Profile15 Oct 2015

Profili i bashkisë Kavajë

Furnizimi me ujë, kanalizimet, pastrimi i vijës bregdetare dhe plani zhvillimor janë sfidat kryesore ne zonat urbane të bashkisë Kavajë, ndërkohë që për zonat rurale infrastruktura rrugore dhe vaditja mbeten prioritet kyç.

Autor: BIRN BIRN Kavajë
Printo

Harta e re territoriale e bashkisë Kavajë

Harta e re territoriale e bashkisë Kavajë

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Kavaja kufizohet në veri nga bashkia Durrës, në lindje nga bashkia Tiranë, në jug nga bashkia Rrogozhinë dhe në perëndim nga deti Adriatik. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Kavajës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 Kavaja numëron një popullsi prej 40,094 banorësh, ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 79,445 banorë. Me sipërfaqe prej 198.81 km2, ajo ka densitet prej 201 banorë/km2 sipas censusit dhe 400 banorë/km2 sipas regjistrit civil.

Bashkia e re përbëhet nga pesë njësi administrative të cilat janë: Kavaja, Synej, Luz i Vogël Golem dhe Helmas. Të gjitha janë pjesë e Rrethit Kavajë të Qarkut Tiranë. Bashkia e re ka një qytet dhe 32 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili Bashkisë

Bashkia e Kavajës shtrihet në një zonë kodrash të buta dhe fushash pjellore përreth qytetit të Kavajës deri në detin Adriatik, ku gjenden plazhe pjesërisht ranore dhe pjesërisht shkëmbore. Qyteti i Kavajës zë gjysmën e popullsisë së njësisë së re ndërsa njëra nga dy njësitë administrative bregdetare, Golemi, është ndërtuar gjatë viteve të fundit për shërbime turistike duke u larguar nga bujqësia. Komuna Synej e ka bregun e detit në përgjithësi ende pa ndërtime.

Qyteti i Kavajës është një qendër historike zejtare i cili e mori statutin e Kasabasë (ekuivalentin e titullit qytet) në vitin 1867). Popullsia e tij u shtua gjatë kohës së komunizmit në përgjithësi e përqendruar rreth traditës zejtare të qytetit, përfshirë prodhimin e enëve të baltës, prodhimit të qilimave si dhe industrive të reja si fabrika e qelqit apo Uzina e Gozhdëve dhe Bullonave. Aktiviteti industrial i qytetit është reduktuar ndjeshëm pas rënies së komunizmit duke sjellë edhe emigrim të konsiderueshëm.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Furnizimi me ujë dhe kanalizimet janë të ndërtuara në qytetin e Kavajës por një problem i vazhdueshëm dhe me pasoja të rënda negative për njësinë administrative të Golemit, ku uji i pijshëm është shumë i paktë dhe ujërat e zeza derdhen në det duke reduktuar potencialin turistik të zonës.

Shqetësimi kryesor i banorëve të zonës bujqësore është mosmirëmbajtja periodike dhe rrjedhimisht, mosfunksionimi për periudha të gjata kohore të një kanali vaditës që merr ujin e Shkumbinit deri në Kavajë. Objekti ka filluar të ndërtohet që në vitet 1930 dhe është mirëmbajtur me hope përgjatë 25 viteve të fundit duke reduktuar potencialin prodhues së bujqësisë së zonës.

Për zonën kodrinore të Helmësit, e cila ka edhe numrin më të vogël të popullsisë nga njësitë administrative përbërëse të Kavajës ka vështirësi me mirëmbajtjen e rrugëve.

Hartimi i një plani zhvillimor urbanistik për qytetin e Kavajës si dhe veçanërisht për zonën bregdetare mund të sjellë zhvillim të konsiderueshëm të zonës të orientuar nga bujqësia dhe turizmi. Mirëmbajtja e infrastrukturës bujqësore, veçanërisht i sistemit të vaditjes mund të rrisë prodhimin bujqësor në territorin e kësaj bashkie.

Pastrimi i vijës bregdetare dhe zgjidhja e problemit të ujërave të zeza veçanërisht në zonën e Golemit e cila sakaq është e ndërtuar dendur mund të shërbejë për të zhvilluar turizmin.

Banorët e ish-komunave kanë shqetësim mungesën e një sistemi të transportit publik të integruar nga Kavaja deri në Durrës pasi aktualisht transporti publik ofrohet nga disa kompani në segmente të kufizuara, gjë që vështirëson qarkullimin e njerëzve, veçanërisht të nxënësve.

Marrëdhëniet mes qytetit të Kavajës dhe njësive administrative përbërëse mund të jenë problematik për shkak se shumica e votave në bashkinë e re janë përqendruar në qytetin e Kavajës gjë që redukton ndjeshëm peshën e votave të zonave rurale.

Administrata vendore e bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Kavajës kishin të drejtën e votës 60,466 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej   26,778 votues, 44.29% e zgjedhësve.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z.Elvis Rroshi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 63.61% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Kavajë (kliko këtu).

Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:

Subjekti zgjedhor

Vota

Përqind

Mandate

Aleanca për Shqipërinë Europiane

16318

62,91%

20

Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet

9239

35,62%

11

Partia Kristian Demokrate e Shqiperise

211

0,81%

0

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë

128

0,49%

0

Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut

44

0,17%

0

 

Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:

Kryetar Bashkie: Elvis Rroshi, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)