Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Finiqi kufizohet në veri me bashkinë Delvinë, në jug me bashkinë Konispol, në lindje me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkinë Sarandë. Kryeqendra e Bashkisë është Finiqi.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 11,862 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 39,055 banorë në një sipërfaqe prej 441.20 km2. Në bazë të të dhënave të censusit, densiteti i popullsisë është 26.7 banorë për km2 ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 88.51 banorë/km2.
Njësitë administrative përbërëse janë: Finiq, Aliko, Mesopotam, Dhiver dhe Livadhja. Të gjitha njësitë administrative janë pjesë e rrethit Sarandë, qarku Vlorë. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Finiqi është një bashki që shtrihet në zonën bujqësore të fushës së Vurgut dhe në zonën malore të rrëzomës së Vurgut. Banorët e zonës i përkasin minoritetit grek dhe kjo zonë ka përjetuar hemorragji demografike si pasojë e largimit të popullsisë drejt kërkimit të një jete më të mirë në Greqi.
Zona bujqësore është pjellore dhe aktiviteti bujqësor është rigjallëruar gjatë viteve të fundit.
Infrastruktura e komunës është përmirësuar gjatë dy dekadave të fundit falë investimeve të shumta ndërkufitare por emigrimi ka larguar nga zona pjesën më të madhe të popullsisë, veçanërisht të rinjtë, duke lënë pas njerëz të moshuar.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Bashkia e re pret hartimin e një plan zhvillimi më të detajuar ku do të mbizotërojnë veprat qe përfshijnë një sipërfaqe më të madhe territori, si p.sh. furnizimi me ujë të pijshëm i të gjitha fshatrave. Janë burimet e kristalta te Leshnicës, syri i kaltër prej të cilave pritet të bëhet furnizimi me ujë të pijshëm i zonës. Gjithashtu priten investime ne bujqësi për vaditjen. Pas rikonstruksionit nga fondi grek i kanalit Thoma Filipeu, i cili tanimë duhet çuar drejt përfundimit duke përmbledhur gjithë sipërfaqe e punueshme. Investimi në turizëm është një sfidë tjetër, e nisur nga komuna qe ne vitin 2010, me ngritjen e grupeve polifonike, festivalin e Finiqit dhe gjithashtu ka hapësira për zhvillim të turizmit në fshatrat Dhrovjan dhe Leshnice. Turizmi mund të shfrytëzohet në të gjitha mënyrat edhe përmes monumenteve kulturore, pa harruar bashkëpunimin me Bashkinë e Sarandës, jo vetëm për shkak të fqinjësisë por edhe për shkak të marrëdhënieve historike me Sarandën. Bashkëpunimi mund të shfrytëzohet duke krijuar një rrjet turistik ku nga Saranda turistët të vijnë në Finiq në të cilin ndodhen dhe ndërtesa antike.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Finiqit kishin të drejtën e votës 29,668 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 8,495 votues, 28.63% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Leonidha Hristo nga Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, me 52.87% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor | Vota | Përqind | Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane | 3182 | 38,77% | 8 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet | 663 | 8,08% | 1 |
Minoriteti Etnik Grek per te Ardhmen | 2191 | 26,69% | 6 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë | 35 | 0,43% | 0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut | 2137 | 26,04% | 6 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Leonidha Hristo, Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)