Don't miss:  Reporter.al
more
Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us 
Published by
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë
Harta – Zgjedhjet Vendore 2023 Lajme Analiza Profilet Kryetarët e Bashkive Intervistat me Kandidatët Premtimet Elektorale Këshillat Bashkiakë Rreth Faqes Kontaktoni
News24 May 2016

Përdori sigurimet shoqërore për të paguar futboll, shpallet në kërkim Hasan Halili, ish-kryebashkiaku i Kukësit

Prokuroria zbuloi një skemë të paligjshme të financimit të klubit të futbollit Kukësi, me kosto prej 45 milionë lekësh për buxhetin e bashkisë, duke lënë pa paguar sigurimet shoqërore e shëndetësore për punonjësit e bashkisë. Arrestohen edhe tre ish-drejtorë.

Author: Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë
Print

Hasan Halili

Hasan Halili

Skuadra e futbollit Kukësi është një nga skuadrat më të suksesshme në kategorinë Superiore të kampionatit shqiptar dhe e saposhpallur fituese e Kupës së Shqipërisë, por suksesi i skuadrës duket se ka ardhur me kosto për administratën e mëparshme të Bashkisë së Kukësit, pasi prokuroria zbuloi se katër ish-zyrtarë të saj, përfshirë ish-kryebashkiakun e djathtë Hasan Halili, patën krijuar një skemë të paligjshme për sponsorizimin e skuadrës me 45 milionë lekë të rinj, përgjatë periudhës 2011-2015.

Me kërkesë të Prokurorisë së Kukësit, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për disa ish-zyrtarë të lartë lokalë, të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës””, deklaroi Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për shtyp sot (24 maj). Për rrjedhojë, Mirdash Hoxha, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Kukës, Lekë Deda, ish-drejtor i Financës dhe Gëzim Ukperaj, ish-drejtor i Borxhit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, Kukës, u arrestuan me urdhër të prokurorisë së Kukësit ndërsa ish-kryetari i Bashkisë Hasan Halili, u shpall në kërkim pasi nuk u gjet në banesë.

Prokuroria e Kukësit nisi hetimin në nëntor 2015, në bazë të një kallëzimi të Bashkisë së Kukësit, në të cilën ishin ngritur dyshime për veprime të paligjshme nga ana e ish-drejtuesve të këtij institucioni, të cilët ishin larguar pas zgjedhjeve lokale të qershorit 2015.

Hetimet zbuluan se Shoqëria “Klubi i Futbollit Kukësi” sh.a u krijua vitin 2011, si një shoqëri tërësisht private, por në vitin 2012, me një vendim fiktiv, me kërkesë të Kryetarit të Bashkisë në atë kohë, Bashkia Kukës regjistroi si aksionere e kësaj shoqërie, pa asnjë bazë ligjore.

“Pas regjistrimit fiktiv si aksionere në këtë shoqëri private, Bashkia e Kukësit ka dhënë në formën e sponsorizimit për ekipin e futbollit mbi 45 milionë lekë të reja. Hetimi ka provuar se këto pagesa janë kryer tërësisht në kundërshtim me ligjin”, thotë prokuroria.

Hetimet zbuluan se bashkia nuk kishte para për të financuar aventurën në futboll dhe përdori fondet e destinuara për detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore të pjesës më të madhe të punonjësve që janë të regjistruar në ndërmarrjet e Bashkisë, për të mbuluar shpenzimet e sponsorizimit.

Kukësi është vetëm një nga shumë bashkitë shqiptare që kanë përdorur fonde të destinuara për pagesat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për qëllime të tjera.

Aktualisht 11 bashki dhe 14 komuna të ndarjes administrative e territoriale të mëparshme kanë urdhëra sekuestrosh nga tatimet për shkak të këtyre manovrave.

“Rezulton se Bashkia e Kukësit, për periudhën objekt-hetimi, ka qenë në dijeni të borxhit të akumuluar për shkak të mospagesës së detyrimeve. Megjithatë, si nga ana e Bashkisë, ashtu edhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor për të rikthyer normalitetin financiar,” thotë prokuroria.

 

“Për më tepër, pavarësisht rritjes së borxhit nga viti në vit, rezulton se organika e Bashkisë është rritur periodikisht, duke shtuar ndjeshëm detyrimin që institucioni kishte ndaj administratës tatimore. Edhe kjo e fundit, megjithëse ka qenë në dijeni të situatës anormale, nuk ka ndërmarrë procedurat e nevojshme ligjore, përfshirë edhe masat përkatëse, për të detyruar Bashkinë Kukës të sistemonte financat e saj,” vijon më tej Prokuroria.

Hasan Halili ka qenë kryetar i bashkisë Kukës për dy mandate për Partinë Demokratike, por kandidoi për një mandat të tretë në zgjedhjet e vitit 2015, i kandiduar nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim për koalicionin e majtë. Halili humbi zgjedhjet përballë kandidatit të djathtë Bashkim Shehu pasi mori vetëm 45 për qind të votave.

ABOUT THE AUTHOR

Gjergj Erebara

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.

Rreth Faqes Kontaktoni
Follow Us: Reporter.al | Facebook | Twitter | Google+
© 2014 All Rights Reserved.