Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia Vau i Dejës kufizohet në veri dhe në perëndim me bashkinë e Shkodrës, në lindje me bashkinë Fushë Arrëz ndërsa në jug me bashkitë Pukë dhe Lezhë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Vaut të Dejës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 30,438 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 48,966 banorë. Bashkia e re ka në një sipërfaqe prej 499.09 km2 me një densitet prej 98.11 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Vau Dejës, Bushat, Vig-Mnele, Hajmel, Temal, Shllak. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Shkodrës dhe pjesë e po këtij qarku. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 47 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i Bashkisë
Bashkia e Vaut të Dejës zgjerohet me 5 komuna, të cilat merren kryesisht me bujqësi, ndërsa zona ka resurse të konsiderueshme ujore. Në të ndodhet hidrocentrali i Vaut të Dejës si dhe HEC-et Ashta 1 dhe Ashta 2, të ndërtuara me koncesion privat gjatë viteve të fundit.
Komuna e Bushatit, e cila i shtohet Bashkisë së re është një zonë e njohur për prodhimet bujqësore dhe ka një aktivitet jo të vogël në eksportin e zarzavateve. Nga ana tjetër, Komunat Shllak dhe Temal gjenden në anën tjetër të liqenit të Vaut të Dejës dhe pa lidhje historike me bashkinë e re. Këto dy komuna janë veçanërisht të varfra me tokë për shkak se një pjesë e konsiderueshme e tyre është përmbytur nga liqeni i Vaut të Dejës.
Para viteve 90, shumica e banorëve në Vaun e Dejës punonin në hidrocentral, në fabrikën e bakrit si dhe në kooperativa bujqësore. Ndërkohë që zhvillimi ekonomik aktual mbështetet kryesisht në bizneset e vogla të shërbimit, të cilat janë të pozicionuara kryesisht në qytetin Vau e Dejës.
Niveli i papunësisë është i lartë, ndaj edhe një pjesë e madhe e popullsisë gjendet në emigrim, kryesisht në shtetet e Italisë dhe Greqisë.
E veçantë për këtë bashki është ekzistenca e sipërfaqeve të konsiderueshme ujore, ku dominon liqeni i Hidrocentralit të Vaut të Dejës, lumi Drin që vazhdon në shtratin e tij të vjetër që nga pengesa e digës së Hidrocentralit si dhe lumi Gjadër që shkëputet nga lumi i parë, rreth 1 km në juglindje të qytetit të Vaut të Dejës. Pasuria e madhe ujore e bën gjithashtu zonën të prekur nga përmbytjet.
Zhvillimi i turizmit natyror është një mundësi e rritjes ekonomike të kësaj zone, pasi në liqenin e Vaut të Dejës gjenden kështjella dhe kisha ndër më të vjetrat në Ballkan, të cilat ende sot mbartin vlera historike dhe arkeologjike. Liqeni i Vaut të Dejës mund të kthehet gjithashtu në një burim të rëndësishëm turistik, në rast se rikthehet transporti për qëllime turistike nga Vau i Dejës deri në Koman.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Evitimi i përmbytjeve mbetet një nga sfidat kryesore të kësaj bashkie, nëpërmjet investimeve në kanalet kulluese dhe vaditëse, por edhe ndërtimin e argjinaturave përgjatë brigjeve të lumenjve.
Ekzistenca e industrisë energjetike mund të vendosen në një kontekst të tillë përdorimi dhe menaxhimi në favor të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të bashkisë Vau i Dejës.
Zona etnografike e Zadrimës, e cila shtrihet pjesërisht në bashkinë e Lezhës dhe pjesërisht në Vaun e Dejës është e njohur për zhvillimin e vreshtarisë̈, aftësive drejtuese në ndërmarrjet bujqësore familjare dhe në zhvillimin e agro-turizmit. Mbetet sfidë mbështetja e këtyre bizneseve nga pushteti vendor dhe nxitja e mëtejshme e kooperimit në bujqësi.
Zhvillimi i rrjetit eko-kulturor në Liqenin e Vaut të Dejës dhe përgjatë Zadrimës, përmes një projekti të qartë do të ndikonte në shtimin e të ardhurave. Bashkia e re do të duhet të gjejë rrugë të reja si mundësi të hapjes së njësive të fasonëve apo njësive të vogla të prodhimeve artizanale për punësimin e banorëve të zonës.
Zgjidhja e çështjeve të pronësisë vazhdon të mbetet një problem për drejtuesit vendorë, po aq sa edhe sigurimi i tregjeve për produktet bujqësore.
Ofrimi i shërbimeve publike për dy komunat matanë liqenit të Vaut të Dejës konsiderohet gjithashtu sfidë për bashkisë së re, e cila duhet të sigurojë më së pari infrastrukturën rrugore për lidhjen e këtyre komunave me qytetin.
Një tjetër problem i trashëguar që kërkon zgjidhje është edhe strehimi i dhjetëra familjeve në ish-kapanonet e degraduara të hidrocentralit të Vaut të Dejës.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Vaut të Dejës kishin të drejtën e votës 37,223 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 18,128 votues, 48.70% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Zef Hila i Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 55.49% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
9078 |
51,49% |
11 |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
8240 |
46,74% |
10 |
Partia Kristian Demokrate e Shqiperise |
247 |
1,40% |
0 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
64 |
0,36% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Zef Hila, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)