Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Belshit kufizohet në veri me bashkinë Peqin, në lindje me bashkinë Cërrik, në jug me bashkinë Kuçovë dhe në perëndim me bashkinë Lushnje. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Belshit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 19.503 banorë dhe densitet prej 99.28 banorë për km², ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki ka një popullsi prej 32.389 vetë dhe densitet prej 168.88 banorë për km². Sipërfaqja e bashkisë së re është 196.44 km2.
Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Belsh, Grekan, Kajan, Fierzë dhe Rrasë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Elbasanit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 34 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Belshit shtrihet pothuajse tërësisht në pllajën kodrinore karstike të Dumresë, një zonë kodrash të buta me bazë gëlqerore mbi të cilat është krijuar një panoramë piktoreske me 85 liqene karstike me një sipërfaqe të përgjithshme prej 14.2 km2.
Kodrat e Dumresë qenë në përgjithësi të mbuluara me pyje dushku, por pjesa më e madhe e pyjeve u prenë gjatë kohës së komunizmit për të krijuar hapësirë për toka buke. Një pjesë e banorëve të kësaj zone janë zhvendosur në të kryesisht nga rrethi i Gramshit në periudhën e mbretit Zog, por edhe pas çlirimit të vendit.
Belshi është një bashki tërësisht rurale me produkte të diversifikuara nga blegtoria te zarzavatet dhe bostanoret, por një numër fermerësh janë përqendruar te kultivimi i duhanit, për të cilin janë specializuar.
Për shkak të terrenit kodrinor, cilësia e tokës dhe aksesi në ujitje është i variueshëm, gjë që ka sjellë edhe parcelizim tepër të lartë të tokës që iu shpërnda familjeve fermere në vitin 1991. Një pjesë shumë e madhe e familjeve e kanë tokën të ndarë në katër apo pesë parcela në distancë të konsiderueshme nga njëra-tjetra, gjë që rrit kostot dhe mundin e këtyre familjeve për kultivimin e të gjithë sipërfaqes së tokës së punueshme.
Një pjesë e këtyre tokave, veçanërisht atyre të hapura për kultivim pas viteve 1970, kanë rendiment të ulët për shkak të mungesës së aksesit në vaditje. Rrjedhimisht në disa anë të bashkisë së re ka një tendencë për braktisje të tokës bujqësore, e cila ofron edhe një mundësi për rikthimin e pyjeve të dushkut, të cilat kanë gjithashtu leverdishmëri ekonomike, por në terma afatgjatë.
Gjithashtu, në zonën e Kosovës ka burime të mermerit të kuq dhe gipsit, të cilat janë të pashfrytëzuara.
Zona e Belshit ofron mundësi për ekoturizëm dhe agroturizëm, por deri tani nuk ka pasur një strategji zhvillimi në këtë drejtim. Pavarësisht investimeve që janë bërë në segmentet rrugore Belsh-Fierzë-Lushnje dhe Belsh-Shezë-Peqin, aksi Elbasan-Belsh-Kuçovë-Berat mbetet ende i pafinalizuar. Për rrjedhojë, rruga lidhëse e kësaj bashkie me qytetin e Elbasanit, si qendra më e madhe urbane në afërsi të saj, është e amortizuar plotësisht duke e bërë të vështirë arritjen e qendrës së qarkut.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Furnizimi me ujë, heqja dhe grumbullimi i mbetjeve, krijimi i infrastrukturës së kanalizimeve të ujërave të zeza si dhe rehabilitimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me qytetet kryesore fqinje si Elbasani apo Berati janë shqetësimet kryesore të banorëve të zonës.
Ndërtimi i infrastrukturës bazë në qytezën e Belshit është sfida kryesore e bashkisë së re, veçanërisht për shmangien e derdhjes së ujërave të zeza në liqen. Mirëmbajtja e një blloku pyjor të rigjeneruar rreth 15 vite më parë dhe ndalimi i prerjeve të paligjshme është e domosdoshme për të krijuar zhvillim të qëndrueshëm.
Furnizimi me ujë të pijshëm është shqetësim permanent i banorëve siç është edhe sistemi i vaditjes së tokave.
Zhvillimi i sistemit të grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore përmes krijimit të bashkimeve të fermerëve ofron mundësi për të rritur të ardhurat e fermerëve dhe për të hapur rrugën për zhvillimin e agropërpunimit.
Sigurimi i tregjeve dhe i çmimeve të qëndrueshme për duhanin është gjithashtu një sfidë.
Për shkak se zona është rurale, të ardhurat e bashkisë së re pritet të jenë të pamjaftueshme për të zhvilluar shërbimet publike bazë në bashkinë e re Belsh.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Belshit kishin të drejtën e votës 23 992 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 11 719 votues, 48.85% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Arif Tafani të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 45.51% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Belsh (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor | Vota | Përqind | Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane | 6882 | 60,85% | 13 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet | 3998 | 35,35% | 8 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë | 160 | 1,41% | 0 |
Aleanca Popullore | 269 | 2,38% | 0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Arif Tafani, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)