Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Korça kufizohet në veri me bashkinë Maliq, në lindje me bashkinë Devoll, në perëndim me bashkinë Skrapar, ndërsa në jug me bashkinë Kolonjë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Korçës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron prej 75.994 banorësh, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 129.065 vetë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 805.99 km2.
Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Korçë, Qendër Bulgarec, Voskop, Voskopojë, Lekas, Vithkuq, Mollaj dhe Drenovë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Korçës dhe qarkut Korçë. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 62 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkisë së Korçës iu bashkëngjitën disa zona rurale të cilat merren me bujqësi dhe blegtori, por edhe disa prej fshatrave turistikë më të spikatur. Qyteti ka një ekonomi të konsoliduar dhe biznese të shumta, por rritja e numrit të popullsisë si pasojë e zhvendosjes së banorëve nga zonat rurale ka sjellë edhe rritje të numrit të personave të papunë duke ngritur domosdoshmërinë e gjetjes së zgjidhjeve për punësim dhe kualifikimin e këtyre personave për profile të ndryshme.
Në zonat rurale janë zhvilluar nga njëra anë bujqësia dhe pemëtaria, dhe nga ana tjetër turizmi malor ku banorët kanë vetë-siguruar mënyrën e organizimit të ambienteve dhe kuzhinës por edhe aktiviteteve dimërore si një atraksion për turistët. Zonat më të thella si Lekasi dhe Vithkuqi për shkak të klimës së ashpër dhe izolimit të përvitshëm në dimër kanë pësuar zhvendosje masive të popullsisë çka ka minimizuar edhe shërbimet për pjesën e mbetur të banorëve duke nisur nga arsimi, mjekësia, infrastruktura , transporti, etj.
Ndër projektet më të rëndësishme në qytetin e Korçës është ai i Pazarit të Korçës, investimi kolosal i të cilit ka në fokus rikthimin e një elementi autentik kulturor, ruajtjen e origjinalitetit të pazarit shekullor të Korçës dhe kthimin e tij në një destinacion turistik. Projektet për rimodelimin e Parkut të qytetit, sheshit para teatrit dhe rrugës Gjon Buzuku janë 3 projekte të tjera të rëndësishme për qytetin.
Përgjatë viteve të fundit Korça ka synuar dhe ka arritur të shumëfishojë shifrat e turistëve përmes një kalendari të mbushur me festa përgjatë verës. Aktivitetet e shumta të cilat mbështeten kryesisht tek traditat e zonës dhe promovimi i tyre, por edhe aktivitete të tjera të cilat sjellin aktivitete kulturore, kanë bërë që në stinën e verës kjo zonë të ketë interes nga vizitorë të shumtë.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Reagimi dhe impakti i reformës territoriale është një çështje që duhet të shihet me interes të veçantë nga bashkia e Korçës. Një nga sfidat me të cilat do të përballet bashkia e re në sajë të reformës është sigurimi i përfaqësimit të drejtë në këshillat bashkiakë të komuniteteve nga zona urbane dhe nga zonat rurale, si dhe hartimi i strategjive që do orientohen në mënyrë të drejtë nga nevoja për investime në të dy këto zona.
Një sfidë tjetër me të cilën do të përballet pushteti vendor i bashkisë së re është dhe menaxhimi sa më efikas i mbetjeve urbane, ngritja dhe mirëmbajtja e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve për të gjithë zonën, si dhe përmirësimi i infrastrukturës ndërlidhëse me zona të largëta dhe të izoluara, si malësia e Lekasit dhe Vithkuqit, të cilat tashmë do të jenë pjesë integrale e saj.
Një tjetër problematikë e identifikuar nga komuniteti i kësaj bashkie të re e cila duhet të adresohet është dhe përmirësimi i infrastrukturës arsimore në disa zona, sigurimi i ngrohjes në ambientet shkollore, si dhe mundësimi i transportit për nxënës të zonave të thella që ndjekin mësimin në klasa kolektive drejt shkollave më të mëdha.
Gjithashtu, sfidë do të përbëjë për bashkinë e re dhe hartimi i politikave integruese për një turizëm të qendrueshëm në të tërë zonën, duke mbështetur dhe nxitur forma të ndryshme turizmi që ofrohen tashmë, si turizmi malor dhe turizmi kulturor. Në këtë drejtim, një politikë e qartë dhe hapa konkretë lidhur me rigjenerimin e pyjeve dhe ndalimin e gjyetisë së paligjshme u identifikuan si tepër të domosdoshme.
Bashkia e re kërkohet gjithashtu që të integrojë në planin e saj të punës dhe një strategji të veçantë në mbështetje të bujqësisë dhe frutikulturës, ngritjes së tregut për fermerët, si dhe promovimin e produkteve tradicionale të zonës.
Një ndër aspektet e rëndësishme të cilat bashkia e re duhet të adresojë është dhe përmirësimi i infrastrukturës në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti rom i kësaj bashkie, si dhe nxitja e gjithëpërfshirjes së këtij komuniteti në jetën social-ekonomike të bashkisë, me fokus të veçantë në zgjidhjen e problemeve të arsimimit dhe strehimit të këtyre familjeve.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Korçës kishin të drejtën e votës 106,524 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 44,226 votues, 41.52% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Sotiraq Filo të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 59.07% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Korçë (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
28426 |
66,21% |
29 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
12499 |
29,11% |
12 |
Partia Kristian Demokrate e Shqiperise |
497 |
1,16% |
0 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
522 |
1,22% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
892 |
2,08% |
0 |
Agim Nihat Kaçani |
98 |
0,23% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Sotiraq Filo, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)