Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Skrapari kufizohet në veri me bashkinë Gramsh, në perëndim me bashkitë Berat dhe Poliçan, në jug-perëndim me bashkinë Këlcyrë, në jug me bashkinë Përmet dhe në lindje me bashkitë Maliq e Korçë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Çorovodës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 12,403 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 19,072 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe të konsiderueshme prej 831.44 km2. Sipas censusit, densiteti i popullsisë është 15 banorë/km2 ndërsa sipas regjistrit civil densiteti është 22.93 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Çorovodë, Qendër Skrapar, Bogovë, Vëndreshë, Çepan, Potom, Leshnje, Gjerbës dhe Zhepë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Skrapar dhe pjesë e qarkut Berat. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 106 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Skraparit ka një reliev të thyer malor, i cili ka një territor shumë të gjerë dhe popullsi të ulët. Popullsia e zonës është pakësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit nga largimet e banorëve drejt qyteteve të mëdha të Shqipërisë apo në emigrim. Vetë qyteti i Çorovodës humbi mbi 40 për qind të popullsisë mes viteve 2001 dhe 2011, ndërsa shumë nga komunat përbërëse kanë humbur mbi gjysmën e popullsisë.
Mungesa e perspektivës, kryesisht ajo e vendeve të punës, ka bërë që banorët e qytetit të vendosen për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre drejt qyteteve të mëdha, ndërsa banorët e zonave të thella janë larguar drejt qytetit të Çorovodës, si rezultat i mungesës së rrugëve dhe mjekëve në fshatrat e tyre. Problematika kryesore e banorëve të Çorovodës ka qenë gjendja e vështirë e rrugës kombëtare Skrapar-Berat.
Skrapari si burim kryesor ka të ardhurat që vijnë nga blegtoria dhe bujqësia, prodhime mjaft të vlerësuara këto në tregjet e vendit, ndër më të njohurat djathi dhe rakia e Skraparit. Vitet e fundit Skraparit i është shtuar shpresa për zhvillimin nëpërmjet turizmit. Kanionet e Skraparit, po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj dhe vendas.
Mbi 20 mijë vizitorë mendohet se kanë prekur këtë bukuri të natyrës katër vitet e fundit. Turizmi fetar është një tjetër resurs i kësaj zone. Mijëra vizitorë shkelin në Skrapar çdo vit gjatë festës së Bektashinjve, gjatë ditëve të pelegrinazhit të muajit gusht. Por dhe këtë resurs të turizmit e pengon gjendja e vështirë e rrugës në fshatin Gjerbës, nga ku vizitorët duhet të udhëtojnë drejt malit të shenjtë Tomor.
Parku Kombëtar i Tomorit, është një tjetër resurs mjaft i rëndësishëm i kësaj zone, ende i pa vënë në shërbim të turizmit malor, si rezultat i mungesës së infrastrukturës dhe shërbimeve. Bashkimi i komunës Bogovë me Skraparin, i jep kësaj bashkie të re një tjetër mundësi për zhvillimin e turizmit. Uji që rrjedh nga zemra e malit, kodrat e hijshme, klima mjaft favorizuese dhe ushqimet e shijshme, i japin zonës elemente mjaft pozitive për zhvillimin e turizmit natyror. Ndryshe me pjesën tjetër të rrethit, nga Bogova nuk ka pasur lëvizje të mëdha të popullsisë. I gjithë fshati jeton me të ardhurat nga turizmi familjar. Pjesë e kësaj komune është fshati Novaj i njohur për gurin dekorativ.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Terreni i vështirë malor bën që investimet e nevojshme për ndërtimin apo mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore të jenë të larta dhe përtej mundësive ekonomike të kufizuara të bashkisë së re.
Administrimi i qytetit të Çorovodës me problematikat e saj sociale dhe administrimi i shtatë komunave me një numër të konsiderueshëm fshatrash të shpërndarë në një territor të gjerë do të jetë sfida e parë e kësaj bashkie. Infrastruktura ndërlidhëse mjaft problematike e zonës së komunave, tashmë pjesë e bashkisë, kryesisht në zonat më të thella do të jetë një tjetër sfidë e kësaj bashkie, e cila mund të vështirësojë marrjen e shërbimeve nga banorët e zonave të thella, sidomos gjatë periudhës së dimrit kur disa fshatra izolohen tërësisht nga bora.
Puna për një administrim të mirë të bizneseve të gurit do të jetë një sfidë tjetër mjaft e rëndësishme me të cilën do të përballet bashkia e re. Shfrytëzimi pa kriter i zonës së nxjerrjes së gurit dekorativ po bën që mali të shkatërrohet, si dhe përbën rrezik për erozion. Bashkia si njësia që do të administrojë një pjesë të rentës minerare të këtyre bizneseve i duhet tashmë të përballet me këto shqetësime dhe një monitorim më të mirë të situatës.
Sfidë e bashkisë do të jetë dhe mirëmbajtja e institucioneve shëndetësore dhe arsimore në zonat më të thella të kësaj bashkie. Rikthimi i institucioneve të gjykatës dhe prokurorisë në shërbim të qytetarëve tashmë më të shumta në numër dhe të shpërndarë në zonat më të thella, do të jetë tjetër sfidë. Problematikë që duhet të adresohet është dhe pajisja e spitalit me mjekë kirurgë dhe specialistë, një ndër arsyet kryesore pse po largon banorët nga zona.
Promovimi i një zone edhe më të madhe me resurse për zhvillimin e turizmit, ngritja e kapaciteteve të banorëve për të ofruar shërbime për turistët, por dhe mbështetja e prodhimit dhe tregtimit të produkteve të zonës do të jetë një tjetër sfidë me të cilën do të përballet bashkia e re. Në nxitje të turizmit, bashkia e re duhet të adresojë dhe probleme që lidhen me menaxhimin e mbetjeve urbane në të gjithë zonën, si dhe rigjallërimi i jetës kulturore të saj.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Skraparit kishin të drejtën e votës 14,602 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 8,108 votues, 55.53% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Nesim Spahiu të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 86.34% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Skrapar (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
6688 |
85,27% |
13 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
1155 |
14,73% |
2 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Nesim Spahiu, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)