Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Kukësi kufizohet në veri me Bashkinë Krumë, në perëndim me bashkitë Mirditë dhe Fushë-Arrëz, në jug me Bashkinë Dibër dhe në lindje me Republikën e Kosovës dhe me atë të Maqedonisë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Kukësit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, popullsia është 47,985 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 59,393 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 933.86 km2 me një densitet prej 63.59 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 51.38 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Kjo bashki përbëhet nga 15 njësi administrative, të cilat janë: Kukësi, Malzi, Bicaj, Ujmisht, Tërthore, Shtiqën, Zapod, Shishtavec, Topojan, Bushtricë, Grykë-Çajë, Kalis, Surroj, Arrën dhe Kolsh. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Kukës dhe pjesë e po këtij qarku. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 87 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Kukësi ishte një qendër industriale gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Deri në vitet ’90, Kukësi kishte industri të nxjerrjes dhe shkrirjes së bakrit (teknologji sovjetike e viteve ’60), nxjerrjes dhe koncentrimit të mineralit të kromit, nxjerrjes së mineralit të kuarcit, prodhimit të materialeve të ndërtimit (materiale inerte, parafabrikate etj).
Ai njihet si një vend me traditë në rritjen dhe mbarështimin e deleve. Cilësia e mishit dhe e leshit të deleve lumjane ishte e njohur në të gjithë Ballkanin. Kukësi ishte gjithashtu një qendër e njohur e transportit. Krahas llojeve të tjera të transportit, aty ishte i zhvilluar dhe transporti ujor përmes liqenit artificial të Fierzës, i cili bënte të mundur lëvizjen e mallrave dhe të udhëtarëve si dhe zhvillimin e turizmit. Që prej vitit 2000, transporti përmes Liqenit të Fierzës ka pushuar së ekzistuari.
Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të qytetit dhe të fshatrave punonin në zonën nxjerrëse dhe përpunuese të kromit në Kalimash si dhe në minierën e nxjerrjes së bakrit në Gjegjan. Transformimet e domosdoshme ekonomike drejt tregut të lirë pas viteve ’90 bënë që pjesa më e madhe e industrisë së lartpërmendur të falimentojë tërësisht, sepse ajo industri ishte ngritur për të funksionuar në kushtet e një ekonomie të centralizuar. Mirëpo kjo shkaktoi shumë plagë sociale, duke krijuar një numër të madh të papunësh. Moszgjidhja në kohë e problemeve të pronësisë mbi tokën (veçmas problemeve të mbartura, të krijuara nga shpërngulja e detyrueshme e banorëve të Kukësit të Vjetër pas ndërtimit të HEC-it të Fierzës) shkaktuan shumë konflikte pronësie dhe bllokuan tërësisht nismat e biznesit vendas dhe atij të huaj, duke krijuar një ngërç absurd që ende sot e kësaj dite vazhdon të mbajë nën tension shumë prej banorëve të Kukësit.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re:
Kukësi ka probleme mjedisore dhe sfida të shumta zhvillimore. Pjesa më e madhe e 87 fshatrave të bashkisë së re nuk janë ende të lidhura me rrugë të asfaltuar, ndërsa rrugët e paasfaltuara janë të degraduara, duke krijuar distancë të konsiderueshme mes qytetit të Kukësit dhe fshatrave të zonave të thella malore si Arrën apo Kalis.
Menaxhimi i mbetjeve dhe pastrimi pritet të jetë sfida kryesore e kryebashkiakut të ri, për shkak se liqeni i Fierzës shpesh mbushet me plehra plastike, të cilat sillen nga lumenjtë.
Zhvillimi i liqenit të Kukësit si resurs turistik apo për peshkim kërkon gjithashtu krijimin e një sistemi të peshkëzimit vjetor. Po kaq problem janë edhe ujërat e zeza të qytetit të Kukësit, të cilat aktualisht derdhen drejtpërsëdrejti në liqenin e Fierzës, duke dëmtuar mjedisin. Bashkia e re pritet të ketë për detyrë të rikthejë sistemin e lundrimit në liqenin e Fierzës, kësaj here për arsye turistike.
Zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë do të jetë një sfidë për bashkinë e re Kukës, e cila do të jetë përgjegjëse për një numër punësh që lidhen me bujqësinë, përfshirë infrastrukturën bujqësore. Rajoni i Kukësit mund të zhvillojë delen e llojit Rudë, e cila është karakteristike për këtë zonë.
Menaxhimi i burimeve minerare të zonës në shërbim të komunitetit është një sfidë tjetër, pasi sistemi aktual i fragmentarizuar i lejeve të shfrytëzimit të burimeve natyrore ka sjellë dëme mjedisore, përveç keqpërdorimit të këtyre burimeve.
Kukësi është përpjekur aktualisht të rrisë kapacitetet njerëzore për të aplikuar dhe përfituar fonde nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA) i Bashkimit Europian.
Kukësi ka një problem të vazhdueshëm me furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit. Gjatë viteve të fundit raportohet se janë shpenzuar rreth 3 milionë euro, por sërish qyteti vuan për ujë, pavarësisht se është i rrethuar nga burime të bollshme hidrike.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Kukësit kishin të drejtën e votës 43,029 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 26,026 votues, 60.48% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Bashkim Shehu i Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 55.95% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Kukës (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
13104 |
51,70% |
17 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
9888 |
39,01% |
13 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
181 |
0,71% |
0 |
Aleanca Europiane Ekologjike |
264 |
1,04% |
0 |
Partia Bashkimi për te Drejtat e njeriut |
86 |
0,34% |
0 |
Partia Fronti i Majtë |
133 |
0,52% |
0 |
Armando Kujtim Gjoka |
658 |
2,60% |
0 |
Lavdrim Ramiz Shehu |
1033 |
4,08% |
1 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Bashkim Shehu, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)