Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Pogradeci kufizohet në veri me bashkinë Prrenjas, në perëndim me bashkinë Gramsh, në jug me bashkinë Maliq, në juglindje me bashkinë Pustec, ndërsa në lindje me Republikën e Maqedonisë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Pogradecit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 61.530 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 90.976 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 548.77 km2.
Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Pogradec, Udënisht, Buçimas, Çërrave, Dardhas, Trebinjë, Proptisht dhe Velçan. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Pogradecit dhe qarkut të Korçës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 72 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e Pogradecit do të bashkojë në një të vetme të gjitha njësitë e rrethit të deritanishëm të Pogradecit duke ruajtur të njëjtët kufij territorialë që ka pasur deri tani rrethi. Qytetit të Pogradecit dhe komunave Udënisht e Buçimash që shtrihen përgjatë Liqenit të Ohrit dhe orientohen drejt turizmit, me ndarjen e re territoriale i bashkohen dhe disa zona të thella malore, të cilat përballen me varfërinë dhe mungesën e punësimit. Banorët i janë përshtatur relievit malor dhe mbijetojnë me vështirësi, çka i detyron të gjejnë zgjidhje tek pyjet ose tek minierat e braktisura.
Për shumë familje kryesisht nga fshatrat përreth Pogradecit, vendi fqinj i Maqedonisë është zgjidhja për punësim ditor ose sezonal. Burrat shkojnë për të punuar në vendin fqinjë kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe punëve të tjera të krahut. Liqeni mbetet një tjetër pikë referimi për një pjesë të mirë të popullsisë ku legalisht dhe ilegalisht peshkatarët hedhin rrjetat e tyre për të kapur peshkun e rrallë të koranit.
Asetet kulturore në zonë janë të shumta por pak të njohura pasi deri më tani kanë munguar politikat e promovimit. Pavarësisht fshatrave të shumtë turistikë buzë liqenit, turistët që vijnë janë të orientuar nga agjencitë turistike maqedonase të cilat përfshijnë në paketat turistike që ofrojnë vizitat ditore në Pogradec dhe disa nga fshatrat si Lin, Tushemisht, Volorekë, etj.
Banorët e zonave malore janë zhvendosur drejt fshatrave pranë qytetit dhe një pjesë e tyre edhe brenda tij, ndërsa disa prej tyre kanë zgjedhur emigracionin. Pogradeci dhe fshatrat pranë tij, për shkak se janë kthyer në një destinacion turistik, kanë pasur një hov të sektorit të ndërtimit ku përgjatë dekadës së fundit janë ngritur dhjetra pallate shumëkatësh, duke ngritur shumë pikëpyetje lidhur me planifikimin urbanistik të zonës.
Projektet më të rëndësishme të cilat e kanë penalizuar deri diku edhe sektorin e turizmit ka qenë projekti i aksit nacional Lin -Pogradec ku punimet e zvarritura kanë tejkaluar afatet madje janë pezulluar edhe në periudha disamujore. Unaza e qytetit të Pogradecit mbetet një segment jashtë funksionit ndërsa pavarësisht se janë hedhur projekte për rikonstruksionin e saj investimi mbetet ende në letra.
Projekt i rëndësishëm i realizuar ka qenë edhe impianti i përpunimit të ujërave të ndotura të cilat për vite të tëra derdheshin në liqen por me përfundimin e projektit është zgjidhur përfundimisht kjo problematikë.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Sfidat me te cilat do te përballet pushteti vendor pas ndarjes së re janë të shumta por kryesore mbetet hartimi i politikave për gjithëpërfshirjen e zonave të ndryshme në strategjitë e zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të bashkisë së re. Shumë zona, për shkak të numrit të vogël të banorëve, rrezikojnë të mbeten të papërfaqësuara në këshillin bashkiak, çka mund të rrezikojë të përkthehet në mungesë interesi dhe investimesh për to. Pothuaj se gjysma e zonave që tashmë do të kenë si qendër qytetin liqenor, kanë mungesa të theksuara të infrastrukturës ndërlidhëse me Pogradecin dhe jo rrallë izolohen nga dëbora gjatë muajve të dimrit, çka identifikohet si një sfidë e mundshme lidhur me marrjen dhe aksesin e shërbimeve që do të ofrohen në nivel bashkie.
Bashkisë së re do i nevojitet hartimi dhe mbështetja e një plani konkret të nxitjes së turizmit veror dhe kulturor, duke gërshetuar strategji që i drejtohen turistëve vendas por dhe të huaj, qoftë gjatë sezonit veror qoftë gjatë atij dimëror. I vetmi transport publik ujor, linja e shumëpërfolur e tragetit Ohër –Pogradec, është e njënashme pasi ajo nuk mundëson transportin e turistëve shqiptarë drejt Maqedonisë, ndaj bashkisë së re i nevojitet një strategji e qartë për nxitjen ose mbështetjen e këtij sektori.
Strategjitë e deritanishme të punësimit në nivel vendor janë thuajse inekzistente, ndaj një nga sfidat e identifikuara më shpesh nga komuniteti është domosdoshmëria e planeve strategjikë që mund të tërheqin investitorët. Bashkia do të duhet të gjejë rrugë të reja për menaxhimin e liqenit dhe prodhimeve të tij të cilat tregtohen rëndom jashtë çdo standardi higjeno-sanitar ndërsa mungojnë fabrikat e konservimit dhe përpunimit të peshkut por edhe për prodhimet bujqësore, të cilat do të ofronin një mundësi të mirë punësimi për banorët e zonës.
Sektori i artizanatit, i cili ofron mundësi punësimi sidomos për gratë në zonat rurale, ka hedhur hapat e parë drejt zhvillimit dhe bashkisë së re do i duhet që të mbështesë dhe nxisë rritjen e kapaciteteve të punësimit në këtë drejtim.
Sporti dhe kultura janë dy sektorë me interes për banorët por të braktisur nga mbështetja financiare dhe infrastrukturore cka do ta verë bashkinë përballë domosdoshmërisë së gjetjes së mekanizmave për t’i rikthyer ato në qendër të vëmendjes. Klubi shumësportësh, hartimi i kalendarit sportiv, prezantimi i aseteve kulturore dhe të kulinarisë janë një tjetër prizëm që identifikohet si sfidë për qeverisjen e re vendore.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Pogradecit kishin të drejtën e votës 69,488 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 35,453 votues, 51.02% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Eduart Kapri i Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 50.93% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Pogradec (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
22277 |
64,94% |
21 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
10828 |
31,56% |
10 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
945 |
2,75% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
256 |
0,75% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Eduart Kapri, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)