Lajm15 May 2015

Viktor Tushaj, LSI (ASHE), CV

Ky është kurikulumi jetësor i publikuar nga kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për bashkinë Lezhë.

Autor: BIRN Tiranë
Printo

Viktor Tushaj | Foto nga : LSA

Viktor Tushaj | Foto nga : LSA

Kryetar i Bashkisë Lezhë për dy mandate, i ardhur nga fusha e biznesit ku spikati për energjinë pozitive dhe filozofinë e suksesit, me një vizion europiano-perëndimor të konsoliduar, i dha Lezhës energjinë e zhvillimit si dhe forcën e pasionit me të cilën u përkushtua për 8 vite, duke e kuruar me kujdes në çdo hap të ekstensionit dhe modernizimit të këtij qyteti të ri që po rritet e po merr formën e një qyteti mesdhetar, në bregun perëndimor të Adriatikut.

U lind me 1 janar 1962, në Lezhë. Pas mbarimit të 8-vjeçares, më 1979 kryen shkollën e mesme artistike “Prek Jakova”, në Shkodër. Me 1983-86, ndjek studimet e larta pranë Universitetit “L. Gurakuqi” të Shkodrës, në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe.

Në periudhën 1986-1991 punon si mësues dhe instruktor për të rinjtë, si dhe drejtues i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në qytetin e Lezhës.

Më 1991 pranë Universitetit të Tiranës diplomohet në gjuhën italiane, për t’u rikthyer sërishmi në Universitetin e Shkodrës dhe më 2007, diplomohet në fushën e jurisprudencës.

Në vitin 2012 kryen masterin pranë Universitetit Evropian të Turizmit, në Tiranë.

Me ardhjen e demokracisë dhe njëherësh me ndërrimin e sistemit ekonomik e politik në Shqipëri, Viktor Tushaj do të provonte shanset në fushën e biznesit duke krijuar në vitin 1994, një sipërmarrje ndërtimi dhe brenda një harku të shkurtër kohor arrin të renditet ndër biznesmenet më të suksesshëm të Lezhës e të gjithë Shqipërisë. Pas një konsolidimi të profilit të tij në fushën e biznesit, Viktor Tushaj do të zgjidhej Kryetar i Dhomës së Tregtisë e të Industrisë së Qarkut – Lezhë.

Në vitin 2007 zgjidhet Kryetar i Bashkisë – Lezhë, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i mbështetur nga Partia Socialiste. Gjatë këtij mandati obligimet e tij kryesore fokusohen në modernizimin e shërbimeve publike e bashkiake, duke bërë si moto të vetme të administratës së bashkisë, plotësimin e nevojave të qytetit dhe të kërkesava të qytetarëve të tij.

Gjithashtu, ky mandat i parë (2007-2011), për kryetarin tashmë të ardhur nga bota e biznesit do të shënojë rritje investimesh në infrastrukturën rrugore, rikonstruksione dhe ndërtime të reja në shkolla, kopshte, çerdhe e institucione publike.

Për të ardhur në disa ngjarje të shumëpritura për banorët lezhjanë, që kanë të bëjnë me nisjen e realizimit të një numri projektesh ambicioze: përmendim faktin që Lezha bëhet i pari prej qyteteve shqiptare dhe më gjërë, që do të promovojë një sistem të menaxhuar për mbledhjen e diferencuar dhe riciklimin e mbetjeve urbane.

Vlejnë për tu përmendur projektet për zhvillimin e turizmit kulturor, si njëra prej shtyllave të rritjes ekonomike, ku projekti IPA Adriatika, risolli në vemendje të partnerëve ndërkombëtarë si dhe të arsenalit turistik kombëtar, resurset e Lezhës në turizmin arkeologjik, religjoz, historik dhe etnokulturor.

Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisje ka qëne një ndër prioritetet e punës së kryetarit, ku projekti i buxhetimit me pjesëmarrje, zbatuar në bashkëpunim me Co- plan në vitin 2009 ishte një risi jo vetëm për Lezhën, por u përzgjodh si praktikë e mirë në nivel kombëtar.

Edhe në zgjedhjet e 2011-ës Viktor Tushaj do të rikandidonte për të njëjtin subjekt, por i mbështetur kësaj rradhe nga Partia Demokratike, duke fituar besimin e qytetarëve lezhjanë edhe për një mandat tjetër. Natyrisht, pas asaj përvoje të parë, mandati i dytë do t’i shërbente për të vënë në zbatim synime e projekte të nisura, ende të pa finalizuara dhe njëkohësisht për të hedhur mbi tavolinë skica e ide të reja më të avancuara, që do të konsistojnë në: përmirësime të tjera të infrastrukturës, rikonstruksione rrugësh e mjedisesh publike.

Gjatë këtij 4-vjeçari, qytetit të Lezhës do t’i shtoheshin ndërtimi i tre shkollave plotësisht të reja (njëra prej tyre e nisur që në mandatin e parë), rikonstruksioni i dy të tjerave, përfundimi i rrugës së kalasë dhe i rrugës së re të Spitalit. Vend të rëndësishëm zënë gjithashtu projektet për dhënien e kredive të lehtësuara për të

pastrehet, apo përmirësimi i shërbimeve për qytetarët nëpërmjet qeverisjes elektronike.

Me rëndësi të veçantë është nisja së fundmi i zbatimit të projekti të Rikonstruksionit të Ujësjellësit dhe Sistemit të Kanalizimeve, projekt i cili brenda vitit të ardhshëm do të bëjë të mundur furnizimin e banorëve të qytetit të Lezhës, si dhe të zonës së Balldrenit me ujë të pijshëm të cilësisë së lartë, pa ndalesë 24 orë, një investim ky prej 13.000.000 Euro. Ashtu sikurse rivitalizimi i plotë i qendrës së qytetit, zonës arkeologjike dhe të shëtitores së Bregut të Drinit, punime të cilat po shkojnë drejt përfundimit.

Tushaj, tashmë njihet si njeriu i sfidave në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe Qeverisja Elektronike është sfida e rradhës për të, që po implementohet suksesshëm në Bashkinë Lezhë dhe Komunën Kallmet njohur si “Zyra me një Ndalesë e Integruar për Lezhën Funksionale”, financuar nga DLDP.

Këto e të tjera bëjnë të mundur që, megjithë vështirësitë të cilat janë prezente kudo, në përfundim të këtij mandati Bashkia e Lezhës dhe kryetari i saj ta mbyllë me një bilanc të kënaqshëm arritjesh që përveçse janë vlera të konsiderueshme në investime, më e rëndësishme është rritja e cilësisë së jetës së komunitetit lezhjan e më gjerë.

Shtojmë se zoti Tushaj ka kontributin e tij edhe sa i përket zhvillimeve përspektive: ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në hartimin dhe ngritjen e Strategjisë Vendore për Zhvillimin e Bashkisë së Lezhës, për vitet 2005-2010 dhe 2013-2030. Gjithashtu ai ka kontribuar dukshëm në hartimin e Planeve të Zhvillimit bazuar në komunitet,

inkurajimin e prezencës dhe të investimeve më të mëdha në industrinë e lehtë, planifikimin dhe sigurimin e hapsirave të reja dhe për të tërhequr investime edhe në fusha të tjera, të cilat krijojnë mundësi për vende të reja pune.

I vëmendshëm, me pamje të qetë e natyrë fisnike, një folës i mirë larg toneve të ashpra, plot elegancë e sjellje qytetare, i thjeshtë në komunikimin me qytetarët, kurdoherë i angazhuar për të përmbushur brenda hapësirave ligjore e sedimenteve njerëzore, pritshmëritë e zgjedhësve të vet. Tushaj është zotërues i një performance të admirueshme midis njeriut të kulturës e artit, menaxherit të suksesshëm të biznesit dhe funksionarit e njohësit të mirë të administratës i cili punon e vepron me moton “fjala, detyrimi im!”, çka ka bërë që Viktor Tushaj si njeri publik të përdorë gjithë përvojën, aftësitë, energjitë e pasionin për t’i lëvizur gjërat në drejtimin e duhur, për t’a bërë edhe më të denjë jetën e bashkëqytetarëve të vet.

Me elegancën e tij ka tërhequr e krijuar marrëdhënie të mira e korrekte me institucionet e tjera lokale e qëndrore apo edhe përtej Adriatikut, duke shfrytëzuar deri njohje personale sidomos me Italinë fqinje, për të krijuar ura lidhëse e realizuar marrëveshje, në të mirë të komunitetit qytetar lezhjan e më gjerë

Me kulturë të gjithanshme e vizion bashkëkohor, kryebashkiaku Tushaj është një njeri racional, bashkëpunues dhe me mendim të kualifikuar në shumë fusha të jetës ekonomike e shoqërore; çka i jep atij mundësi t’i shohë gjërat në sy, të përshfaqë e të fokusojë realisht nevojat por dhe arritjet e deritashme, duke ndërthurur natyrshëm traditën vendase me inovacionet, teknikat e teknologjitë e kohës, kulturat e civilizimet me të cilat ndeshemi sot e gjithë ditën në rrugën tonë të zhvillimit e përparimit drejt Bashkimit Europian, ku synojmë të integrohemi.