Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Peqin?
Viti i parë i drejtimit të bashkisë ishte një vit i vështirë pasi ishte viti i parë edhe për zbatimin e reformës së re territoriale. Kemi bërë të mundur reabilitimin dhe mirëmbajtjen e të gjithë kanaleve kulluese dhe vaditëse të zonës, reabilitimin dhe mirëmbajtjen e disa rrugëve kryesore të zonës, sistemin e tregut në njësinë administrative Pajovë.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Janë bërë takime me të gjithë qytetarët sipas lagjeve për hartimin e projekt-buxhetit të bashkisë për vitin 2016. Të gjitha mbledhjet e Këshillit Bashkiak bëhen të hapura edhe për qytetarët.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfidat kryesore të bashkisë Peqin janë:Ulja e numrit të papunësisë dhe lehtësimi i kushteve për biznesin fason, mbështetje për vetëpunësimin e banorëve që merren me bujqësinë. Impianti i pastrimit të ujrave të zeza për të gjithë zonën (aktualisht derdhen në lumin Shkumbin). Jemi në diskutime me partnerë të huaj për hartimin e projektit dhe për kërkimin e fondeve për zbatimin e tij. Rehabilitimi dhe ndërtimi i infastrukturës për zonën, me mbështetjen e qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Cilët janë hapat konkretë që keni ndërmarrë lidhur me infrastrukturën rurale, mbështetjen e bujqësisë e blegtorisë dhe nxitjen e tregtimit të produkteve të zonës?
Në këtë vit jemi munduar të mirëmbajmë rrugët rurale më problematike për zonën. Kemi bërë të mundur reabilitimin e kanaleve vaditëse për t’i ardhur në ndihmë të gjithë fermerëve të zonës.
Çfarë është bërë në drejtim të rritjes së numrit të të punësuarve në Peqin?
Punësimi është një nga problemet më të mprehta të bashkisë Peqin. Kemi marrë kontakte me investitorë të ndryshëm të cilët duan të hapin bizneset e tyre në Peqin. Kemi prezantuar planin e bashkisë që konsiston në shmangien për vitin e parë nga të gjitha taksat e pushtetit vendor dhe mbështetje të tjera nga ana e bashkisë.
Cilat janë ndërhyrjet kryesore në infrastrukturë deri tani në bashkinë e re?
Për vitin e parë kemi nisur rikonstruksionin e rrugës “Ymer Beheluli”. Shumë shpejt nis edhe ndërtimi i ujësjellësit të Njësisë Administrative Karinë si dhe rikonstruksioni i rrugës në hyrje të Peqinit. Gjithashtu është realizuar mirëmbajtja e të gjitha rrugëve të qytetit si edhe të rrugëve kryesore të fshatrave.