Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Elbasanit kufizohet në veri me bashkinë Tiranë, në lindje me bashkinë Librazhd, në jug-lindje me bashkinë Prrenjas, në jug-perëndim me bashkinë Gramsh dhe në perëndim me bashkitë Cërrik dhe Peqin. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Elbasanit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 141,714 banorë me densitet prej 162.51 banorë për km², ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 205,892 vetësh dhe densitet prej 236.11 banorë për km². Bashkia e Elbasanit ka një sipërfaqe prej 872,03 km2.
Kjo bashki përbëhet nga 13 njësi administrative, të cilat janë: Elbasan, Labinot-Fushë, Labinot-Mal, Gjinar, Shushicë, Gjergjan, Funar, Shirgjan, Tregan, Gracen, Bradashesh, Zavalinë dhe Papër. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Elbasanit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 116 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Elbasanit do të jetë një nga më të mëdhatë në Shqipëri, si dhe një nga bashkitë më komplekse për t’u administruar. Qyteti i Elbasanit, me rreth 80 mijë banorë, ka aktualisht rreth 60 për qind të popullsisë së bashkisë ndërsa pjesa tjetër është e ndarë në shumë njësi administrative, disa prej të cilave gjenden në terrene të thyera malore.
Bashkia e re ka në territorin e saj një pjesë të madhe të industrisë së rëndë të Shqipërisë, përfshirë fabrikën e çelikut, atë të çimentos, ferrokromit, etj, gjë që i ka dhënë kësaj zone edhe një nga nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në vend. Një pjesë e njësive administrative shtrihen përgjatë luginës së Elbasanit, por më shumë se gjysma e ish-komunave gjenden në një seri zonash malore, duke filluar nga Graceni te Labinot Mal, Gjinari e Zavalina apo ish komuna Funar.
Elbasani është një nga zonat më të varfra në Shqipëri për shkak se qyteti u ndërtua gjatë kohës së komunizmit për të përqendruar disa dhjetëramijëra punëtorë përreth zonës industriale të Kombinatit Metalurgjik, ndërkohë që te industria e mbijetuar tashmë janë punësuar vetëm pak mijëra banorë duke lënë pjesën tjetër të popullsisë të papunë.
Zonat malore përreth Elbasanit kanë infrastrukturë rrugore të keqe ose relativisht të keqe si dhe të kushtueshme për t’u mirëmbajtur. Parku kombëtar i Gjinarit në krahinën historike të Shpatit është i përshtatshëm për turizëm të natyrës dhe të kulturës, por është duke u dëmtuar vazhdimisht nga prerjet e paligjshme të pyjeve.
Ndërkohë mjedisi është mjaft i rëndësishëm për të pasur një jetesë të shëndetshme dhe me ajër të pastër përballë fluksit të madh të automjeteve në kuadër të zhvillimit kryesisht të qyteteve. Një nevojë imediate është zgjerimi i zonave të gjelbra, shtrirja edhe në lartësi, krijimi i fashave të gjelbra i kombinuar me rrjedhat e Zaranikës dhe Manasderes për ta shtrirë më tej këtë model në zonat urbane. Aktualisht sa i përket hapësirave të gjelbra Elbasani ka një park të qytetit dhe dy lulishte ndërkohë që është shpallur park edhe Krasta, e cila ende nuk ka infrastrukturë shërbimesh për ta bërë të vizitueshme nga qytetarët.
Trajtimi i fushës aktuale të mbetjeve duke e bërë atë të parrezikshme dhe të izoluar nga lumi Shkumbin do ta bënte jetën më të shëndetshme për banorët e pjesës së poshtme të qytetit. Mbetjet e ngurta çdo ditë e më shumë kthehen në male të rrezikshme duke e bërë të pamundur trajtimin për shkak të sasisë së madhe të depozituar.
Komuniteti rom dhe egjiptian përbën rreth 10 për qind të popullsisë së qytetit të Elbasanit dhe jeton aktualisht në kushte shumë të këqija. Njëra nga lagjet e banuara nga romët nuk është pajisur ende me infrastrukturë bazë dhe është vazhdimisht e rrezikuar nga përmbytjet.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Bashkia e re do të përballet me sfida si në zhvillimin e infrastrukturës në qytetin e Elbasanit ashtu edhe në ndërtimin e rrugëve apo mirëmbajtjen e tyre nëpër komunat e shumta malore të kësaj bashkie.
Brenda në qytet, infrastruktura dytësore, hapësirat e argëtimit të administruara nga pushteti vendor, mundësi për strehim dhe shërbim ndaj moshës së tretë janë disa nga nevojat që ka një qytet gjithmonë e në rritje. Shtrirja e infrastrukturës në lagjet periferike si dhe rehabilitimi i disa lagjeve të varfëruara shumë përgjatë dekadave të fundit kërkon investime të konsiderueshme në një zonë që vijon të mbetet shumë e varfër dhe me papunësi të lartë. Rrugët dhe transporti publik drejt komunave malore janë gjithashtu shumë problematike.
Bashkisë së re do t’i duhet të përkujdeset për zhvillimin e bujqësisë në kushtet kur toka e punueshme është e paktë si në zonën fushore përgjatë Shkumbinit ashtu edhe në zonat malore.
Ka aktualisht dy çerdhe në shërbim të nënave dhe 8 kopshte të pavarura nga institucionet shkollore. Tanimë bashkia duhet të angazhohet në rritjen e kësaj infrastrukture si dhe të kujdeset për kopshtet dhe çerdhet në zonat rurale duke qenë se edhe territori i saj është rritur.
Zona industriale është një sipërfaqe e madhe ku veprojnë me dhjetëra biznese ndër të cilat edhe kompani të mëdha që eksportojnë hekur e krom. Ndaj duhet një plan që jo vetëm të mbrojë qytetarët nga ndotja por edhe që bashkia të përfitojë ekonomikisht nga këto ndërmarrje private. Biznesi duhet të marrë një drejtim tjetër sidomos në zonën e Cërrikut ku familjet janë në zgrip të ekonomisë, duhet të kemi një zhvillim ekonomik që duhet të nxisë investimet private dhe sjelljen e projekteve të huaja në këtë zonë.
Aktualisht Elbasani merr mesatarisht 6 orë ujë në ditë dhe synimi i përhershëm ka qenë shtimi i orëve të furnizimit me ujë deri në 24 orë. Kjo do të thotë që sfida e re e bashkiakut duhet të jetë furnizimi me ujë e qytetit dhe zhvillimi i një plani urbanistik për të.
Numri shumë i lartë i fshatrave që gjenden në territorin e bashkisë së re e bën të nevojshme krijimin e kanaleve të komunikimit me këto komunitete.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Elbasanit kishin të drejtën e votës 158,751 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 75,159 votues, 47.34% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Qazim Sejdini të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 60.29% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Elbasan (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor | Vota | Përqind | Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane | 48694 | 66,53% | 35 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet | 22350 | 30,54% | 16 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë | 1057 | 1,44% | 0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut | 135 | 0,18% | 0 |
Ilirjan Ismail Sadiku | 958 | 1,31% | 0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Qazim Sejdini, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)