Gjatë viteve të fundit në Durrës është dyfishuar numri i skulpturave të parkut, por vendosja e tyre shpesh herë është bërë pa kritere të qarta. Ndërkaq, puna e nisur për kartelizimin e monumenteve të kulturës dhe objekteve historike synohet që të vijojë edhe me të gjitha skulpturat e qytetit bregdetar.
Në drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) mësohet se tashmë në të gjithë territorin që mbulon kjo drejtori ka përfunduar përgatitja e kartelave të përshkrimit dhe vendndodhjes së monumenteve historike dhe arkeologjike.
“Kjo e lehtëson njohjen dhe ruajtjen e këtyre monumenteve-thotë për BIRN, drejtori I DRKK, Ledion Lako, I cili shton se tashmë punohet intensivisht për identifikimin dhe “pasaportizimin” e të gjitha objekteve të këtij lloji, që shpesh herë ndodhen edhe në oborret apo shtëpitë e qytetarëve.
“Gjithçka është realizuar sipas standardeve evropiane dhe kartelat do të jenë të gjitha në dispozicion të Ministrisë së Kulturës-shprehet drejtori Lako.
Situata nuk është e njëjtë me skulpturat e parkut në Durrës, pronësia mbi të cilat duket mjaft evazive, ndërsa zbatimi i projekteve ndërtimore mund ti lëvizë ato nga një vend në tjetrin.
Bashkia e qytetit me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë mbështeti instalimin e bustit të Ismail Qemalit, pikërisht në hyrjen kryesore të portit detar. Vetëm katër vjet më vonë ai duhet të hiqet prej aty, duke i hapur rrugë realizimit të një projekti infrastrukturor turistik shumëmilionësh. Të njejtin fat duket se do të ketë edhe busti i Dom Nikoll Kaçorrit, zëvendës-kryeministrit të qeverisë së Vlorës.
Arsyeja e zhvendosjes të monumentit të Kaçorrit është krejtësisht tjetër. Vitet e fundit busti i tij vetmitar në një lulishte u rrethua nga figurat prej bronxi të katër prej yjeve ndërkombëtarë të muzikës rok dhe pop. Xhon Lenon, Tina Tërner, Mik Xheger si dhe Nobelisti i saposhpallur Bob Dilan, në vetëm pak metra katrore janë kthyer në fqinjët e priftit katolik, që përveç detyrës shpirtërore, 100 vjet më parë ishte edhe përfaqësuesi i banorëve të Durrësit në qeverinë e formuar në Vlorë. Një grup intelektualësh të qytetit i ka sugjeruar bashkisë që të gjejë një zgjidhje tjetër për instalimin e figurave historike dhe atyre artistike.
Pushteti vendor ka financuar realizimin e disa prej këtyre monumenteve, por deri tani instalimi i veprave të artit ka qenë rastësor, ose është kryer sipas dëshirës së vetë autorëve. Në shëtitoren bregdetare për instalimin e dy gladiatorëve, punuar nga Janaq Paço, u shfrytëzuan platforma prej betoni, ndërtuar në vitet 1970, me qëllim krijimin e një parku arkeologjik bregdetar.
Në të njëjtën linjë këtë vit u vendosën të paktën tre vepra të tjera me stile krejt të ndryshme. Një tjetër pranë mureve mesjetare, shoqëron bustin e Idriz Balanit, vepër që i kushtohet skulptorit durrsak Sabri Tuçi. Koka prej bronxi e monumentit disa vjet më parë u grabit nga keqbërësit, të cilët e shitën për skrap në periferi të qytetit. Dëmtimeve të vazhdueshme i janë nënshtruar edhe figurat shtatlarta të gladiatorëve, herë duke u thyer shpatat e herë të tjera duke sharruar mburojat prej betoni artistik. Skulptorët durrsakë të DRKK, në vlerësim të autorit kanë ndërhyrë për të riparuar dëmtimet, njëlloj siç u bë edhe për të rikthyer në gjendjen e parë figurën prej bronxi të peshkatarit në shëtitoren bregdetare.
Megjithë vërejtjet për vendvendosjen apo dëmtimet, qytetarët durrsakë i kanë mirëpritur skulpturat që janë vendosur në hapësirat kryesore të qendrës dhe bregdetit. Përveç ndërgjegjësimit të banorëve, ruajtjes së tyre duhet ti shërbejë edhe “pasaportizimi” dhe inventarizimi i skulpturave të qytetit bregdetar.