bulevard. Është një projekt 82 mln lekë të reja për të gjithë gjatësinë e rrugës përgjatë qytetit. Kam premtuar largimin nga rruga të pikave të shitjeve dhe rruga të jetë e rregulluar me ndriçim dhe gjelbërim. Për autobuzat do të përdoret një terminal. Tregun e kemi menduar tek zona industriale për bimët medicinale ndërkohë tregun industrial do ta spostojmë në zonën e vjetër. Ndërkohë në vendin e tregut do të investojmë për një kënd lojërash që bashkia Prrenjas nuk e ka.