Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Përrenjasi kufizohet në veri me bashkinë Librazhd, në lindje me Republikën e Maqedonisë, në jug me Bashkinë Pogradec dhe në perëndim me Bashkinë Elbasan. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Përrenjasit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Përrenjasi ka një popullsi prej 24,906 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 33,031 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 322.95 km2. Sipas censusit, densiteti i popullsisë është 77 banorë/km2 ndërsa sipas regjistrit civil densiteti është 102.279 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Përrenjas, Qukës, Rrajcë dhe Stravaj. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Librazhdit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 25 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Përrenjasit përfshin sipërfaqe të shumta pyjore dhe burime të bollshme hidrike si dhe një fushë pjellore. Nëntoka është e pasur me krom, ndërkohë që ky mineral shfrytëzohet aktualisht në dy prej fshatrave të bashkisë së re.
Zonat e Rrajcës, Qukësit dhe Stravajt kanë sipërfaqen më të madhe të pyjeve në këtë zonë. Megjithatë, shfrytëzimi pa kriter gjatë dy dekadave të fundit i ka dëmtuar pyjet në një masë të gjerë.
Bashkia e re e Përrenjasit ka një pozicion të favorshëm gjeografik, pasi gjendet fare pranë dy pikave doganore me Maqedoninë. Por ky avantazh nuk është shfrytëzuar deri më sot për nxitjen e sipërmarrjes dhe shtimin e vendeve të punës.
Përgjatë tranzicionit, në këtë zonë kanë munguar strategjitë e zhvillimit. E megjithatë, emigracioni në zonën e Përrenjasit nuk ka qenë i lartë. Kjo pasi shumë banorë të zonës kanë zgjedhur punësimin sezonal në Maqedoninë fqinje, me të ardhurat e të cilëve mbijeton një pjesë e mirë e popullatës.
Në të gjithë bashkinë e re rezultojnë të regjistruara 234 biznese, të cilat e kryejnë aktivitetin e tyre kryesisht në shërbime. Një pjesë e vogël e bizneseve merren me kultivimin e troftës.
Bashkia e Përrenjasit ka potenciale të pashfrytëzuara për turizëm natyror. Me historinë e pasur të zonës së Rrajcës, ku ndodhet shkëmbi i Skënderbeut dhe legjenda për Sofrën e tij si dhe me bukuritë natyrore të Sopotit, zona mund të kthehej në një destinacion për vizitorë vendas dhe të huaj.
Etnografia e pasur me këngët dhe vallet karakteristike të zonës do të ndihmonin për këtë qëllim, por mungesa e infrastrukturës rrugore i bën këto resurse të paarritshme nga turistët.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Papunësia mbetet plaga kryesore për banorët e Përrenjasit dhe një sfidë për kryebashkiakun që do të zgjidhet më 21 qershor. Investimet në fasoneri konsiderohen një mundësi e mirë për punësimin e grave të zonës, ndaj nxitja e bizneseve të kësaj fushe duhet të jetë një prioritet për mandatin 4-vjeçar.
Përmirësimi i godinave arsimore si dhe reabilitimi i infrastrukturës rrugore të fshatrave konsiderohet një tjetër sfidë e rëndësishme për zhvillimin e bashkisë së re. Nga ana tjetër, qyteti vuan nga mungesa e ujit të pijshëm, nga ndriçimi i zonave publike dhe nga shërbimi i pastrimit, çështje që kërkojnë gjithashtu një administrim më të mirë.
Por edhe pse Përrenjasi ka probleme të shumta me punët publike, shoqëria civile vlerëson se detyra kryesore e bashkisë së re është mbrojtja e pyjeve dhe mirëadministrimi i aseteve minerare, në mënyrë që këto resurse të kthehen në të ardhura për buxhetin e bashkisë dhe komunitetin.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Prrenjasit kishin të drejtën e votës 24,174 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 13,786 votues, 57.03% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Znj. Miranda Rira të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 57.73% të votave. E intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetarja aktuale ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Prrenjas (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
8719 |
67,22% |
15 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
3700 |
28,53% |
6 |
Partia Kristian Demokrate e Shqiperise |
422 |
3,25% |
0 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
103 |
0,79% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
26 |
0,20% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Miranda Rira, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)